Si ndikojnë dhe përfitimet nga kremrat kundër diellit

sunscreen

Nuk ka një kohëzgjatje të caktuar për sa kohë një krem kundër diellit të mbron nga rrezet e dëmshme. Por dermatologët këshillojnë që çdo njeri duhet të përdor krem kundër diellit për të parandaluar, siç thonë ata, plakjen e parakohëshme të lëkurës, si dhe për të parandaluar llojet e ndryshme të kancerit të lëkurës.

Ndërsa temperaturat po shënojnë nivele rekord, dermatologët theksojnë se përdorimi i kremrave kundër diellit, është gjithnjë e më i rëndësishëm.

Ka një mori produktesh që mbrojnë lëkurën tonë nga pasojat e dëmshme të diellit. Kremi i diellit, thonë dermatologët, vepron si një shtresë mbrojtëse për lëkurën, duke mos lejuar që rrezatimi ultravjollcë të depërtojë në lëkurë dhe përmes qelizave të shkaktojë dëme në ADN dhe të prishë strukturën aktuale të vetë lëkurës.

Janë disa lloje të ndryshme rrezesh ultravjollcë, që depërtojnë në lëkurë, në forma të ndryshme. Ato ndikojnë në procesin e plakjes së lëkurës, por më e rënda, mund të shaktojnë lloje të ndryshme të kancerit të lëkurës.

Mjekët janë të shqetësuar nga dy lloje të rrezatimit ultjaviolet: UV-A dhe UV-B.

“Pra, ekziston rrezatimi ultraviolet A, ka pak rrezik për kancer, por lidhet më shumë me plakjen. Ndikmi kryesor është tek rrudhat, është i lidhur me zbehjen e lëkurës, është i lidhur me pigmentin, lidhet me enët e gjakut duke i bërë më të dukshme në sipërfaqe, pra përshpejton plakjen e lëkurës", thotë dermatologia Emma Craythorne..

Rreziku më i madh vjen nga rrezet UV-B, që mund të shkaktojnë kancer.

“Rrezet, UVB, hyjnë drejpërdrejt në ADN-në e lëkurës dhe dëmtojnë bërthamën e qelizave së lëkurës. Trupi i njeriut është shumë i zgjuar, sepse e riparon dëmin. Por ekspozimi i përsëritur dhe dëmtimi i përsëritur do të krijonte shumë mutacione. Dhe kur ka shumë mutacione brenda një qelize, atëherë shndërrohet në kancer të lëkurës”, thotë dermatologia Emma Craythorne.

Sipas dermatologes kremrat kundër diellit mund të ndahen përafërsisht në dy kategori: krem mbrojtës kimik dhe krem mbrojtës fizik.

Kremrat fizikë, që kanë në përbërje bazë minerale, si dioksid titani dhe oksid zinku, shërbejnë për të bllokuar rrezet ultraviolet, duke shërbyer si pasqyra që i thyejnë dhe reflektojnë mbrapsht rrezet e diellit.

Ndërsa kremrat kimikë thithin dhe shpërndajnë rrezet ultraviolet të diellit, duke e shndërruar energjinë e dritës në nxehtësi. Por nxehtësia që çlirohet është kaq e vogël, sa nuk mund të kapet as me aparatura.

Vende të ndryshme kanë rregulla të ndryshme se cilat kimikate lejojnë. Doktoreshë Emma po ashtu këshillon se mbrojtja që ofron çdo krem kundër diellit varet nga kohëzgjatja e ekspozimit ndaj diellit.

“Ju si konsumator mund të keni blerë një krem që ka si faktor mbrojtjeje 30 ose 50 (SFP). Këto shifra tregojnë se kremi ju mbron nga ana e djegies, pra rrezet UVB. Nuk tregon se sa shumë ju mbron nga rrezet UVA. Dhe për ta zbuluar këtë, është pak më e ndërlikuar”, thotë dermatologia Emma Craythorne.

Doktoresha këshillon se çdo njeri duhet të lexojë të dhënat e produktit për të parë nëse ofron mbrojtje afatgjatë. Po ashtu, sipas saj, çdo njeri mund të qëndrojë jo më shumë se 30 minuta në diell, pa shkaktuar djegie nga dielli dhe këshillohen orët e mëngjesit, ose orë e pasdites vonë.