Presidenti Biden do të vizitojë zonat e tragjedisë në Havai

U.S. President Joe Biden boards Marine One on the South Lawn of the White House in Washington, D.C., Aug. 15, 2023.

Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden do të vizitojnë Maui-n të hënën e ardhshme për të parë nga afër shkatërrimet nga zjarret e javës së kaluar në Havai, që shkaktuan 106 viktima, njoftoi Shtëpia e Bardhë të mërkurën.

Presidenti ka në plan të takohet me të mbijetuarit e zjarreve më shkatërruese në Shtetet e Bashkuara në më shumë se 100 vjet, tha Shtëpia e Bardhë. Zoti Biden do të takohet edhe me ekipet e shpëtimit, zyrtarë federalë, shtetërorë dhe lokalë.

“Dua të shkoj dhe të sigurohem që ata do marrin ndihmën që u nevojitet”, tha Presidenti Biden të martën, dhe sigurisht pa penguar përpjekjet për gjetjen trupave të më shumë viktimave.

Autoritetet nuk kanë mundur të identifikojnë shumë nga trupat e gjetura si rezultat i dëmtimeve të rënda nga zjarri. Në raste të rralla janë gjetur shenjat e gishtërinjëve. Rreth 41 banorë kanë ofruar mostra të ADN-së në rast se zbulohen trupat e të afërmve.

Zjarret, të cilat në një moment u përhapën me një shpejtësi prej një kilometër në minutë, shkatërruan qytetin e Lahaina, një destinacion popullor turizmi buzë detit.

Një morg i lëvizshëm mbërriti të martën për të ndihmuar zyrtarët e Havait që punojnë për të identifikuar trupat, ndërsa qyteti publikoi emrat e parë të njerëzve që humbën jetën nga zjarri që dogji qytetin historik Lahaina një javë më parë dhe e çoi në 106 numrin e të vdekurve.

Departamenti amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore dërgoi një ekip ekspertësh mjekoligjor dhe pajisje për të identifikuar viktimat dhe për të përpunuar mbetjet e trupave të gjetur, njoftuan zyrtarët.

Guvernatori paralajmëroi se mund të gjenden dhjetëra trupa të tjerë. Zjarret, disa prej të cilave ende nuk janë kontrolluar plotësisht, janë më vdekjeprurësit në SHBA në më shumë se një shekull. Shkaku i tyre është nën hetim.