SHBA, Vietnami vlerësojnë ngritjen e nivelit të marrëdhënieve

Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe Vietnamit përshëndetën të hënën një marrëveshje për të ngritur nivelin e marrëdhënieve mes tyre, si edhe diskutuan për mundësitë që ofron nxitja e inovacionit dhe investimeve.

Në një takim me presidentin vietnamez Vo Van Thuong në Hanoi, presidenti amerikan, Joe Biden foli për nevojën e thellimit të bashkëpunimit për t’u bërë ballë "sfidave më të rëndësishme” të dy popujve dhe tha se është e jashtëzakonshme se sa kanë përparuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Zoti Thuong e quajti marrëveshjen një "moment shumë të rëndësishëm" dhe tha se ajo po "hapte një kapitull të ri".

Zoti Biden u takua më herët me kryeministrin Pham Minh Chinh dhe të dy morën pjesë në një forum biznesi ku zoti Biden diskutoi thellimin e bashkëpunimit me Vietnamin për gjysmëpërçuesit, inteligjencën artificiale dhe teknologjinë në përgjithësi.

Ai përmendi një "fazë të re" në marrëdhëniet SHBA-Vietnam dhe tha se të dy vendet duhet të vazhdojnë partneritetin.

Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu një marrëveshje prej 7.8 miliardë dollarësh midis kompanisë amerikane Boeing dhe kompanisë ajrore Vietnam Airways, që ai tha se do të mbështeste 30,000 vende pune në Shtetet e Bashkuara. Bisedimet e së hënës erdhën një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Vietnami ngritën marrëdhëniet e tyre në një "partneritet gjithëpërfshirës strategjik" - një lëvizje që Shtëpia e Bardhë e përshkroi si "të pashembullt dhe të rëndësishme".