Ambasadorja e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Floreta Faber, e filloi detyrën e saj në Uashington më shumë se 8 vjet më parë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës në përfundim të detyrës së saj, ajo thotë se pavarërisht nëse administrata në Uashington ka qenë demokrate apo republikane, bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë. Ajo ka përfaqësuar Shqipërinë ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara kanë qenë tre administrata, ajo e demokratëve Barack Obama dhe aktualisht e Presidentit Joe Biden dhe republikanit Donald Trump. Ambasadorja Faber thotë se gjatë kohës që ka shërbyer si ambasadore është përpjekur ta çojë përpara këtë bashkëpunim dhe të krijojë lidhje mes dy popujve. Ambasadorja Faber ka luajtur një rol me peshë në organizimin e vizitave të nivelit të lartë nga Shqipëria, forcimin e lidhjeve me Shtetet e Bashkuara në fusha të ndryshme, si dhe në marrëdhëniet e vazhdueshme me diasporën e Shqipërisë.
Zëri i Amerikës: Zonja ambasadore, ju keni shërbyer për qeverinë e Shqipërisë përgjatë tre administratave, gjë që nuk është shumë e zakonshme këtu në Shtetet e Bashkuara. Cilat janë disa nga arritjet gjatë kësaj periudhe të punës suaj?
Amb. Floreta Faber: Faleminderit për ftesën. Kam shoqëruar, siç e përmendët dhe ju, shumë delegacione, mbi 75 delegacione nga Shqipëria gjatë gjithë këtyre viteve dhe drejtuesit e delegacioneve në përgjithësi gjithmonë kanë ardhur tek Zëri i Amerikës. Jam shumë e kënaqur që këtë herë ishte radha ime, është intervista e parë dhe e fundit në detyrë me Zërin e Amerikës, dhe në fakt, funksioni i fundit zyrtar që kam në këtë detyrë.
Këto kanë qenë 8 vite të gjata, shumë interesante, një punë shumë e gjatë dhe me të gjitha palët në mënyrë që të punonim për thellimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë pata fatin që fillova detyrën sapo u nënshkrua dokumenti i Partneritetit Strategjik me SHBA-në dhe pata mundësi që ta çoj derisa bëmë dhe Dialogun e parë Strategjik. Këtë vit shpresojmë që dialogu i dytë të zhvillohet në Shqipëri. Pra ka qenë një kohë në dukje e gjatë, por është një eksperiencë që shumë vende e ndjekin, sidomos vendet e vogla, e kam vënë re në Uashington, që ambasadorët i lënë për një kohë të gjatë. Ne vijmë nga vende që kanë një nivel të caktuar të zhvillimit ekonomik, një nivel të caktuar përfaqësimi dhe ne vendosim një fokus shumë të madh, qeveria shqiptare vendos një fokus shumë të madh në ambasadën këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por është një sfidë jo e vogël për të kryer këtë detyrë.
Unë jam e kënaqur që pata mundësinë dhe kënaqësinë të punoj me tre administrata, kjo sepse, kishte në një farë mënyrë veçantinë e vet. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë 8 vite të ndryshimeve të mëdha, sidomos në fushën e politikës së jashtme.
Me ardhjen e presidentit Trump shumë gjëra ndryshuan dhe patjetër ambasada ndjek nga afër të gjitha zhvillimet politike të brendshme, të jashtme, bën analizat e veta dhe përshtasim të gjithë punën tonë në lidhje me këto ndryshime.
Fati i madh është që me Shqipërinë dhe me rajonin, politika amerikane nuk ka ndryshuar asnjëherë pavarësisht nëse politikën amerikane e kanë drejtuar demokratët apo republikanët, dhe kjo është një pjesë që e ka ndihmuar shumë punën time, punën e ambasadës.
Unë këtu kam përfaqësuar shtetin shqiptar, qeverinë shqiptare dhe mendoj që gjatë këtyre viteve kemi punuar shumë për forcimin e marrëdhënieve në disa fusha.
Ka qenë një punë shumë e madhe mbështetja që na kanë dhënë Shtetet e Bashkuara për reformën në drejtësi dhe për një numër reformash në Shqipëri. Por kemi punuar shumë këto vite, kur Shqipëria ka dhënë një kontribut të çmuar në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ka qenë një punë shumë e afërt, konsultuese përpara se Shqipëria në vitin 2020 të merrte drejtimin e OSBE-së.
