Tiranë, përkujtohet 25 vjetori i vrasjes së Azem Hajdarit

  • Armand Mero

Homazhet pranë varrit të Azem Hajdarit, në 25 vjetorin e vrasjes së tij

Në Shqipëri u përkujtua sot 25 vjetori i vrasjes së Azem Hajdarit, një prej ish figurave kryesore të udhëheqjes së lëvizjes studentore në dhjetor të vitit 1990, e cila hapi rrugën për rrëzimin e regjimit komunist në vend dhe shpalljen e pluralizmit politik.

Ceremonitë përkujtimore nisën në varrezat e Dëshmorëve, ku familjarë të zotit Hajdari, deputetë të Partisë Demokratike, përfshirë ish Kryeministrin Sali Berisha, si dhe përfaqësues të grupimit “Dhjetor ‘90”, kryen homazhe pranë varrit të tij.

Një tjetër ceremoni, u mbajt më pas në memorialin e ngritur pranë ish selisë së Partisë Demokratike, në vendin ku zoti Hajdari dhe truproja e tij Besim Çerja mbetën të vrarë në një atentat.

Për ish Kryeministrin Berisha, zoti Hajdari përbën një nga figurat më të rralla të historisë së vendit, pasi siç u shpreh ai, “asnjë shqiptar si individ nuk ka bërë aq sa ka bërë Azem Hajdari së bashku me studentët për lirinë e shqiptarëve”.

Ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha, në një postim në Facebook, shkruajti se “kurajo, antikonformizimi dhe vendosmëria përkundër fuqive në dukje më të mëdha janë testamenti politik i jetës politike të shkurtër por të pashoq të Azem Hajdarit”.

Nga ana e saj, e bija, ish deputetja demokrate Rudina Hajdari, duke ju referuar dhe zhvillimeve të fundit në Partinë Demokratike, tha se i ati i saj kishte qenë “një figurë unifikuese që do të kishte bërë gjithshka për ta mbajtur të bashkuar partinë”.