HRW: Rojat kufitare të Arabisë Saudite vranë qindra etiopianë në kufirin me Jemenin

Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch tha në një raport të publikuar të hënën se rojat kufitare të Arabisë Saudite kanë qëlluar me mitraloz dhe me mortaja ndaj etiopianëve që përpiqeshin të kalonin nga Jemeni në territorin e mbretërisë, duke vrarë me gjasë qindra imigrantë të paarmatosur në vitet e fundit.

Grupi i të drejtave citoi raporte të dëshmitarëve okularë të sulmeve nga forcat saudite dhe pamje që tregonin trupa të vdekur dhe vende varrimi në rrugët e imigrantëve, duke thënë se numri i të vdekurve mund të jetë "ndoshta me mijëra".

Kombet e Bashkuara kanë ngritur çështjen me Arabinë Saudite në lidhje me trupat e saj që hapin zjarr ndaj imigrantëve në një model të përshkallëzuar sulmesh përgjatë kufirit të saj jugor me Jemenin e shkatërruar nga lufta. Zyrtarët sauditë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment nga agjencia e lajmeve Associated Press, por më parë kanë mohuar që trupat arabe të kenë vrarë imigrantë. Kryengritësit Houthi të Jemenit, të cilët dyshohet se fitojnë dhjetëra mijëra dollarë në javë duke trafikuar imigrantë përmes kufirit, gjithashtu nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Rreth 750,000 etiopianë jetojnë në Arabinë Saudite, me rreth 450,000 që ka të ngjarë të kenë hyrë në mbretëri në rrugë të paligjshme, sipas statistikave të vitit 2022 të Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM). Lufta qytetare dyvjeçare në rajonin verior Tigray të Etiopisë çoi në zhvendosjen e dhjetëra mijëra njerëzve.

Arabia Saudite, e cila përballet me papunësinë e të rinjve, ka kthyer prapa mijëra veta në Etiopi në bashkëpunim me Adis Abebën.

Human Rights Watch tha se foli me 38 imigrantë etiopianë dhe katër të afërm të atyre që u përpoqën të kalonin kufirin midis marsit të vitit 2022 dhe qershorit të vitit 2023, të cilët thanë se kishin parë rojat saudite të qëllonin mbi imigrantët ose të hidhnin mjete shpërthyese mbi grupet e të ikurve.

Në raport thuhet se grupi gjithashtu analizoi mbi 350 video dhe fotografi të postuara në mediat sociale ose të mbledhura nga burime të tjera të filmuara midis 12 majit të vitit 2021 dhe 18 korrikut 2023. Ai gjithashtu ekzaminoi pamje satelitore të një hapësire prej qindra kilometrash katrorë të regjistruara midis shkurtit të vitit 2022 dhe korrikut të vitit 2023.

“Këto tregojnë imigrantët e vdekur dhe të plagosur në shtigje, në kampe dhe në objekte mjekësore, rritjen e madhësive të vendeve të varrimit pranë kampeve të imigrantëve, zgjerimin e infrastrukturës së sigurisë kufitare të Arabisë Saudite dhe rrugët që përdoren aktualisht nga imigrantët për të provuar kalimin e kufirit”, thuhet në raport.

Një pamje satelitore e 27 prillit nga “Planet Labs PBC” e analizuar nga agjencia Associated Press, tregoi të njëjtat struktura tendash të identifikuara nga grupi i të drejtave të njeriut pranë al-Raqw në Jemen, në kufirin saudit. Dy ngrehina penguese mund të shiheshin pikërisht në atë zonë përtej kufirit në Arabinë Saudite.

Vendi që Human Rights Watch e identifikon si kampi i emigrantëve në Al-Thabit mund të shihet gjithashtu në pamjet satelitore, gjë që vërteton pohimet e grupit se kampi kryesisht ishte çmontuar në fillim të muajit prill.

Të dyja zonat janë në Jemenin veriperëndimor, bastion i kryengritësve Houthi. Kombet e Bashkuara kanë thënë se zyra e imigracionit e kontrolluar nga Houthit "bashkëpunon me trafikantët për të drejtuar sistematikisht imigrantët" në Arabinë Saudite, gjë që u siguron atyre 50,000 dollarë në javë.

Kryengritësit Huthit kontrollojnë kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, që nga shtatori i vitit 2014. Një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite ka luftuar me kryengritësit Houthi që nga marsi i vitit 2015.

Emigrantët nga Etiopia e kanë gjetur veten të arrestuar, abuzuar dhe madje të vrarë në Arabinë Saudite dhe Jemen gjatë luftës. Por, në muajt e fundit ka pasur shqetësim në rritje nga trupi i OKB-së për të drejtat e njeriut se forcat saudite po sulmojnë imigrantët që vijnë nga Jemeni.

Një letër e 3 tetorit 2022, drejtuar mbretërisë saudite nga OKB-ja, thoshte se hetuesit e saj "morën pretendimet shqetësuese për të bombardime artilerie ndërkufitare dhe të shtëna me armë të vogla nga forcat saudite të sigurisë që shkaktuan vdekjen e deri në 430 vetave dhe plagosjen e 650 imigrantëve".

“Nëse imigrantët kapen, ata shpesh raportohet se i nënshtrohen torturës duke u rreshtuar dhe qëlluar në këmbë për të parë se sa larg do të shkojë plumbi ose pyeten nëse preferojnë të qëllohen në dorë apo në këmbë”, thuhet në letrën e OKB-së. "Të mbijetuarit e sulmeve të tilla raportuan se duhej të ‘shtireshin si të vdekur’ për një periudhë kohore në mënyrë që të shpëtonin".

Në një letër të dërguar nga misioni i Arabisë Saudite në OKB në Gjenevë në muajin mars thuhej se ajo "kundërshton kategorikisht" pretendimet se mbretëria kryen ndonjë vrasje "sistematike" në kufi. Megjithatë, ajo tha gjithashtu se OKB-ja dha "informacion të kufizuar" kështu që nuk mund të "konfirmonte ose mbështeste pretendimet".