Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga veprimet ushtarake të Azerbajxhanit në Nagorno-Karabak dhe kanë bërë thirrje për ndërprerjen e tyre të menjëhershme, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken të martën.
“Këto veprime po përkeqësojnë gjendjen tashmë të rëndë humanitare në Nagorno-Karabak dhe minojnë perspektivën e paqes”, tha Sekretari Blinken përmes një deklarate.
“Ne bëjmë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve dhe për fillimin e dialogut të bazuar në respekt të ndërsjellë mes zyrtarëve në Baku dhe përfaqësuesve të popullatës së Nagorno-Karabakut”, thuhet më tej në deklaratën e Sekretarit Blinken.
Ndërkohë, Presdenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të martën se Turqia mbështet hapat e Azerbajxhanit për ruajtjen e integritetit territorial. Gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, zoti Erdogan tha se Nagorno-Karabaku është pjesë e territorit sovran të Azerbajxhanit dhe është e papranueshme ideja e dhënies së një statusi tjetër këtij rajoni.
Një zyrtar i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në rajonin e Nagorno-Karabakut tha se 25 vetë u vranë atje nga sulmet e ushtrisë së Azerbajxhanit.
Dy nga të vrarët ishin civilë, tha Gegham Stepanyan në një postim në rrjetin X, duke shtuar se 138 njerëz të tjerë, përfshirë 29 civilë, janë plagosur nga luftimet në Nagorno-Karabak. Agjencia e lajmeve Reuters nuk ishte në gjendje të verifikonte këto shifra.
Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit njoftoi për fillimin e operacionit disa orë pasi katër ushtarë dhe dy civilë kishin mbetur të vdekur nga shpërthimet e minave tokësore në rajonin e Nagorno Karabakhut. Sulmi i sotëm ngre shqetësime për shpërthimin e luftës për këtë territor ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, siç ndodhi për gjashtë javë në vitin 2020.
Ministria e Jashtme e Armenisë mohoi se forcat dhe armatimi i tyre ishte i pranishëm në Nagorno-Karabakh dhe i quajti “zëra të pasaktë” pohimet për sabotim dhe vënie të minave në rajon, duke thënë se ato ishin “gënjeshtër dhe fabrikime”.
Zyrtarët armenë në Nagorno-Karabakh deklaruan se kryeqyteti i rajonit Stepanakert dhe fshatrat përreth po “bombardoheshin rëndë.”
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Azerbajxhanit deklaroi të martën se forcat armene kishin shtënë në qytetin e Shushës, një qytet i njohur në Nagorno-Karabakh, që është nën kontrollin e Azerbajxhanit, me armë të kalibrit të madh, dhe një civil ishte vrarë si rezultat i sulmit.
Ndonëse Azerbajxhani tha se operacioni ishte i kufizuar në objekte ushtarake, ministria e mbrojtjes njoftoi se “korridore humanitare” ishin formuar për “evakuimin e popullatës nga zona e rrezikuar”.
Analisti Thomas de Waal pranë organizatës Carnegie në Evropë, theksoi se operacioni ushtarak mund të jetë një plan i presidentit azer, Ilhan Aliyev për t’i detyruar banorët armenët të shpërngulen nga ky rajon.
“Ndoshta po shohim një aksion ushtarak që do të detyrojë mijëra armenë të ikin në Armeni. Pastaj, zoti Aliyev mund të përmbushë qëllimin e tij për të pushtuar Karabakun pa shumë gjakderdhje,” i tha zoti de Waal agjencisë Associated Press.
Nagorno-Karabakhu dhe territoret përreth u kontrolluan nga armenët, në fund të luftës separatiste më 1994, por Azebajxhani arriti t’i rimarrë territoret dhe një pjesë të Nagorno-Karabakhut gjatë luftës së vitit 2020. Lufta përfundoi me një armëpushim dhe vendosjen e një kontigjenti paqëruajtësish rusë në Nagorno-Karabakh.
Por, Azerbajxhani pretendon se që atëherë Armenia ka futur armë në rajon. Këto supozime çuan në bllokimin e rrugës që lidh Nagorno Karabakhun me Armeninë, duke shkaktuar mungesë ushqimi dhe barnash në këtë rajon.
Tensionet po ndodhin në një kohë marrëdhëniesh të acaruara ndërmjet Armenisë dhe aleatit të saj tradicional, Rusisë. Armenia vazhdimisht është ankuar se forca prej 2,000 paqëruajtësish rusë nuk ka mundur, apo nuk ka dashur ta mbajë rrugën me Armeninë të hapur, ndonëse një detyrim i tillë del nga marrëveshja që i dha fund luftës së vitit 2020.
Armenia po ashtu ka krijuar pakënaqësi tek Rusia, e cila mban një bazë ushtarake në këtë vend, duke marr pjesë në stërvitje ushtarake me Shtetet e Bashkuara gjatë këtij muaji dhe duke ratifikuar Konventën e Romës, që themeloi Gjykatën Kriminale Ndërkombëtare, e cili ka paditur Presidentin rus, Vladimir Putin.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova i hodhi poshtë të martën pohimet se Rusia ishte njoftuar paraprakisht për planet e Azerbajxhanit për të zhvilluar operacionin, duke thënë se paqëruajtësit rusë ishin njoftuar vetëm “pak minuta” para se të fillonte ai.
Sipas analistit de Waal, marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Armenisë dhe Rusisë luajnë rol.
“Konsideroj se (kjo situatë) e inkurajon Azerbajxhanin të jetë më i guximshëm dhe i bën rusët më konfuz dhe më pak të gatshëm të ndërhyjnë. Dhe, është e mundur që rusët duan ta përdorin këtë krizë për të nxitur ndryshim regjimi në Armeni,” thotë ai.