Nëna e gazetarit amerikan të arrestuar kërkon sjelljen e tij në atdhe 

FILE - Marc and Debra Tice, the parents of Austin Tice, who is missing in Syria, speak during a press conference, at the Press Club, in Beirut, Lebanon, Dec. 4, 2018.

Ka kaluar një dekadë, që kur Austin Tice është zhdukur në Siri. Ai është njëri nga dy gazetarët amerikanë, që mbahen nën arrest jashtë vendit. Debra Tice, nëna e gazetarit Austin, i ka bërë thirrje Presidentit Biden të shtojë përpjekjet për ta kthyer djalin e saj në shtëpi.

“Zoti President, veprimet flasin më shumë se fjalët. Më tregoni mua – tregojini Austinit – se Austini ka peshë për ju dhe për atdheun e tij. Se ia vlen ta sillni në shtëpi.”

Fjalë të fuqishme nga zonja Debra Tice. Nëna e gazetarit të pavarur Austin Tice i ka bërë thirrje qeverisë ameriakne për të kthyer në atdhe djalin e saj, 11 vjet pas zhdukjes së tij në Siri.

Ish-kapiten në radhët e marinsave amerikanë, Tice është njëri nga dy gazetarët që mbahen nën arrest jashtë vendit.

Evan Gershkovich është gazetari tjetër amerikan, që po mbahet i burgosur në Rusi, që nga fundi i marsit.

Roli që qeveria amerikane mund dhe duhet ta luaj për të kthyer në shtëpi amerikanët e arrestuar në mënyrë të jashtëligjshme, u diskutua në Klubin Kombëtar të Shtypit në Uashington.

Zonja Tice thotë se familja e saj është përballur me sfida të shumta përgjatë mandateve të tre presidentëve.

“Gjatë këtyre 11 viteve kemi punuar me njerpëz të shumtë që ndryshojnë me ndryshimin e administratave. Sa më shumë kohë që kalon rreth kësaj çështje, aq më e vështirë bëhet”.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, i tha “Zërit të Amerikës” se SHBA-të “në mënyrë aktive po punojnë për të kthyer zotin Tice pranë familjes së tij.”

Por, pak informata janë bërë të ditura, që kur zoti Tice u arrestur në një postbllok sirian.

Tani kur gazetarët janë në shënjestër të qeverive armiqësore, mbështetësit e mediave thonë se Shtetet en Bashkuara duhet të ndërmarrin masa më të forta parandaluese.

“Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera duhet të gjejnë mënyra për ta ndëshkuar këtë sjellje. Duhet të vendosin sanksione më të ashpëra për të dekurajuar pengmarrjen në radhë të parë,” thotë zoti Clayton Weimers.

Solidariteti po ashtu luan rol të rëndësishëm, thotë zoti Paul Beckett nga gazeta “Wall Street Journal,” koleg i gazetarit Gershkovich, që po mbahet në një burg në Moskë.

“E keni parë se si gazetat amerikane “The Washington Post, apo “Wall Street Journal” dhe “New York Times”, me nismën e botuesve dhe redaktorëve, u bashkuan dhe botuan në të njejtën ditë, një faqe të plotë të gazetës, thirrjen për lirimin e Evanit. Mendoj se ka vetëdijësim se një gjë e tillë mund t’i ndodhë secilit,” thotë ai.

Ndërkohë që mbështetësit e kësaj kauze vazhdojnë përpjekjet për t’i liruar gazetarët, zonja Debra Tice uron që një ditë së shpejti, të ribashkohet me djalin e saj.

“Imagjinoj takimin me të në aeroport, se si do të më marrë në krahë! Dhe pastaj do të flasim se sa shumë më ka munguar,” thotë ajo.

Deri në atë moment, ajo thotë se komuniteti i gazetarëve është strehë përkrahjeje për të.