Në Tiranë, Partia Demokratike e opozitës u përfshi sot nga paqartësitë lidhur me kryetarin e grupit parlamentar, kur drejtuesja e Kuvendit njoftoi se këtë detyrë do ta mbajë kryetari i partisë Lulzim Basha.
Por kryetari aktual i grupit, Gazmend Bardhi, tha se janë deputetët e Partisë Demokratike ata që zgjedhin drejtuesin e tyre.
Partia Demokratike është përfshirë prej dy vjetësh në ndarje dhe përplasje mes grupeve, pas shpalljes së ish kryeministrit Sali Berisha non grata nga SHBA për korrupsion dhe cënimë të demokracisë.
Your browser doesn’t support HTML5
Një ditë pas Kuvendit Kombëtar të fundjavës, Partia Demokratike e opozitës njoftoi sot Parlamentin se kryetari i ri i grupit parlamentar është kryetari i saj Lulzim Basha.
Ky ndryshim bazohet në rregulloren e re të grupit parlamentar, të miratuar nga kryesia e Partisë Demokratike pas mbylljes së Kuvendit, ku u zgjodh edhe Këshilli i ri Kombëtar i Partisë Demokratike.
Vendimi që kryetari i rizgjedhur i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të mbajë edhe detyrën e kryetarit të grupit parlamentar, shkaktoi reagime në radhët e përkrahësve të ish kryeministrit Sali Berisha, i shpallur non grata nga SHBA për korrupsion dhe cënim të demokracisë.
Ndërsa kryetari aktual i grupit të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, tha se drejtuesja e Kuvendit shkeli rregulloren, duke sjellë atë njoftim nga Partia Demokratike, kur rregullorja përcakton mënyrën si zgjidhet kryetari i grupit parlamentar.
“Janë deputetët e grupit prlamentar të Partisë Demokratike që vendosin se kush kryetari i grupit. Disa kanë vendosur të bëhen qesharakë, por i lutem drejtueses së Kuvendit të mos provokojë deputetët e opozitës”, tha zoti Bardhi.
Pas shpalljes non grata të zotit Berisha nga SHBA për korrupsion dhe cënim të demokracisë, grupi parlamentar i PD është ndarë në së paku 3 pjesë, që përkrahin kryetarin Basha, ish kryetarin Berisha dhe kryetarin e grupit Bardhi.
Zoti Bardhi tha se zoti Basha u vetëshpall kryetar grupi, dhe se do të mbante këtë detyrë derisa një drejtues i ri të mund të zgjidhej me shumicën e deputetëve demokratë.
Ai ka ftuar një takim të deputetëve të opozitës nesër, e cila u mirëprit nga ish kryeministri Berisha.
Ndërsa zoti Basha tha sot se PD duhet të qëndrojë larg debateve artificiale dhe se kishte menduar t’ia delegonte njërit prej nënkryetarëve të partisë, që do të zgjidhet nga forumet e reja pas Kuvendit.
“Thirrja ime për çdo deputet pas një periudhe shumë të vështirë dhe sfiduese për të gjithë ne, është që tani është koha të shohim përtej interesave personale, anktheve, frikërave që janë shkaktuar nga konflikti i ndezur në mënyrë të padrejtë tek një pjesë prej tyre”, tha zoti Basha.
Partia Demokatike e opozitës është një fazë rindërtimi të saj pas përçarjeve që u shkaktuan nga foltorja e ish kryeministrit Berisha, dhe sulmi i dhunshëm ndaj selisë së saj.
Partia Demokratike zhvilloi të shtunën Kuvendin e saj, i cili zgjodhi Këshillin e ri Kombëtar dhe brenda kësaj jave pritet që ky forum i ri të zgjedhë edhe kryesinë e re të Partisë.
Kryetari i rizgjedhur Lulzim Basha ka deklaruar se konfirmimi i euro-atlantizmit ndarja nga berishizmi, nga përdorimi i partisë si bunker për halle personale, mbështetja e SPAK-ut në luftën ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë ndër zyrtarët dhe politikanët e lartë janë sfidat më të mëdha që po përballon aktalisht Partia Demokratike.