Banorët përreth Liqenit të Prespës në Maqedoninë e Veriut i druhen katastrofës pasi niveli i ujit të liqenit ka rënë dukshëm. Në një raport të vitit 2022, NASA thotë se pamjet satelitore tregojnë se liqeni kishte humbur 7% të sipërfaqes dhe gjysmën e vëllimit të tij midis viteve 1984 dhe 2020. Mungesa e reshjeve, përdorimi i tepërt i ujit për ujitje janë arsyet kryesore të rënies së nivelit të ujit të liqenit që ndahet mes Maqedonisë së Veriut, Shqiperisë dhe Greqisë.
Your browser doesn’t support HTML5
Në një pjesë të bregut të liqenit të Prespës i cili ndahet mes Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, një platformë prej druri e rrethuar më parë nga ujërat e liqenit në fshatin maqedonas Stenje tani qëndron mbi tokë të thatë.
Aleksandar Ilievski, i rritur në fshat, e sheh me trishtim këtë ndryshim. Hera e fundit kur ai dhe miqtë e tij u hodhën nga aty për në liqen ishte pesë vjet më parë.
“Unë jam rritur në këtë fshat dhe të gjithë vinim të hidheshim nga kjo platformë në ujë. Në vitin 2018 e bënim një gjë të tillë gjithë kohës, por tani nuk ka më ujë”, thotë zoti Ilievski.
Nivelet e ujit në Liqenin e Prespës, një nga liqenet më të vjetër të Evropës ku gjenden më shumë se 2000 lloje peshqish, shpendësh, gjitarësh dhe bimësh, tani janë mbi 8 metra më të ulëta se në fund të viteve 1970.
Në një raport të vitit 2022, NASA tha se pamjet satelitore tregojnë se liqeni kishte humbur 7% të sipërfaqes dhe gjysmën e vëllimit të tij midis viteve 1984 dhe 2020.
Peshkatari Vanço Vasilevski thotë se varka e tij ngec shpesh kur lundron në liqen.
“Në dy, tre muajt e fundit uji ka rënë 36 centimetra dhe në dy, tre ditët e fundit niveli i ujit besoj ka rënë edhe dy-tre centimetra të tjera. Niveli i ujit do të bjerë edhe më shumë. Nuk ka shi, nuk ka dimër, pa borë, pa lumenj. Vetëm një lumë derdhet në liqen, nuk ka furnizim tjetër me ujë. Kjo është një fatkeqësi natyrore”, thotë zoti Vasilevski.
Më shumë se dy të tretat e liqenit 5 milionë vjeçar i përkasin Maqedonisë së Veriut dhe pjesa tjetër Greqisë dhe Shqipërisë.
Ambientalistët thonë se mungesa e shiut, avullimi dhe përdorimi i tepërt i ujit për ujitje nga të tre vendet janë arsyet kryesore të rënies së nivelit të ujit.
Dragan Arsovski, biolog nga organizata joqeveritare Shoqëria Gjeologjike Maqedonase, me qendër në Shkup, thotë se niveli i liqenit është ngritur dhe ka rënë gjatë shekujve dhe natyra mbijetoi, por njerëzit që jetojnë përreth liqenit nuk po përshtaten me situatën e re.
“Shumë kafshë kanë mbijetuar. Ajo që është unike tani është se ne po kontribuojmë në këtë efekt të ndryshimeve mjedisore dhe tani niveli i ujit po ulet. Por ne, njerëzit që jetojmë atje, nuk dimë se si të përballemi me këtë sepse ne jemi mësuar me liqenin siç ishte, veçanërisht në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë kur niveli ishte shumë më i lartë, ndoshta deri në tetë metra më i lartë se sa e shohim tani”, thotë zoti Arsovski.
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim ka paralajmëruar se disa lloje kafshësh të egra në liqen janë në rrezik të zhdukjes për shkak të shkatërrimit të habitatit të tyre nëpërmjet praktikave të dëmshme bujqësore, erozionit, mbetjeve të patrajtuara dhe ujërave të zeza.
Fermeri i një pemishteje, Mende Pandevski thotë se pesticidet po rrjedhin në liqen përmes puseve nëntokësorë që shfrytëzohen për të ujitur tokat e mbjellura afër liqenit dhe të cilët janë më të dëmshëm se ato në të kaluarën.
“Pesticidet hyjnë në ujërat nëntokësorë, në liqen, ato shkojnë kudo dhe janë shumë të rrezikshme për Prespën. Pesticidet moderne nuk janë si ato që kemi pasur. Ne nuk e dimë se çfarë po blejmë nga prodhuesit. Kjo është një katastrofë, asgjë nuk po shkon mirë”, thotë zoti Pendevski.
Pushteti lokal i komunës së Resnjës, territori i së cilës përfshin tërë bregun e Maqedonisë Veriore të liqenit, ka marrë mostra për të kontrolluar praninë e pesticideve dhe kimikateve.
“Në pika të caktuara në liqenin e Prespës kemi një përkeqësim të gjendjes në cilësi dhe këtë ne e analizojmë së bashku me institucionin hidrobiologjik nga Ohri”, thotë Ajman Al Alla nga komuna e Resnjës.
Kjo analizë tregon se cilësia e ujit po përkeqësohet në disa drejtime kyçe, tha kreu i departamentit komunal të mjedisit në Resnje.