Votuesit në Ohajo kundërshtojnë referendumin e mbështetur nga republikanët

Përçarjet për arsye politike në Shtetet e Bashkuara janë kthyer në argumente, që shpesh po zgjidhen me dhunë. Që nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, sipas një hulumtimit të agjencisë Reuters ka mbi 200 raste dhune, janë nxitur nga dallimet politike. Një nga çështjet, që në SHBA diskutohet me akuza të ashpra mes demokratëve dhe republikanëve, është edhe ajo e të drejtës për abort. Dje votuesit në Ohajo, pas një fushate me tone të forta politike, hodhën poshtë një referendum të shumicës republikane në këtë shtet, që mund ta bënte pothuajse të pamundur mbrojtjen e të drejtës për abort me ligj.

Your browser doesn’t support HTML5

Votuesit në Ohajo kundërshtojnë referendumin e mbështetur nga republikanët

Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, 57% e votuesve të Ohajos i thanë JO përpjekjes së shumicës republikane në këtë shtet për ta bërë më të vështirë miratimin e ndryshimeve të ardhshme në Kushtetutën e shtetit.

Partia Republikane dëshironte që çdo ndryshim kushtetues në këtë shtet të bëhej me 60% të votave dhe jo me shumicë të thjeshtë, siç është tani. Synimi ishte të ndikohej mbi një votim që pritet të mbahet në vjeshtë, kur banorët e Ohajos do vendosin për të të përfshirë ose jo, abortin si të drejtë kushtetuese.

“Kjo ishte një përpjekje e hapur për të dobësuar zërat e votuesve dhe për të kufizuar më tej lirinë e grave për të vendosur për shëndetin e tyre”, tha presidenti Biden në një deklaratë të martën në mbrëmje, pasi u kuptua se referendumi i republikanëve ishte hedhur poshtë nga votuesit.

“Kjo ishte një çështje komplekse dhe padyshim, që kishte shumë njerëz që nuk donin që kjo të miratohej. Jo vetëm për shkak të çështjeve për të cilat do të votohet në nëntor, por për të gjithë të tjerat që po vijnë. Shumë njerëz nga mbarë vendi shpenzuan shumë para për t'u siguruar që referendumi të mos miratohej”, tha udhëheqësi republikan i Senatit të shtetit të Ohajos, Matt Huffman.

Votimi i së martës është referendumi më i fundit që ka të bëjë me të drejtën për abort, që pas vendimit të Gjykatës së Lartë, vitin e kaluar që hoqi abortin si të drejtë mbarëkombëtare.

Kryetari demokrat I bashkisë së Kolumbusit, kryeqytetit të Ohajos Andrew Ginther, u shpreh se ai është krenar me votuesit e shtetit ndërsa Partinë Republikane në Ohajo e quajti “një shumicë ekstremiste”.

“Mënyra se si bëhen ndryshimet kushtetuese ka funksionuar mirë për këtë shtet për 111 vjet. Njerëzit votuan dhe i dërguan një mesazh shumë të fortë shumicës ekstremiste në legjislaturë duke iu thënë se ata besojnë në drejtësi, liri dhe besojnë në fuqinë për t'i mbajtur ata përgjegjës”, tha zoti Ginther.

Ligji i Ohajos për të ndaluar shumicën e aborteve ishte miratuar para se Gjykata e Lartë të shfuqizonte një vendim të sajin të mëparshëm, që e njihte abortin si të drejtë mbarëkombëtare. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, ligji I Ohajos u lejua të hynte në fuqi për një kohë të shkurtër. Ai më pas u pezullua përsëri, ndërsa vazhdon sfida ligjore nëse ligji shkel kushtetutën e shtetit apo jo.

Megjithë humbjen në referendum, republikanët thonë se nuk kanë hequr dorë nga përpjekjet kundër abortit.

“Unë mendoj se ndoshta do ta bëjmë këtë pyetje përsëri, por jo në të njëjtën atmosferë të kpëtyre 10 ose 12 muajve të fundit”, thotë udhëheqësi republikan i Senatit të Ohajos, Matt Huffman.

Aborti është një nga çështjet e ndjeshme politike që ka shkaktuar përçarje të madhe ndërmjet amerikanëve. Gazetari hulumtues i agjencisë së lajmeve “Reuters”, Peter Eisler thotë se çështjet politike që ndajnë republikanët me demokratët janë kthyer në argumente që shpesh po zgjidhen me dhunë.

“Ne gjetëm 213 raste që i identifikuam si dhunë politike që i kishte rrënjët në mosmarrëveshje partiake, ose zgjedhore, ose sulme që ishin qartësisht të motivuara, ose të kryera në shërbim të një ideologjie politike, ose një ideali. Nga këto 213 raste të dhunës politike, 18 incidente kanë rezultuar fatale dhe 39 persona kanë vdekur ”, thotë gazetari hulumtues, Eisler.

Zoti Eisler ka arritur të sigurojë rregjistrimin e një thirrjeje telefonike në qarkun Butler të Ohajos, ku një grua i kërkon ndihmë policisë, pasi fqinji i saj i vrau burrin me dyshimin se ai ishte demokrat.

"Kristen King nga qarku Butler në Ohajo ka telefonuar policinë pasi fqinji i saj, Austin Combs, kishte qëlluar burrin e saj, Anthony King, në oborrin e shtëpisë”, thotë zoti Eisler.

Audio nga thirrja telefonike me policinë tregon se zonja King pyetet për arsyet që nxitën problemin me fqiun e tyre.

“A keni patur probleme me të më parë, a keni patur konflikte të shpeshta?”, pyet operatorja nga policia në qarkun Butler të Ohajos.

Zonja King përgjigjet:“Ai ka ardhur katër herë duke u përballur me burrin tim sepse mendonte se ishte demokrat”.

Gazetari i Reutersit thotë se Shtetet e Bashkuara janë në një periudhë tepër përçarëse, ku në secilën parti ka njerëz që e shohin palën tjëtër si armike, si tradhtarë të vendit.

Pas zgjedhjeve të vitit 2020 shumë njerëz menduan se gjërat do të qetësoheshin, por ajo që është parë, sipas gazetarit Eisler, dhuna politike ende vazhdon.