Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu thirri të dielën një mbledhje urgjente të qeverisë duke kërkuar dëbimin e menjëhershëm të emigrantëve që morën pjesë në trazirat në rrugët e Tel Avivit. Të shtunën, qindra mbështetës dhe kundërshtarë të qeverisë së Eritresë u përplasën me njëri-tjetrin dhe policinë izraelite, duke lënë pas dhjetëra të plagosur në rrugët e kryeqytetit izraelit.
Your browser doesn’t support HTML5
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kërkoi të dielën që emigrantët eritreas që u përfshinë në përplasje të dhunshme në Tel Aviv, të dëbohen menjëherë.
Zoti Netanyahu kryesoi një mbledhje të qeverisë të dielën për të diskutuar masat ndaj atyre që morën pjesë në trazira.
“Ajo që ndodhi dje kaloi vijën e kuqe, ndodhën trazira, e gjakderdhje, kjo situatë është e papranueshme. Prandaj dua pikë së pari t’i uroj shërimin oficerëve të policisë që u plagosën në përpjekje për të rivendosur rendin. Kërkojmë masa të forta ndaj pjesëmarrësve në trazira, përfshirë dëbimin e tyre të menjëhershëm”, tha Kryeministri Netanyahu.
Përplasjet ndodhën pasi mbështetës të qeverisë eritrease, u mblodhën pranë ambasadës së Eritresë në Tel Aviv për të festuar 30-vjetorin e ardhjes në pushtet të drejtuesit aktual të vendit, ndërkohë që kundërshtarët ishin autorizuar të mbanin një tjetër tubim të veçantë. Të dyja palët kishin marrë leje nga policia, dhe ishin zotuar të qëndronin në distancë nga njëri-tjetri. Në një deklaratë të zyrës së kryeministrit, pjesëmarrësit në trazira u quajtën “të infiltruar, të jashtëligjshëm”. Këtë përcaktim e përsëriti edhe zoti Netanyahu gjatë mbledhjes së qeverisë.
“ E kam të vështirë të kuptoj përse problemin e kemi me ata që vetëdeklarohen mbështetës të regjimit (eritreas), pra as nuk mund të pretendojnë se janë refugjatë. Kërkoj që ky grup pune të hartojë një plan të përditësuar për dëbimin e të gjithë të infiltruarve nga shteti i Izraelit dhe ky është objektivi ynë i sotshëm”, tha zoti Netanyahu.
Komentet u bënë një ditë pasi qindra mbështetës dhe kundërshtarë të qeverisë së Eritresë u përplasën me njëri-tjetrin dhe policinë izraelite, duke lënë dhjetëra të plagosur. Këto ishin ndër përplasjet më të dhunshme në rrugë mes azilkërkuesve afrikanë dhe emigrantëve në Tel Aviv.
Ndër të plagosurit ishin edhe 30 oficerë policie, si dhe protestues të goditur nga policia.
Eritreasit u përleshën nëpër rrugë duke përdorur mjete të forta, mes tyre shufra metali, gurë, madje edhe sopata. Ata thyen dritaret e dyqaneve dhe shkatërruan makina të policisë.
Eritreasit përbëjnë shumicën e mbi 30 mijë azilkërkuesve afrikanë që ndodhen në Izrael, që njeh vetëm një pjesë shumë të vogël prej tyre si azilantë dhe pjesën më të madhe i konsideron emigrantë ekonomikë. Eritrea është ndër vendet me gjendjen më të rëndë të të drejtave të njeriut. Azilkërkuesit në Izrael dhe gjetiu thonë se mund të vriten nëse rikthehen në Eritre.