Partia Demokratike në opozitë mban Kuvendin Kombëtar

Kuvendi Kombëtar i PD-së

Në Tiranë, Partia Demokratike e opozitës mbajti sot Kuvendin Kombëtar, pak ditë pasi rizgjodhi kryetarin e saj Lulzim Basha.

Kuvendi konfimoi orientimin euro-atlantik të partisë, pas përçarjeve, që u shkaktuan nga shpallja non grata e ish-kryeministrit Sali Berisha prej SHBA-ve për korrupsion.

Zoti Basha deklaroi se PD do t’i sigurojë një mbështetje të plotë SPAK-ut për të ndëshkuar korrupsionin e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë.

Your browser doesn’t support HTML5

Tiranë, Partia Demokratike në opozitë mban Kuvendin Kombëtar

Partia Demokratike e opozitës zhvilloi sot Kuvendin Kombëtar në valën e përpjekjeve për t’u riorganizuar pas ndarjeve të ndryshme, që ndodhën në radhët e saj me shpalljen non grata nga SHBA të ish kryeministrit Sali Berisha.

Kuvendi mbahet pak javë pas rizgjedhjes së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në drejtimin e saj.

Në rezolutën e Kuvendit theksohet se Partia Demokratike konfirmon orientimin euroatlanik të saj në aleancë me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe, dhe anëtarësimin e plotë të vendit në BE si objektiv kryesor të partisë kryesore opozitare.

Kuvendi nxiti SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë për më shumë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se opozita është në vështirësi pas veprimeve të papërgjegjshme të ish drejtuesit të saj, ndërsa ajo Shqipëria ka nevojë për t’u ndarë nga e shkuara e korruptuar dhe për të ndërtuar një të ardhme europiane.

“Ne jemi bashkë sepse besojmë tek vlerat dhe parimet, tek e vërteta dhe beteja me krimin dhe korrupsionin dhe jo tek seleksionimi për të luftuar disa e për të kursyer disa të tjerë, me të cilët bëhen pazaret e natës. Për ne lufta ndaj krimit dhe korrupsionit në politikë e kudo është pa kompromis. Përballja me të keqen nuk ka ngjyrime apo aleanca, te dukshme apo te padukshme”, tha zoti Basha.

Opozita u angazhua për dekriminalizimin dhe dekomunistizimin e politikës shqiptare. Zoti Basha tha se Shqipëria ka shumë politikanë që abuzojnë përditë me pasuritë e saj dhe dëmtojnë të ardhmen e saj, ndërsa PD ishte shndërruar nga parti e lirisë në diktatin e një individi, por duart e pista te politikës se vjeter nuk fshihen dot pas baltës ndaj PD.

Pasi fajësoi ish kryeministrin Berisha se për hallet e tij personale dëmtoi demokratët në garën e fundit zgjedhore, ai ftoi gjithë demokratët e foltores dhe qytetarët që mbështesin të djathtën.

Zoti Basha theksoi se marreveshja Berisha - Rama e vitit 2008 bëri që një grup mafioz të kapë gjithçka me oligarkinë ekonomike dhe krimin e organizuar, ndaj sot nevojitet tha ai mbështetje pa rezerva e drejtësisë për të ndëshkuar korrupsionin e politikanëve dhe zyrtarëve të nivelit të lartë.

“Aleanca mes politikës dhe krimit të organizuar e ka kthyer Shqipërinë në vëmendjen botërore si vend kyç për kartelet ndërkombëtare të narkotrafikut dhe pastrimit të parave. Nuk ka ditë që të mos vijnë lajme nga SPAK-u për zyrtarë, ministra apo ish ministra për afera korruptive qindra million dollarëshe. Ne e përshëndesim punën e deritanishme të SPAK-ut dhe e mbështesim plotësisht dhe pa ekuivok këtë organ të Reformës në Drejtësi. Korrupsioni i kësaj qeverie është pasojë e drejtpërdrejtë e përqendrimit të pushtetit në një dorë të vetme dhe mungesës së funksionimit të demokracisë”, tha zoti Basha.

Kuvendi zgjodhi Këshillin Kombëtar dhe shqyrtoi disa ndryshime në statut mbi marrëdhëniet e forumeve drejtuese të Partisë Demokratike, mes tyre bie në sy moskushtëzimi i drejtuesit kryesor për dorëheqje nëse humbet zgjedhje.

Ndërkohë ish kryeministri Sali Berisha kontrollon një pjesë të deputetëve dhe përkrahësve të opozitës në bazë, pas lëvizjes së Foltores që nisi me shpalljen e tij non grata nga SHBA dhe përjashtimin nga grupi parlamentar, e cila kulmoi me marrjen me dhunë të selisë së Partisë Demokratike.

Ndarjet, mosbesimi dhe përçarjet në radhët e kësaj partie bënë që në zgjedhjet vendore të 14 majit PD zyrtare të konkurronte me një numër minimal kandidatësh, ndërsa pjesa tjetër u përfshinë në koalicion me partinë e Lirisë.