Kosovë, qeveria publikon dokumentin që i hap rrugë zgjedhjeve të reja në veri përmes peticionit

  • Leonat Shehu

Prishtina

Qeveria e Kosovës publikoi të martën dokumentin që i hap rrugën shpalljes së zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës përmes largimit të kryetarëve aktualë të komunave nëpërmjet një peticioni.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi shkroi në rrjetet sociale se dokumenti ka për qëllim përcaktimin e procedurës së fillimit, organizimit dhe dorëzimit të nismës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, në pajtim me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.

Ai tha se sipas dokumentit të hartuar nga përfaqësues institucionesh vendase e ndërkombëtare secili qytetar apo grup qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse ka të drejtë të ndërmarrë nismë për largimin e kryetarit.

Kërkesa duhet të nënshkruhet nga të paktën 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në atë komunë. Nënshkrimet duhet të mblidhen në një afat brenda 30 ditësh me mundësinë e zgjatjes së afatit edhe për 15 ditë tjera ndërsa do të verifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Për të larguar kryetarin e një komune përmes peticioni sipas dokumentit duhet të votojnë 50 për qind plus një e votuesve me të drejtë vote në atë komunë. Nëse dështon peticioni, nuk mund të organizohet një peticion tjetër përpara se të kenë kaluar 12 muaj.

Ndryshimet ligjore pritet të hapin rrugën për largimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave veriore që nuk pranohen nga qytetarët serbë që paraqesin shumicën në zonë.

Por analistë shqiptarë e serbë i kanë thënë Zërit të Amerikës se peticioni nuk pritet të zgjidhë problemin në veri të Kosovës dhe se partitë politike serbe nuk duan të marrin pjesë në proces pa përmbushjen e kushteve të tyre, që në radhë të parë nënkupton themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lexoni edhe këtë Analistët: Zgjedhjet përmes peticionit nuk pritet të zgjidhin situatën në veri të Kosovës

Zgjedhjet e reja në veri janë pjesë e hapave për uljen e tensioneve që shpërthyen pasi kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave veriore me mbështetjen e policisë.

Bashkimi Evropian kërkon uljen e tensioneve përmes një plani që parashikon pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuara të serbëve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës tashmë ka përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe është pajtuar për organizimin e zgjedhjeve të reja. Autoritetet në Kosovë thonë se procedura përmes peticionit do të ishte mënyrë më demokratike dhe do të siguronte pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar për 14 shtator një takim të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ku do të kërkohen zgjidhje për situatën aktuale ndërmjet të dyja vendeve.