Po ashtu kemi punuar shumë ngushtë përpara se Shqipëria të merrte vendin e saj në Këshillin e Sigurimit. Ka qenë një bashkëpunim i ngushtë në disa aspekte dhe jam shumë e kënaqur që mund të them që ky partneritet është zhvilluar shumë gjatë kësaj periudhe.
Ajo që jemi munduar të bëjmë është që ambasada këtu në Uashington, jo thjesht të jetë ndërmjetëse e ngjarjeve, por të jetë edhe interlekutore, dhe besoj se kjo është një nga arritjet tona më të mira.
Zëri i Amerikës: Gjithashtu ju keni patur një komunikim të vazhdueshëm edhe me Kongresin, duke e zgjeruar edhe në Kongres interesin për çështjet e Shqipërisë...
Amb. Floreta Faber: Në fakt kjo është edhe do thoja një nga realizimet më të mira që ne kemi patur drejpërdrejt gjatë këtyre viteve të punës në Uashington.
Për herë të parë në Senatin amerikan në vitin 2016 kemi ngritur një kaukus të çështjeve shqiptare dhe mund të përmend që në Senat ka më pak se sa 10 vende që kanë një kaukus (grup interesi me anëtarë të Kongresit dhe/ ose senatorë për mbështjetjen e marrëdhënieve me një vend të caktuar) të fokusuar për çështjet e një vendi të caktuar.
Kurse në Kongresin amerikan kam punuar që në fillimet e mia shumë ngushtë me kongresmenin Eliot Engel dhe me grupin shqiptar në Kongres. Por në momentin e largimit të tij ne menduam që të punojmë shumë ngushtë për zgjerimin e këtij grupi dhe patjetër kjo është një punë që duhet t’i shërbejë në vazhdimësi marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, dhe menduan të punojmë shumë afër sidomos me diasporën shqiptare për zgjerimin e këtij grupi.
Kur kongresmeni Engel u largua kishim tre anëtarë dhe tashmë jam e kënaqur që kemi 24 dhe jam e bindur që do shtohet numri i anëtarëve të Kongresit të cilët punojnë drejpërdrejt me çështjet shqiptare, me gjithë shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në rajon dhe janë të njohur me zhvillimet në Shqipëri, bëjnë takime të herëpashershme me gjithë delegacionet që vijnë në Uashington.
Zëri i Amerikës: Përveç aktiviteteve të shumta, që ju keni bërë dhe me diasporën në Shtete e Bashkuara, ju morët një falenderim të veçantë edhe nga kryebashkiakja e Uashingtonit, Muriel Bowser, për lidhjet mes dy vendeve. Sa e rëndësishme ishte për ju lidhja mes popujve?
Amb. Floreta Faber: Ka qenë shumë e rëndësishme dhe ne kemi punuar në mënyrë të veçantë dhe në këtë drejtim. Isha shumë e kënaqur që mora atë letër, deri diku jo edhe e çuditur, sepse e kam dëgjuar gjatë këtyre viteve shpesh në Uashington, që jemi përgëzuar për atë çfarë bën ambasada, për ta vënë ambasadën e Shqipërisë në hartën e ngjarjeve që ndodhin në Uashington. Dhe kjo letër, shprehte pikërisht atë lloj bashkëpunimi. E kemi hapur ambasadën gjatë gjithë këtyre viteve dhe mbi 25,000 vizitorë uashingtonas e kanë vizituar ambasadën si pjesë e programeve në DC.
Unë, komuniteti, kemi marrë pjesë personalisht në disa qendra, ku kemi bërë punë vullnetare – në qendrën “Nënë Tereza”, në qendra të tjera, që janë në ndihmë të personave me të ardhura të ulëta. Besoj që ky falënderim ishte shumë i kënaqshëm në këtë moment të caktuar, dhe shprehte edhe një pjesë të mirë të asaj pune që kemi bërë në Uashington.
Gjatë këtyre ditëve, kam pasur shumë aktivitete dhe miq që e kanë rrethuar ambasadën gjatë gjithë këtyre viteve. Jam e bindur që ky bashkëpunim do të vazhdojë. Por, neve përfaqësojmë Shqipërinë, si përfaqësues të vendit tonë, puna jonë është shumëdimensionale. Neve mundohemi që të bëjmë një përfaqësim sa më dinjitoz.