Bujar Osmani: Ndryshimet kushtetuese, një mundësi historike për integrimin e Maqedonisë së Veriut

  • Keida Kostreci

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili po ashtu është kryesues i radhës i OSBE-së ndodhet në Nju Jork në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, prej nga i dha një intervistë Zërit të Amerikës. Ai flet për zhvillimet e brendshme politike dhe sfidat rreth integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Your browser doesn’t support HTML5

Bujar Osmani: Ndryshimet kushtetuese, një mundësi historike për integrimin e Maqedonisë së Veriut

Zëri i Amerikës: Ndryshimet e Kodit Penal, dhe projekt-ligji për amnistinë kanë nxitur mjaft debate dhe kritika në vend. Kritikët thonë se këto po bëhen për të liruar nga akuzat ish-Kryeministrin Nikolla Gruevski dhe për të nxjerrë nga burgjet “kriminelët”, siç i quan opozita, të afërt me pushtetin. Madje, Presidenti Stevo Pendarovski ka thënë se disa politikanë i kishin kërkuar atij më parë amnistinë për zotin Gruevski. Sa qëndrojnë këto kritika?


Bujar Osmani: Ndryshimet e Kodit Penal nuk kanë të bëjnë me asnjë formë të amnistisë, por është një proces i europianizimit të sistemit penal në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Është pak një paradoks se ata të cilët kritikojnë këto ndryshime të Kodit Penal janë po ata të cilët kritikojnë efektivitetin e shtetit ligjor. Efektiviteti ishte rezultat i asaj mënyre të rregullimit të sistemit penal në Maqedoninë e Veriut që ishte një trashëgimi nga sistemi jugosllav: i ashpër, drakonik, jofleksibil. Me që nuk i dha rezultatet e veta, duke mundësuar që lëndët (gjyqësore) të stërzgjaten; mos të merren vendime për shkak të atij rigjiditeti të sistemit, Ministria e Drejtësisë... ju keni dëgjuar ekspertët e fushës se tani është marrë eksperienca më e mirë evropane, kryesisht ajo gjermane dhe sllovene për të pasur një model të sistemit penal që është më fleksibël, i përqendruar tek konfiskimi i pronave, të cilat janë arritur në mënyrë të paligjshme dhe duke u mundësuar gjykatave që të marrin vendime sa më të shpejta dhe që të jenë më efektive. Prandaj, kujtoj që në asnjë mënyrë kjo nuk duhet të ndërlidhet. Ndoshta për shkak se ndodhën ato ndryshime në kohën kur po bisedohet për ndryshimet kushtetuese po krijohen paralele të tilla, por në fakt nuk ka paralele të tilla, për shkak se e keni parë që këto ndryshime të Kodit Pernal në asnjë mënyrë nuk do te ndikojnë në lirimin e kujtdo që përflitet.

Zëri i Amerikës: Zoti Osmani, partia juaj, Bashkimi Demokratik për Integrim ka paralajmëruar se është e gatshme të heqë dorë nga postet në qeveri vetëm për t’u miratuar ndryshimet kushtetuese. Sa janë gjasat për realizimin e këtyre ndryshimeve kur dihet se pa votat e opozitës maqedonase nuk arrihet shifra e nevojshme prej dy të tretave (80 vota) në parlament?

Bujar Osmani: Maqedonia e Veriut gjendet para një udhëkryqi të rëndësishëm për të ardhmen e saj. Prej vendimit që do të marrim ne ose jo për ndryshimet kushtetuese do të varet fati i perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut. A do të futemi në grupin e vendeve të cilat kanë çështje të hapura të dyanshme, që duhet në vitet e ardhshme t’i mbyllin ato dhe pastaj të rinisin integrimin evropian, apo menjëherë do të futen në trajektoren e përshpejtuar për integrim në BE, që është si rezultat i kontekstit të ri gjeopolitik. Në dhjetor priten vendime të mëdha për Ukrainën, por edhe për Ballkanin Perëndimor. Është ky moment historik në të cilin duhet ta kuptojmë rëndësinë e tij, të kuptojmë se BE-ja hap “dyert e hekurta” në periudha të caktuara dhe vetëm ata të cilët janë të gatshëm, mund të lëvizin përpara. Prandaj mendoj se është e rëndësishme të marrim përgjegjësinë që e kemi para njerëzve që të bëjmë ndryshimet kushtetuese dhe të mundim të kapim këtë moment të rëndësishëm gjeopolitik dhe historik sa i takon rrugës për të shpejtuar për në BE. Ne morëm vendimin për dorëheqje të kushtëzuara për t’ua bërë me dije të gjithë aktorëve politikë se tani nuk është koha për pazare politike, as për interesa partiake, por tani është koha të ngrihemi mbi interesat tona të politikës ditore, të bëjmë një marrëveshje strategjike mes nesh që të garantojmë të ardhmen evropiane sepse vetëm ajo do të sigurojë mirëqenie dhe që njerëzit të mbesin këtu dhe të planifikojnë jetën e tyre në Maqedoninë e Veriut.

