Niger, junta ushtarake njofton se Presidenti Bazoum do të gjykohet për tradhëti të lartë

Udhëheqës të grushtit të shtetit ushtarak në Niger kanë paralajmëruar se do të vënë para drejtësisë Presidentin e rrëzuar Mohamed Bazoum për "tradhti të lartë" dhe “minim të sigurisë së shtetit”.

Njoftimi erdhi disa orë pasi junta ushtarake tha se ishte e hapur për dialog me vendet e Afrikës Perëndimore për zgjidhjen e krizës. Kodi penal i Nigerit, parashikon dënim me vdekje nëse presidenti Bazoum shpallet fajtor.

Një zëdhënës i juntës ushtarake tha në televizionin shtetëror se ishin mbledhur prova për të ndjekur penalisht presidentin e rrëzuar dhe bashkëpunëtorët e tij. Ai nuk dha detaje mbi akuzat, rrethanat apo se kur mund të zhvillohet gjyqi.

Presidenti i Nigerit, i zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohamed Bazoum u rrëzua nga detyra nga anëtarët e gardës presidenciale më 26 korrik dhe që atëherë ndodhet në arrest shtëpie, së bashku me bashkëshorten dhe të birin.

Lexoni edhe këtë ECOWAS diskuton alternativat për ndërhyrje në Niger


Faktori ndërkombëtar po ushtron përherë e më shumë trysni ndaj juntës ushtarake për lirimin dhe rikthimin në detyrë të presidentit Bazoum.

Javën e kaluar blloku rajonal i Afrikës Perëndimore urdhëroi vendosjen në Niger të trupave ushtarake të këtij blloku, por mbetet ende e paraqetë se kur, apo nëse ato do të hyjnë në Niger.

Sot, zhvillohet një mbledhje e Këshillit për Paqe dhe Siguri në Bashkimin Afrikan që mund të anulojë këtë vendim, në rast se gjykohet se prania e trupave ushtarake mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë në kontinent.

Your browser doesn’t support HTML5

Bota vëzhgon situatën në Niger, ndërsa udhëheqësit ushtarak nuk tërhiqen


Që prej grushtit të shtetit, dhuna xhihadiste në vend është shtuar. Grushti i shtetit paraqet një goditje për shumë vende Perëndimore, për të cilat Nigeri përfaqësonte një prej partnerëve demokratikë të mbetur në rajon me të cilin mund të bashkëpunonin për të mposhtur kërcënimin ekstremist dhe dhunën xhihadiste të lidhur me grupin al-Kaeda dhe grupin Shteti Islamik.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe vende të tjera të Bashkimit Europian kanë dhënë mbështete financiare prej qindra miliona dollarësh në mbështetje të ushtrisë së Nigerit. Pas grushtit të shtetit, Franca dhe Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar operacionet ushtarake në Niger. Personeli ushtarak kishte stërvitur trupat e Nigerit për të luftuar grupet militante.

Junta Ushtarake ka kërkuar largimin e 1500 ushtarëve francezë nga Nigeri deri në fillim të shtatorit, kërkesë që Franca e ka cilësuar si të papranueshme.