Udhëheqësi mercenar Yevgeny Prigozhin, i cili drejtoi një kryengritje të shkurtër të armatosur kundër ushtrisë ruse më herët gjatë këtij viti, besohet të ketë vdekur të mërkurën kur një avioni me të cilin po udhëtonin 10 veta, u rrëzua në veri të Moskës.
Yevgeny Prigozhin ishte në avion, sipas agjencisë së aviacionit civil të Rusisë. Rrëzimi ngjalli menjëherë dyshime pasi fati i themeluesit të kompanisë ushtarake private Wagner ka qenë objekt spekulimesh që kur ai nxiti kryengritjen.
Në atë kohë, presidenti rus Vladimir Putin e denoncoi kryengritjen si "tradhti" dhe "thikë pas shpine" dhe u zotua se do të hakmerrej. Por akuzat kundër Prigozhinit u hoqën shpejt. Shefi i Wagner-it, trupat e të cilit ishin disa nga forcat më të mira të Rusisë në Ukrainë, u lejua të tërhiqej në Bjellorusi, ndërsa thuhet se shfaqej herë pas here në Rusi.
Lexoni edhe këtë Presidenti Putin i quan "tradhti” veprimet e grupit Wagner brenda RusisëRrëzimi i avionit pasoi raportimet e medieve ruse se një gjeneral i lartë i lidhur me Prigozhinin, u shkarkua nga posti i tij si komandant i forcave ajrore.
Sipas zyrtarëve të cituar nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass, avioni me tre pjesëtarë të ekuipazhit dhe shtatë udhëtarë që po fluturonte nga Moska për në Shën Petersburg, u rrëzua pothuajse 300 kilometra në veri të kryeqytetit.
Agjencia e aviacionit civil të Rusisë, Rosaviatsia, raportoi shpejt se ai ishte në listën e udhëtarëve dhe më vonë tha se, sipas linjës ajrore, ai ishte me të vërtetë në avion.
Më herët, Vladimir Rogov, një zyrtar i emëruar nga Rusia në rajonin pjesërisht të pushtuar të Zaporizhias në Ukrainë, tha se foli me komandantët e Wagnerit, të cilët konfirmuan gjithashtu se Prigozhini ishte në avion si dhe Dmitry Utkin, nofka e të cilit, Wagner, u bë emri i kompanisë.
“Nuk e di me të vërtetë se çfarë ndodhi, por nuk jam i befasuar”, tha presidenti i amerikan Joe Biden.
Keir Giles, një ekspert për Rusinë në grupin për çështjet ndërkombëtare Chatham House, bëri thirrje për kujdes në lidhje me raportet për vdekjen e Prigozhinit. Ai tha se "shumë individë kanë ndryshuar emrat e tyre në Yevgeniy Prigozhin, si pjesë e përpjekjeve të tij për të fshehur udhëtimet e tij".
Të dhënat e gjurmimit të fluturimeve të shqyrtuara nga agjencia e lajmeve Associated Press treguan se një avion privat që Prigozhini e kishte përdorur më parë, u ngrit nga Moska të mërkurën në mbrëmje dhe sinjali i tij u zhduk nga radarët disa minuta më vonë.
Sinjali u zhduk papritur ndërsa avioni ishte në lartësi dhe fluturonte me shpejtësi. Në një pamje të postuar nga një llogari në mediat sociale pro grupit Wagner që tregonte mbetjet e djegura, mund të shihet një numër i pjesshëm i bishtit që përputhet me një avion të përdorur më parë nga Prigozhini.
Videot e shpërndara nga kanali pro Wagner ‘Gray Zone’ në rrjetin Telegram, treguan një avion që binte si gur nga një re e madhe tymi, duke u përdredhur në mënyrë të egër ndërsa rrëzohej. Rënie të tilla mund të ndodhin kur një avion pëson dëmtime të rënda dhe një analizë e dy videove kuadër për kuadër nga Associated Press tregojnë përputhje me një lloj shpërthimi në mes të fluturimit. Pamjet dukej se tregonin që avionit i mungonte një krah.
Komiteti Hetues i Rusisë hapi një hetim mbi rrëzimin nën dyshimet për shkelje të rregullave të sigurisë ajrore. Agjencia Interfax, duke cituar zyrtarë të urgjencës, raportoi të enjten herët se të 10 trupat u gjetën në vendin e rrëzimit dhe operacioni i kërkimit kishte përfunduar.
Edhe nëse konfirmohet, vdekja e Prigozhinit nuk ka gjasa të ketë ndikim në luftën e Rusisë në Ukrainë, ku forcat e tij zhvilluan disa nga betejat më të ashpra gjatë 18 muajve të fundit.
Trupat e tij u tërhoqën nga linja e parë pasi pushtuan Bakhmutin, një qytet në rajonin lindor të Donetskut, në fund të muajit maj. Bakhmuti kishte qenë qendër e betejave ndoshta më të përgjakshme në gjithë luftën, me forcat ruse që u orvatën ta pushtonin atë për muaj të tërë.
Pas kryengritjes, zyrtarët rusë thanë se luftëtarët e tij do të mund të ktheheshin në Ukrainë vetëm si pjesë e ushtrisë së rregullt.
Këtë javë, Prigozhini postoi videon e tij të parë që nga kryengritja, duke thënë se Wagneri po kryen veprimtari zbulimi dhe kërkimi “duke e bërë Rusinë edhe më të madhe në të gjitha kontinentet dhe Afrikën edhe më të lirë”.
Lexoni edhe këtë Udhëheqësi i grupit Wagner publikon videon e parë pas rebelimit kundër autoriteteve ruseGjithashtu këtë javë, media ruse raportoi, duke cituar burime të paidentifikuara se gjenerali Sergei Surovikin u shkarkua nga posti i komandantit të forcave ajrore ruse. Gjenerali Surovikin, i cili në një periudhë drejtoi operacionin e Rusisë në Ukrainë, nuk është parë në publik që nga kryengritja, kur ai regjistroi një video duke u kërkuar forcave të Prigozhinit të tërhiqen.
Ndërsa lajmi për rrëzimin po shpërndahej, presidenti rus Putin foli në një ngjarje për të përkujtuar Betejën e Kurskut të Luftës së Dytë Botërore, duke përshëndetur heronjtë e luftës së Rusisë në Ukrainë.
Tatiana Stanovaya, një bashkëpunëtore e lartë në Qendrën për Euro-azinë dhe Rusinë në institutit Carnegie, shkroi në Telegram se "pavarësisht se çfarë e shkaktoi rrëzimin e avionit, të gjithë do ta shohin atë si një akt hakmarrjeje” nga Kremlini.
"Nga këndvështrimi i Putinit, si dhe forcave të sigurisë dhe ushtria - vdekja e Prigozhinit duhet të jetë një mësim për çdo ndjekës të mundshëm", tha zonja Stanovaya në një postim në Telegram. Sipas saj, pas kryengritjes Prigozhini "pushoi së qeni partner i autoriteteve dhe nuk mundej në asnjë rrethanë ta rivendoste atë status".
Duke nënvizuar se “atij nuk i është falur kurrë” që nxiti kryengritjen, ajo tha se nuk pret pakënaqësi publike për vdekjen e Prigozhinit. Zonja Stanovaya tha se ata që e mbështetën atë do të jenë "më shumë të frikësuar sesa të frymëzuar për të protestuar", ndërsa të tjerët do ta shohin atë si një "përfundim të merituar".