Kukës, zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë

  • Pëllumb Sulo

Arkiv

Në Bashkinë Kukës po mbahen votime për zgjedhjen e kryebashkiakut të ri, pas shkarkimit dhe arrestimit të ish kryetarit te bashkisë Safet Gjici, i cili u përfshi në një skandal seksual, brenda zyrës së tij.

Në garën për kryetarin e Bashkisë Kukës marrin pjesë dy kandidatë, Albert Halilaj i Partisë Socialiste dhe Emri Vata i aleancës “Bashkë Fitojmë”. Kandidati socialist ka mbajtur postin e prefektit të qarkut të Kukësit, ndërsa kandidati i opozitës është ish ekspert dhe ish drejtues i policisë.

Në zgjedhjet e pjesshme vendore për Bashkinë e Kukësit, Partia Demokratike zyrtare nuk merr pjesë për shkak të mosgjetjes së konsensusit mes opozitës për kandidatin e saj.

Në Bashkinë Kukës po votohet në 74 qendra votimi, njëra prej të cilave është ngritur ne institucionin e paraburgimit të Qarkut Kukës. Pak orë para nisjes së procesit të votimit, kandidati i opozitës Emri Vata e cilësoi përpjekje për manipulim të zgjedhjeve vendimin e Gjykatës së Kukësit për të përfshirë në listën e votuesve 15 të dënuar, të cilët nuk e kanë vendbanimin në Bashkinë Kukës.

Për identifikimin e zgjedhësve po përdoren pajisje elektronike të identifikimit (PEI) të vendosura në të gjitha qendrat e votimit.

Deri në mesditë pjesëmarrja në votime ishte e ulët, ndërsa vëzhguesit vendor kanë vërejtur raste të pakta të votimit familjar.

Sipas KQZ-së, në këto zgjedhje të pjessshme janë regjistruar si subjekte zgjedhore 5 parti politike, PS, PL, PD, PDK dhe PEI si dhe koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Të regjistruar në listat e votimit janë 45 946 zgjedhës, 22 174 prej të cilëve janë votuese femra dhe 23 772 janë votues meshkuj.

Zgjedhjet e sotme për Bashkinë Kukës nuk janë shumë të rëndësishme për socialistet në pushtet, të cilët në zgjedhjet vendore të 14 majit arritën të fitojnë 55 nga 61 bashkitë e vendit. Ndërsa, fitorja ose humbja e opozitës në Kukës pritet të thellojë më tej mosmarrëveshjet mes grupimeve në gjirin e demokratëve.