Industria e riciklimit të paneleve diellore merr hov në SHBA

Panelet diellore janë një nga mënyrat miqësore me mjedisin për prodhimin e energjisë - por kur ato vjetërohen, si mund të hiqen nga qarkullimi pa dëmtuar mjedisin? Një fabrikë në Arizona po gjen mënyra për të ricikluar panelet e vjetruara, që ato mos të përfundojnë nëpër vend-grumbullimet e mbeturinave.

Your browser doesn’t support HTML5

Industria e riciklimit të paneleve diellore merr hov në SHBA


Pirgje me panele diellore mbulojnë këtë oborr në Arizona.

Fabrika më e madhe e riciklimit të paneleve diellore në Amerikën e Veriut është hapur në Yuma, në një kohë kur numri i paneleve të përdorura dhe të harxhuara rritet ndjeshëm.

Fabrika mund të përpunojë 157, 000 kilogram panele në një ditë të vetme.

“Energjia diellore është një teknologji e shkëlqyer dhe tani po bëhet gjithnjë e më e pranishme për të gjithë. Por nuk kishte asnjë plan, se ç’do bëhet me panelet kur ato dalin jashtë përdorimit. Në tregjet dytësore, me pengesat në zinxhirët e furnizimit në SHBA, ne e dinim se mund të gjenim një mënyrë për t'i marrë ato si lëndë të para dhe për t'u dhënë një jetë të re", thotë drejtori ekzekutiv i kompanisë “We Recycle Solar”, Adam Saghei.

Panelet vijnë këtu nga një depo kryesore grumbullimi në Hackettstown, të Nju Xhersit, si dhe gjashtë qendra të tjera në mbarë vendin.

Panelet mund të ripërdoren, thotë zoti Saghei dhe ka një treg për to - klientë në mbarë botën që duan panele të rinovuara me një çmim më të lirë.

“Ne nuk duam që ato të hidhen si mbeturina. Kjo është gjëja e fundit që duam të bëjmë. Ka ende jetë në to. Panelet zgjasin 25 deri në 30 vjet. Në fund të fundit, plehrat e dikujt janë thesar për dikë tjetër. Ne jemi në gjendje t’i rinovojmë dhe ri-tregtojmë”, thotë ai.

Panelet që nuk mund të rinovohen dhe rishiten, kalojnë në një sistem përpunimi ku ndahet qelqi, metalet dhe materialet e tjera me vlerë.

Disa nga materialet me vlerë më të lartë janë bakri, argjendi, alumini dhe silikoni kristalor.

“Çdo produkt është nxjerr nga minierat, kërkon burime të mëdha dhe shpesh prish ekosistemet, në të gjithë botën. Pra, pse të mos e marrim atë nga produktet ekzistuese, t’i nxjerrim këto lëndë të para dhe t'i ripërdorim?” thotë zoti Saghei.

Kompania Big Bear Commercial Blasting, me seli në Yuma, ia shet xhamin e ricikluar kompanive që e përdorin atë për të pastruar me presion makineritë e rënda, nga vinçat tek automjetet.

“Ne mendojmë se është përgjegjësi ta marrim dhe ta përdorim në një formë të ricikluar për industrinë tonë. Thjesht mendojmë se është gjëja e duhur për të bërë”, thotë themeluesi i kompanisë ‘Big Bear Commercial Blasting’, Erick Speiginer.

Ka edhe një përfitim financiar - është më lirë të blesh këtë produkt të ricikluar sesa xham të ri.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve deri në vitin 2050, mbetjet nga panelet diellore mund të arrijnë në rreth 78 milionë tonë në mbarë botën.

Bashkimi Evropian është aktualisht i vetmi rajon që ka rregullore specifike për riciklimin e paneleve diellore, siç janë paneleve fotovoltaike, lloji më i përdorshëm për teknologjinë diellore.