Në fushatën presidenciale të vitit 2024, po shtohen sërish pikëpyetjet mbi kandidaturën e ish-Presidentit Donald Trump pasi ai u dorëzua tek autoritetet në Xhorxhia lidhur me akuzat për manipulim të zgjedhjeve javën e kaluar. Megjithatë, sondazhet tregojnë se zoti Trump vazhdon të ketë një epërsi të thellë ndaj rivalëve në zgjedhjet paraprake të partisë republikane.
Disa ditë pas paraqitjes në një burg në Atlanta, ish-presidenti Donald Trump vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në mbarë botën për shkak të ambicieve të tij politike.
Your browser doesn’t support HTML5
Ish Presidenti Trump aktualisht përballet me 91 akuza penale që burojnë nga katër paditë ndaj tij. Një nga kandidatët republikanë për president, ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, në një intervistë për emisionin “This Week” të kanalit ABC, sugjeroi se zoti Trump është një barrë e rëndë për partinë e tij.
“Shumica e rivalëve të mi besojnë se mund të ketë një kriminel të dënuar si kandidati të partisë republikane për president dhe se ata e mbështesin atë dhe se ai mund t’i fitojë zgjedhjet. Por, unë mendoj se kjo është e pamundur”, tha ai.
Kandidati republikan për president Vivek Ramaswamy, i cili, së bashku me ish-guvernatorin Christie, mori pjesë javën e kaluar në debatin e parë të partisë së tyre, përmendi arritjet e ish-Presidentit Trump gjatë një interviste për emisionin “Meet the Press” të kanalit NBC.
“Dua të vazhdoj më tej atë që filloi ish-Presidenti Trump. Të them të drejtën, do ta ftoj atë të bëhet këshilltar. Nuk ka nevojë të nxjerrim të njëjtat mësime. Dua të vazhdoj aty ku e la ai”, thotë ai.
Problemet ligjore të zotit Trump nuk do të jenë pjesë e strategjisë së fushatës së Presidentit Joe Biden për zgjedhjeve e vitit 2024, tha për kanalin ABC bashkëkryetari i fushatës së zotit Biden, Cedric Richmond.
“Por ajo që do të them për Presidentin Biden dhe Nënpresidenten Harris është se ata janë përqendruar gjithmonë tek populli amerikan. Kështu që ata do të vazhdojnë punën për uljen e kostove, rritjen e pagave dhe forcimin e klasës së mesme”, tha ai.
Por ndërsa mosha e Presidentit Biden vazhdon të shqetësojë votuesit demokratë, senatori i pavarur Bernie Sanders, në një intervistë në kanalin NBC, sugjeroi rikthimin e vëmendjes tek politikat që janë në rrezik.
“A besoni se gratë kanë të drejtë të kontrollojnë trupin e tyre? Presidenti ka qenë i fortë në këtë çështje. A mendoni se ndryshimi i klimës është real? Apo jeni dakord me republikanët se ky problem nuk ekziston?”, pyeti senatori Sanders.
Ndërkohë, ish Presidenti Trump, i cili i ka mohuar të gjitha akuzat, po përpiqet të përdorë hetimet kriminale për të avancuar fushatën e tij presidenciale. Pjesë e kësaj përpjekje është edhe përdorimi i fotografisë së tij të realizuar nga autoritet e burgut në Atlanta, e cila po vendoset në bluza, filxhanë dhe artikuj të tjerë për qëllime të mbledhjes së fondeve.