Ukraina akuzon Rusinë për sulme të reja me dronë e raketa gjatë natës

Arkiv

Ukraina njoftoi të hënën se Rusia kishte përdorur 24 dronë për të sulmuar rajonet e Mikolaivit dhe Odesës gjatë natës, krahas sulmeve me 17 raketa me vetëdrejtim ndaj Ukrainës.

Kievi bëri të ditur se kishte arritur të rrëzonte 18 prej dronëve rusë, si dhe të gjitha raketat.

Guvernatori rajonal i Odesës Oleh Kiper tha se distrikti Izmail, ku ndodhen portet që shërbejnë për të eksportuar grurë, ishte sulmuar sërish dhe se ishte sulmuar një godine që përdorej për qëllimeve argëtuese në qytetin Vilkove. Zyrtarët nuk njoftuan për viktima si pasojë e sulmeve.

Guvernatori i rajonit të Mikolaivit Vitaliy Kim tha se nga mbetjet e dronëve të shkatërruar, një godinë ishte përfshirë nga flakët. Ai shtoi gjithashtu se një valë shpërthimi dëmtoi ndërtesa të tjera aty pranë.

Ndërkohë si pasojë e një sulmi rus në rajonin e Khersonit u plagosën të paktën katër vetë, sipas guvernatorit rajonal Oleksandr Prokudin.

Zoti Prokudin tha se forcat ruse sulmuan qëllimisht një stacion autobusi të mbushur me njerëz në qytetin Beryl.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës Hanna Maliar tha të hënën se forcat ukrainase kishin çliruar dy kilometra katrorë territor në zonën e Bakhmutit, si dhe më shumë se pesë kilometra katrorë në pjesën jugore të Ukrainës.