DASH: SHBA të zhgënjyera nga mungesa e përparimit në bisedimet Kosovë-Serbi

  • VOA

Departamenti amerikan i Shtetit shprehu zhgënjimin me mungesën e përparimit në bisedimet e së enjtes mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Siç e kemi thënë vazhdimisht, dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë. Ne presim që të dyja vendet t'i marrin seriozisht detyrimet e tyre sipas marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, që arritën në fillim të këtij viti”, tha në një koment për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Ai thekson se nuk ka më kohë për të humbur dhe Shtetet e Bashkuara duan të shohin përparim në detyrimet ekzistuese të parashikuara në Marrëveshjen e Ohrit si edhe ato më të hershme, duke përmendur veçanërisht themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Ne kemi plotësisht të njejtin qëndrim me partnerët tanë të Kuintit në mbështetje të Dialogut të lehtësuar nga BE”, thuhet në komentin e Departamentit të Shtetit.

Shtetet e Bashkuara do të vendosin për hapat ardhshëm në konsultim me partnerët evropianë, përfundon zëdhënësi.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha të enjten se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk ranë dakord rreth hapave për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, duke theksuar se pa normalizim nuk ka ardhmëri evropiane për të dyja vendet.

Zoti Borrell tha se ishte kryeministri Kurti ai që nuk e pranoi një propozim të tij për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga marrëveshja e arritur ne Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas zotit Borrell, kryeministri Kurti kërkon zbatimin e aspekteve politike fillimisht, ndërsa Beogradi kërkon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kryeministri Kurti, tha ndërkaq se nuk mund të bënte kompromis me atë që ai e cilësoi si "kushtëzim të vjetër të Serbisë" për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.