Ish-presidenti Trump paraqitet në burgun e Xhorxhias

Fotografia e ish-presidentit Donald Trump në burgun e qarkut Fulton, hera e parë që një ish-president fotografohet si i dyshuar

Donald Trump u dorëzua të enjten në mbrëmje tek autoritetet e Xhorxhias për t’u përballur me akuzat për përpjekjet për përmbysjen e zgjedhjeve të vitit 2020 në atë shtet, një proces që zgjati vetëm 20 minuta dhe që përfshiu një element historik: fotografimin për herë të parë nga policia të një ish-presidenti amerikan si i dyshuar.

Ish-presidenti u la i lirë kundrejt një garancie prej 200,000 dollarësh dhe u kthye në aeroport për t'u rikthyer në Nju Xhersi, ku ai ka një nga rezidencat e tij.

Përpara se të hipte në avionin e tij privat në aeroportin Hartsfield-Jackson të Atlantës pas procedurës së dorëzimit, ish-presidenti Trump përsëriti pretendimin e tij se prokuroria në Xhorxhia - ashtu si prokurorët në paditë e tjera me të cilat ai përballet - është e motivuar politikisht.

"Ajo që po ndodh këtu është një farsë e sistemit të drejtësisë," u tha ai gazetarëve. "Nuk kam bërë asgjë të gabuar dhe të gjithë e dinë këtë."

Dorëzimi i ish-presidentit Trump tek autoritetet e zbatimit të ligjit është bërë tashmë një pamje e zakonshme. Është hera e katërt që ndaj tij ngrihet një aktpadi, diçka e pashembullt për një ish-president, aq më tepër gjatë një sezoni zgjedhor ku ai po kandidon për t'u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.

Por paraqitja e tij në Atlanta ishte e ndryshme nga tre procedurat e kaluara. Ai u dorëzua në mbrëmje në një burg famëkeq – por pa u paraqitur në gjykatë. Në rastet tjera, ai nuk ka qenë i detyruar të fotografohet si i akuzuar, por zyrtarët e qarkut të Fultonit kishin thënë se do të vepronin në përputhje me procedurat, që përfshijnë fotografimin e tij si të çdo të akuzuari tjetër.

“Ne do të veprojmë sipas praktikave tona të zakonshme, dhe pavarësisht statusit, do të përgatisim fotografimin,” kishte deklaruar sherifi i Qarkut të Fulton, Patrick Labat.

Dorëzimi gjithashtu nuk u bë në një bastion liberal si Nju Jorku apo Uashingtoni, por në zemër të një shteti që pritet të jetë një fushëbetejë vendimtare për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Dorëzimi i zotit Trump erdhi një ditë pas debatit presidencial ndërmjet rivalëve të tij kryesorë në kampin republikan, garë kjo në të cilën ai vazhdon të kryesojë me gjithë problemet e shumta ligjore. Paraqitja e tij në Xhorxhia, edhe pse zgjati vetëm disa minuta, largon të paktën përkohësisht vëmendjen nga kundërshtarët e tij, të cilët gjatë debatit të së mërkurës në mbrëmje munduan të shfrytëzojnë mungesën e zotit Trump për të përmirësuar shanset e tyre në garën presidenciale.

Aktpadia e ngritur nga prokuroria e qarkut të Fultonit në Xhorxhia, është çështja e katërt penale kundër zotit Trump që nga muaji mars, kur u bë ish presidenti i parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që përballej me aktpadi. Ai po përballet me akuza federale në Florida dhe Uashington.

Këtë muaj, ndaj zotit Trump dhe 18 bashkëpunëtorëve të tij – përfshirë ish-shefin e kabinetit, Mark Meadows, dhe ish- kryebashkiakun e Nju Jorkut Rudy Giuliani – u ngritën aktakuza në bazë të një ligji anti-mafia, të përdorur në të kaluarën për të luftuar bandat kriminale dhe ato të krimit të organizuar. Zoti Giuliani, avokat dhe këshilltar i afërt i zotit Trump - u dorëzua të mërkurën dhe u fotografua si i dyshuar.

Zoti Trump i ka shndërruar paraqitjet e tij para gjykatave në pjesë të fushatës së tij elektorale, e cila ka pasur shumë më pak aktivitete se ajo e rivalëve të tij. Lëvizjet e tij po mbulohen gjerësisht nga mediat, përfshirë me helikopterë të kompanive të medias, që përcjellin çdo veprim të tij.

Këshilltarët që menaxhojnë fushatën e zotit Trump kanë shfrytëzuar paraqitjet e tij për të mbledhur kontribute financiare nga përkrahësit e tij, duke përshkruar akuzat si pjesë të një përpjekje të motivuar politikisht për të dëmtuar gjasat e tij për t’u rizgjedhur president.

Prokurorja e Qarkut Fani Willis u ka dhënë të gjithë të akuzuarve afat deri të premten pasdite që të dorëzohen në burgun kryesor të qarkut Fulton.

Zoti Trump vazhdimisht ka hedhur poshtë akuzat. Në një postim në rrjete sociale gjatë kësaj jave, ai tha se po ndiqej penalisht për atë që e përshkroi si “një telefonatë të përsosur”, përmes të cilës i kërkoi sekretarit republikan të shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger, ta ndihmojë për “të siguruar 11,780 vota”, që të përmbysë humbjen e tij në këtë shtet ndaj kandidatit demokrat, presidentit të tanishëm, Joe Biden.

Burgi i qarkut Fulton ku u dorëzua zoti Trump është një institucion famëkeq. Në korrik, Departamenti amerikan i Drejtësisë hapi një hetim për kushtet në atë burg, duke vënë në dukje qelitë e papastra, dhunën brenda burgut dhe vdekjen e një të burgosuri vitin e kaluar, kufoma e të cilit ishte gjetur e mbuluar nga insektet në pjesën psikiatrike të burgut. Tre të burgosur në qarkun e Fultonit kanë vdekur gjatë muajit të fundit.

Ndryshe nga juridiksionet e tjera, në qarkun e Fultonit, leximi i aktpadisë, kur i akuzuari paraqitet në gjykatë për herë të parë, zakonisht bëhet pasi i akuzuari dorëzohet në burg dhe realizon procesin e paraqitjes, jo në të njëjtën ditë.

Kjo do të thotë se zoti Trump do të udhëtojë në Xhorxhia sërish gjatë javëve në vijim, edhe pse nga zyra e sherifit në Fulton deklaroi se në disa raste leximi i aktpadive mund të bëhet edhe virtualisht, nëse një gjë e tillë lejohet nga gjykatësi i çështjes.

Kur zoti Trump të dalë para gjyqit, shumica e seancave gjyqësore do të jenë të hapura për publikun. Gjykatat në shtetin e Xhorxhias lejojnë fotografimin dhe xhirimin e seancave, ndryshe nga gjykata federale dhe gjykata e Nju Jorkut, ku qasja e mediave është tejet e kontrolluar.

Fotografët në Manhatan të Nju Jorkut janë lejuar që për një kohë të shkurtër të fotografojnë zotin Trump ndërsa rrinte i ulur në bankën e dëshmitarëve. Gjykatat federale ndalojnë fotografimin, xhirimin apo incizimin.