Operatori i termocentralit bërthamor Fukushima Daiichi, i shkatërruar nga cunami, tha se ka filluar lëshimin e sasisë së parë të ujit të trajtuar radioaktiv në Oqeanin Paqësor.
Në një transmetim të drejtpërdrejtë nga një dhomë kontrolli, operatori i kompanisë elektrike të Tokios (TEPCO), shfaqi një pjesëtar të personelit duke ndezur një pompë uji, që shënoi edhe fillimin e projektit kontrovers që pritet të zgjasë me dekada.
Grupet japoneze të peshkatarëve e kanë kundërshtuar planin të shqetësuar për dëmtimin e mëtejmë të namit të prodhimeve të tyre të detit. Grupet në Kinë dhe Korenë e Jugut gjithashtu kanë ngritur shqetësime, duke e shndërruar atë në një çështje politike dhe diplomatike.
Por autoritetet japoneze thonë se uji duhet të shkarkohet për të krijuar hapësirë për çaktivizimin e centralit dhe për të parandaluar rrjedhjet aksidentale. Ata thonë se trajtimi dhe hollimi do t'i bëjnë ujërat e zeza më të sigurta sesa standardet ndërkombëtare dhe ndikimi i tyre mjedisor do të jetë i papërfillshëm. Por disa shkencëtarë thonë se ndikimi afatgjatë i radioaktivitetit me dozë të ulët që mbetet në ujë, kërkon vëmendje.
Shkarkimi i ujit filloi më shumë se 12 vjet pas tërmetit masiv dhe cunamit të marsit të vitit 2011 që dëmtoi centralin. Shkarkimi shënon një moment historik për betejën e centralit me një rezervë uji radioaktiv gjithnjë në rritje që operatori elektrik i Tokios TEPCO dhe qeveria thonë se ka penguar detyrën e frikshme të heqjes së mbeturinave të shkrira toksike vdekjeprurëse nga reaktorët.
Pompa e aktivizuar të enjten pasdite do të dërgojë sasinë e parë të ujit të holluar dhe të trajtuar nga një pishinë përzierjeje në një pishinë dytësore, prej nga uji më pas shkarkohet në oqean përmes një tuneli nënujor. Uji mblidhet dhe riciklohet pjesërisht si ujë ftohës pas trajtimit, ndërsa pjesa tjetër ruhet në rreth 1000 rezervuarë, të cilët tashmë janë mbushur në 98 për qind të kapacitetit të tyre prej 1.37 milionë tonësh.
Ata rezervuarë, që mbulojnë pjesën më të madhe të kompleksit të centralit, duhet të lirohen për të ndërtuar objektet e reja të nevojshme për procesin e çmontimit, thanë zyrtarët.
Kryeministri Fumio Kishida tha se kjo është e domosdoshme dhe nuk mund të shtyhet. Ai vuri në dukje se një heqje eksperimentale e një sasie të vogël të mbeturinave të shkrira nga reaktori numër 2 është caktuar për më vonë këtë vit duke përdorur një krah robotik gjigant të telekomanduar.
Drejtorit Ekzekutiv i TEPCO-s Junichi Matsumoto, tha se shkarkimi i së enjtes do të fillojë me ujin më pak radioaktiv për të garantuar sigurinë.
Por, zyrtarë të sektorëve të peshkimit, turizmit dhe ekonomisë së Fukushimës, të cilat janë ende duke u ripërtërirë nga katastrofa, shqetësohen se shkarkimi i ujit mund të jetë fillimi i sfidave të reja.
Në përgjigje, autoritetet doganore kineze ndaluan importin e ushqimeve të detit nga Japonia.
Në një deklaratë të enjten, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Mariano Grossi, tha se ekspertët e agjencisë “janë në terren për të shërbyer si sytë e komunitetit ndërkombëtar dhe për të siguruar që shkarkimi të kryhet siç është planifikuar në përputhje me standardet e sigurisë” së agjencisë.