Zëri i Amerikës: Ju folët për pasojat e mundshme, por në rast se nuk miratohen ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht i BE-së për vazhdimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me Bllokun, atëherë vendi juaj mund të ndahej nga Shqipëria në këtë proces. Çfarë do të thoshte kjo për Maqedoninë e Veriut?

Bujar Osmani: Edhe pse nuk mendoj se Shqipëria duhet të jetë peng i rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut, do te ishte një lajm i keq ndarja nga paketa me Shqipërinë, për shkak se Maqedonia e Veriut do të futej në grupin e vendeve të cilat kanë çështje të hapura dhe të cilat do ta lëshojnë mundësinë që në këtë dekadë të bëhen anëtare të BE-së. Kushedi kur do të paraqitet një situatë e re kur do të rritet vetëdija e vendeve anëtare (të BE-së) për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Prandaj, mendoj se është shumë serioze çështja e rezistimit që u bëhet ndryshimeve kushtetuese. Por, gjithashtu ka edhe një aspekt tjetër: mospranimi i ndryshimeve kushtetuese dëmton drejtpërdrejt interesin shtetëror të Maqedonisë së Veriut, për shkak se ishte kërkesa jonë që ta zhvendosim debatin me Republikën e Bullgarisë nga temat historike-identitare në temat e çëshjtjeve të pakicave dhe të drejtave të njeriut. Dhe ndryshimet kushtetuese janë paradigma e kësaj qasjeje, kësaj trajektoreje të diskursit politik me Republikën e Bullgarisë dhe mosaprovimi i ndryshimeve kushtetuese na kthen përsëri në debatin për temat historike dhe identitare që nuk është në interesin e Maqedonisë së Veriut.

Zëri i Amerikës: Zoti Osmani partia VMRO-DPMNE ju akuzon lidhur me përzgjedhjen në një tender prej rreth 1.8 milion eurosh të një kompanie të afërt me BDI-në, e cila do të bënte rregullimin e një salle sporti në Shkup për mbajtjen e konferencës së fundvitit të OSBE-së. Si u përgjigjeni këtyre akuzave?

Bujar Osmani: Mendoj se është teatër politik, i cili është nën atë moton “pështyj kundërshtarin se ndoshta diçka do të ngjitet”. Kjo dëmton imazhin e shtetit në kushte kur po organizojmë konferencën më të madhe të ministrave të vendeve të OSBE-së. Absolutisht nuk ka asgjë në këto, sepse institucionet janë duke i verifikuar dhe gjithçka është në bazë të procedurave. Mirëpo, thash se kjo bëhet në kuadër të një fushate, të cilën opozita e ka nisë që të dëmtojë kundërshtarët politikë, duke mos llogaritur se kështu dëmton shtetin dhe imazhin e shtetit para botës.

Zëri i Amerikës: Meqenëse ju thoni se akuzat bëhen për “teatër politik”, a keni vënë në dispozicion të dhëna, prova që vërtetojnë se këto akuza ndaj jush janë të pabaza:

Bujar Osmani: Aboslutisht po. Të gjitha institucionet janë duke verifikuar dhe atë me kërkesën time. Unë kam kërkuar që të gjitha institucionet kompetente të verifikojnë jo për ndonjë qëllim tjetër, por që sa më shpejtë të dalin me konstatim për shkak se është në pyetje imazhi i shtetit. Dhe atë në vigjilje të konferencës më të madhe në historinë e Maqedonisë së Veriut. Unë kam qenë ai i cili ka ftuar istitucionet për shkak se kjo fushatë propaganduese ndaj çdo gjëje që po bëjmë ne dhe që lidhet edhe me shqiptarët në Maqedioninë e Veriut, vërtet ka kaluar të gjitha përmasat e një normaliteti të një lufte politike, prandaj ne nuk kemi mënyrë tjetër për t’u ballafaquar me to, përveç nëpërmjet institucioneve kompetente dhe besoj se ato së shpejti do të dalin me konstatimet e tyre.