iPhone - 16 vjet nga dalja në treg

Kompania Apple paraqiti të martën telefonin e saj më të fundit, iPhone 15. Aktiviteti nga selia e saj qendrore në Cupertino të Kalifornisë u ndoq me interesim në mbarë botën. Por si e filloi rrugëtimin kjo paisje revolucionare për tregun e teknologjisë dixhitale personale?

Your browser doesn’t support HTML5

iPhone - 16 vjet nga dalja në treg.mp4


Kompania Apple paraqiti linjën më të fundit të telefonave të saj. iPhone 15 ka kamera të përditësuara, për të janë prodhuar mikroqarqe më të shpejtë dhe janë përdorur materiale më të forta si titaniumi. iPhone 15 do të përdorë tashmë edhe teknologjinë e unifikuar USB-C për marrjen e rrymës.

Por cilat ishin fillimet e iPhone-it, kësaj paisjeje që revolucionarizoi tregun e komunikimeve në mbarë botën?

Në janar 2007, drejtori i atëhershëm ekzekutiv i kompanisë Apple, Steve Jobs, u ngjit në skenë për të paraqitur paisjen që kombinoi iPod-in, telefonin tradicional dhe programin për navigimin në internet. Kështu lindi pra iPhone-i.

Kishte një kapacitet për ruajtjen e të dhënave prej vetëm 4 gigabyte, një memorie operative prej 128 megabyte dhe një ekran me rezolucion 480x320 piksel. Kishte vetëm një kamera prej 2 megapiksel.

Aparati doli në shitje pak muaj më vonë, me një sukses të jashtëzakonshëm. Njerëzit kalonin natën përjashta përpara dyqaneve duke pritur në radhë për të blerë një iPhone.

“Është iPhone-i. Do të hyjë në historinë e të gjithë aparateve celulare. Do të jetë një moment i madh, një ndryshim i madh për celularët dhe novacionin. Është Apple që bën e para novacion. Apple e realizoi ndërkohë që të tjerët as nuk e kishin menduar dot ende”, thoshte Jessica Rodriguez ndërsa priste në radhën për të blerë një iPhone.


iPhone-i i gjeneratës së parë u pasua nga iPhone 3G, që ofronte shpejtësi navigimi 3G në internet, GPS të integruar dhe qasje në tregun e aplikacioneve App Store.

Në vitin 2010, iPhone pati ndryshimin më të madh në projektim, me qoshe të drejta, pjesën e mbrapme të prodhuar nga xhami dhe një ekran me rezolucion të lartë të quajtur Retina.

“Mendoj se pikë së pari Apple ka krijuar telefonin më të avancuar të të gjitha kohërave. Ka opsione që janë bërë pjesë e këtij telefoni pasi kërkoheshin nga njerëzit. Si p.sh. kamera e përparme, një kamera më të mirë kryesore dhe me një blic. Është gjithashtu më i lehtë, më i vogël dhe ata që e kanë përdorur e konsiderojnë një hap përpara në projektim”, thoshte Luke Peters, në atë kohë botues i revistës “T3 Magazine”.

iPhone 4 u mbajt mend për shkak se pati probleme me antenën. Struktura e çeliktë humbte sinjalin nëse mbahej në një pozicion të caktuar. iPhone 5 kishte një projektim të ngjashëm, por pati ekran të zmadhuar deri në 4 inç.

Në vitin 2014, Apple paraqiti iPhone 6 me ekran deri në 5.5 inç.

“iPhone 6 dhe iPhone 6 Plus janë pa asnjë dyshim iPhone-t më të mirë që kemi prodhuar ndonjëherë”, thoshte Tim Cook, drejtori ekzekutivi i kompanisë Apple.

Por projektimin e ri më të madh e pati me iPhone X, që Apple e paraqiti në 10-vjetorin e iPhone-it, në vitin 2017. Për herë të parë kompania vendosi të heqë butonin fizik Touch ID, që kishte shërbyer për skanimin e gjurmës së gishtit që nga iPhone 5S. Në vend të saj, Apple futi teknologjinë FaceID, që bën skanimin e fytyrës nëpërmjet sensorëve të vendosur në pjesën e lartme të ekranit. iPhone X u mbajt mend edhe për rritjen për herë të parë të çmimit në 999 dollarë.

Me versionet iPhone 12 dhe 14, Apple iu rikthye qosheve të drejta dhe me aparatin iPhone 14 Pro eliminoi pjesën e dalë në krye të ekranit.


“Si gjithnjë, komponentët janë absolutisht mbresëlënës, patjetër mikroqarqet e rinj. Gjithçka është më e shpejtë, më e ndritshme, me më shumë jetëgjatësi të baterisë. Mendoj se gjithashtu janë përqëndruar më shumë tek shërbimet. Mendoj se ndër më të rëndësishmet janë siguria e shërbimeve të tyre dhe teknologjia për kursimin e baterisë”, thotë Julie Ask, analiste për teknologjinë në firmën kërkimore “Forrester Research”.

Ka megjithatë analistë që thonë se Apple ka humbur gjatë viteve të fundit rolin udhëheqës në novacion.

“Apple nuk është më ajo fabrika e novacionit që ishte dikur. Tashmë është më tepër si një fabrikë që është shumë e mirë për të prodhuar bazura në ide të krijuara nën drejtuesit e mëparshëm dhe po fiton shumë para nga kjo”, thotë Michael Liedtke, i specializuar për teknologjinë në agjencinë e lajmeve Associated Press.

Kompania Apple vazhdon të ruajë një bazë të gjerë dhe besnike përdoruesish të iPhone-it, bazë e cila madje u rrit ndjeshëm edhe gjatë pandemisë.