UASHINGTON – Një ish-drejtues i grupit ekstremist të djathtë Proud Boys u dënua të premten me 18 vjet burg për rolin e tij në trazirat e 6 janarit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara, duke marrë kështu sërish një dënim rekord për sulmin.
Ethan Nordean radhitet tashmë ndër pesë anëtarët e dënuar për kryesimin e sulmit ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, në përpjekje për të ndalur transferimin paqësor të pushtetit nga Donald Trump-i te Joe Biden-i pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
“Ai ishte drejtuesi i padiskutueshëm në terren më 6 janar”, tha prokurori Jason McCullough.
Presidenti i degës në Seattle ishte një nga dy anëtarët e grupit Proud Boys të dënuar të premten.
Një tjetër ish-anëtar i grupit ekstremist që theu dritaren e Kapitolit gjatë sulmit të 6 janarit 2021, u dënua të premten me 10 vite burgim. Ndërsa dilte nga salla e gjyqit, ai deklaroi “Trump-i fitoi!”.
Dënimi për Dominic Pezzolan, gjithashtu ndër dënimet më të gjata për 6 janarin, pasoi dënimet e dhëna për udhëheqësit e grupit të gjendur fajtorë për drejtimin e sulmit. I akuzuari më i rëndësishëm në procesin gjyqësor që ka zgjatur prej disa muajsh, është ish-drejtuesi kryesor i grupit, Enrique Tarrio, i cili pritet të dënohet të martën.
Zoti Pezzola, 46 vjeç, i mori mburojën një oficeri të policisë dhe e përdori për të goditur një dritare, duke mundësuar kështu hyrjen e parë me forcë në Kapitol. Më vonë ai filmoi një video festive me një puro në dorë brenda godinës, thanë prokurorët. Ai ishte sidoqoftë ndër rekrutët e rinj të grupit Proud Boys dhe juria e gjeti jo fajtor për akuzën më të rëndësishme, atë të konspiracionit për rebelim, një akuzë e rrallë e përdorur gjatë epokës së Luftës Civile. Ai u gjet fajtor për akuza të tjera të rënda, dhe prokurorët patën kërkuar 20 vite burgim.
“Ishte një ushtar i thjeshtë entuziast”, tha prokurori Erik Kenerson.
Gjykatësi Timothy Kelly vuri në dukje se zoti Pezzola, rezident i shtetit Nju Jork, ishte i ardhur rishtazi në këtë grup dhe nuk shkruajti mesazhe të dhunshme në internet, si të akuzuarit e tjerë përpara sulmit të 6 janarit. Ai shërbeu megjithatë si kryesues i sulmit që mundësoi hyrjen në Kapitol, tha gjykatësi, i cili vendosi të përfshijë në dënim edhe një klauzolë për ndihmë ndaj terrorizmit.
“Realiteti është se theve dritaren dhe i le njerëzit të vërshojnë brenda godinës së Kapitolit dhe të rrezikojnë jetët e ligjvënësve tanë”, i tha gjykatësi zotit Pezzola. “Nuk është diçka që mund ta kisha ëndërruar se do ta shihnim në vendin tonë”.
Avokatët mbrojtës kishin kërkuar pesë vite burg për zotin Pezzola, duke thënë se ishte “rrëmbyer nga çmenduria” e asaj dite.
Zoti Pezzola pati dëshmuar në gjyq se ia kishte marrë fillimisht mburojën oficerit për të mbrojtur veten, por avokatët e tij thanë se ai theu vetëm një panel xhami dhe se ishin pjesëmarrësit e tjerë që thyen pjesën tjetër të dritares.
Ai i tha gjykatësit se do të kishte dashur të mos kishte hyrë kurrë në zonën e kufizuar më 6 janar dhe i kërkoi ndjesë oficerit të policisë të cilit i pati rrëmbyer mburojën. “Nuk ka asnjë vend në të ardhmen time për grupime politike të asnjë lloji”, tha ai.
Por më vonë, ndërsa po largohej nga salla e gjyqit, ai ngriti grushtin dhe tha: “Trump-i fitoi!”.