Biden vizitë në Floridën e dëmtuar nga uragani; nuk pritet takim me guvernatorin republikan

Arkiv

Presidenti Joe Biden po viziton të shtunën Floridën për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga uragani Idalia, e garantuar mbështetje për popullatën e prekur nga stuhia. Gjatë qëndrimit të tij atje, ai nuk pritet të takohet me Guvernatorin republikan të shtetit Ron DeSantis, njëkohësisht një prej rivalëve të mundshëm të tij në garën për president.

Të premten Presidenti Biden, u tha gazetarëve se do të takohej me guvernatorin gjatë vizitës së tij, por më pas zëdhënësi i zotit DeSantis, Jeremy Redfern, tha se nuk ishte planifikuar asnjë takim mes tyre dhe se "përgatitjet lidhur me sigurinë për një takim të tillë, do të bllokonin përpjekjet në vazhdimësi, për t’u ardhur në ndihmë zonave të përmbytura”.

Dyzet e katër vjeçari DeSantis, po kandidon për të marrë emërimin zyrtar të partisë për president. Sondazhet e rendisin atë të dytin pas ish-Presidentin Donald Trump, por me një diferencë të thellë mes tyre.

Zoti Biden dhe zoti DeSantis kanë biseduar rregullisht gjatë gjithë javës lidhur me stuhinë, që goditi rajonin Big Bend të Floridës, me erëra që arritën shpejtësinë e rreth 200 kilometrave në orë.

Të mërkurën presidenti tha se gjatë bisedave të tyre ata e kishin lënë jashtë politikën. “Mendoj se ai i beson gjykimit tim dhe dëshirës time për të ndihmuar", tha Presidenti Biden.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden, i cili pritet të shoqërohet gjatë këtij udhëtimi nga bashkëshortja e tij, Jill Biden, informoi zotin DeSantis për vizitën gjatë një bisede të enjten dhe se guvernatori nuk kishte ngritur asnjë shqetësim.

“Vizita e tyre në Florida është planifikuar në koordinim të ngushtë me FEMA-n, si dhe me udhëheqësit shtetërorë dhe lokalë për të siguruar që nuk ka do të ketë ndikim në operacionet e reagimit”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Emilie Simons, duke iu referuar Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave.

Zoti DeSantis ka qenë një kritik i ashpër i zotit Biden dhe të dy janë përplasur në distancë mbi çështje si vaksinat kundër COVID-19, aborti dhe të drejtat e komunitetit LGBTQ. Ata u takuan vitin e kaluar kur zoti Biden shkoi në Florida për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga uragani Ian. Zoti Biden tha në atë kohë se ata kishin punuar ngushtë së bashku.

Ndërsa gara presidenciale brenda kampit republikan po intensifikohet zoti DeSantis mund të mos dëshirojë të fotografohet me zotin Biden duke inspektuar sëbashku dëmet e shkaktuara nga stuhia. Edhe pse në sondazhe ai rendihet i dyti pas zotit Trump, zoti DeSantis kryeson ndaj kandidatëve të tjerë republikanë në garë.