India pezullon shërbimet e vizave për qytetarët e Kanadasë, Trudeau thotë se nuk po përpiqet të shkaktojë probleme

Kryeministri kanadez Justin Trudeau përsëriti të enjten se Kanadaja nuk po kërkon të provokojë ose të shkaktojë probleme, pasi India ndaloi të gjitha shërbimet e vizave për qytetarët e Kanadasë. India gjithashtu i tha Kanadasë të zvogëlojë stafin e saj diplomatik pas përçarjes midis vendeve, pasi kryeministri Trudeau tha se India mund të jetë e përfshirë në vrasjen e një shtetasi kanadez.


Lidhjet midis Otavës dhe Nju Delhit, partnerë kryesorë strategjikë në fushën e sigurisë dhe në tregti, kanë rënë në pikën e tyre më të ulët pasi zoti Trudeau këtë javë tha se kishte “dyshime të besueshme” për përfshirjen e Indisë në vrasjen e një udhëheqësi separatist Sikh brenda Kanadasë.


Hardeep Singh Nijjar, shtetas kanadez 45-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim nga India prej vitesh, u qëllua për vdekje në qershor jashtë tempullit që ai drejtonte në Surrey, në periferi të Vankuverit.


“Ne nuk po kërkojmë të provokojmë apo të shkaktojmë probleme, por jemi të qartë rreth rëndësisë së sundimit të ligjit dhe të qartë për rëndësinë e mbrojtjes së kanadezëve dhe mbrojtjes së vlerave tona”, tha kryeministri Trudeau në Nju Jork, ndërsa po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.


Akuza e zotit Trudeau nxiti të hënën një krizë diplomatike, me secilin vend që dëboi nga një diplomat. India e mohoi akuzën dhe e quajti atë absurde, ndërsa tani njoftoi për pezullimin e shërbimit të vizave indiane për kanadezët.


Pezullimi do të thotë që kanadezët që nuk kanë viza nuk do të mund të udhëtojnë për në Indi. Në vitin 2021, 80,000 turistë kanadezë vizituan Indinë, duke i bërë ata grupin e katërt më të madh, sipas Byrosë së Emigracionit të Indisë.


Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë, Arindam Bagchi bëri thirrje për një reduktim të diplomatëve kanadezë në Indi, duke thënë se ata e tejkalonin numrin e personelit të Indisë në Kanada.

Komisioni i Lartë Kanadez në Nju Delhi tha të enjten se të gjitha konsullatat në Indi janë të hapura dhe vazhdojnë t'u shërbejnë klientëve. Komisioni tha se disa nga diplomatët e saj kishin marrë kërcënime në rrjetet sociale. Komisioni shtoi se Kanadaja pret që India të ofrojë siguri për diplomatët dhe oficerët e saj konsullorë që punojnë atje.


Të mërkurën, India paralajmëroi qytetarët e saj që të jenë të kujdesshëm kur udhëtojnë në Kanada për shkak të “aktiviteteve në rritje kundër Indisë dhe krimeve të urrejtjes të mbështetura politikisht”.

Kanadaja nuk ka dhënë ende asnjë provë për përfshirjen e Indisë në vrasje. Degët e sigurisë dhe inteligjencës së Indisë kanë qenë prej kohësh aktive në Azinë Jugore dhe dyshohen për një numër vrasjesh në Pakistan. Por organizimi i vrasjes së një qytetari kanadez në Kanada, shtëpia e afro 2 milionë njerëzve me origjinë indiane, do të ishte e paprecedentë.

India e ka kritikuar Kanadanë ndër vite se iu ka dhënë liri veprimi separatistëve Sikh, përfshirë zotin Nijjar. Nju Delhi e kishte akuzuar atë për lidhje me terrorizmin, akuzë të cilin ai e kishte mohuar.


Nijjar, hidraulik me profesion, ishte gjithashtu udhëheqës në atë që ka mbetur nga një lëvizje dikur e fortë për të krijuar një vend të pavarur sikh, të njohur si Khalistan. Një kryengritje e përgjakshme e sikhëve tronditi Indinë veriore në vitet 1970 dhe 1980 derisa u shtyp nga një goditje e qeverisë në të cilën u vranë mijëra njerëz, përfshirë udhëheqës të shquar sikhë.


Në kohën e vrasjes së tij, zoti Nijjar po punonte për të organizuar një referendum jozyrtar të diasporës sikhe për pavarësinë nga India.

Në mars, qeveria e kryeministrit indian Narendra Modi thirri komisionerin e lartë kanadez në Nju Delhi, pra kryediplomatin e saj në vend, për t'u ankuar për protestat pro pavarësisë së sikhëve në Kanada.


Të mërkurën, Agjencia Kombëtare e Hetimit të Indisë tha se ka shtuar goditjen e saj ndaj kryengritësve sikhë që veprojnë në Indi.


Kjo agjenci njoftoi shpërblime deri në 1 milion rupi apo 12,000 dollarë për informacione që çojnë në arrestimin e pesë kryengritësve, njëri prej të cilëve besohet të jetë i vendosur në Pakistanin fqinj.


Agjencia i akuzoi ata për zhvatje të parave nga bizneset për një organizatë të ndaluar sikhe, “Babbar Khalsa International”, dhe për vrasje në Indi. “Ata gjithashtu kanë krijuar një rrjet operativësh në vende të ndryshme për të mbështetur aktivitetet e tyre terroriste në Indi”, thuhet në një deklaratë, pa përmendur asnjë vend.


India akuzon Pakistanin për mbështetjen e kryengritjeve në Kashmir dhe Punjab, një akuzë që Islamabadi e mohon.