Në Ohajo filloi sot votimi për rritjen e pragut të votave për ndryshimin e Kushtetutës së këtij shteti, që nëse të miratohet, do të ketë ndikim edhe mbi të drejtën për abort në Shtetet e Bashkuara.
Propozimi në fletëvotim, i njohur si ‘Çështja 1’, do të rriste pragun për miratimin e ndryshimeve të ardhshme në Kushtetutën e Ohajos, nga një shumicë e thjeshtë, në 60 për qind. Kjo më pas do të ndikonte te zgjedhjet që do të mbahen në muajin nëntor, kur votuesit në këtë shtet do të vendosin për një ndryshim kushtetues që do të garantonte mundësinë për abort.
Duke mbajtur parasysh këtë fakt, votuesit po marrin pjesë në mënyrë masive në zgjedhjet e posaçme të verës. Gjatë periudhës së parakohshme të votimit, e cila përfundoi të dielën, numri i votave paraprake të hedhura arriti në afro 700,000, më shumë se dyfishi i votimit të parakohshëm gjatë zgjedhjeve paraprake në vitin 2018 dhe 2022.
Votimi i së martës është referendumi i fundit mbi të drejtën për abort që nga vendimi i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, vitin e kaluar që hoqi abortin si të drejtë mbarëkombëtare, duke ia kthyer këtë çështje shteteve, disa prej të cilave tani kanë një sërë kufizimesh dhe ndalimesh. Votuesit në shtete të tjera me prirje republikane, duke përfshirë Kansasin dhe Kentakin, kanë votuar në mbrojtje të së drejtës për abort. Ohajo, sipas anketave të zhvilluara, pritet t’iu bashkohet shteteve me prirje republikane që votojnë pro të drejtës për abort.
Kjo çështje gjithashtu ndihmoi demokratët të zvogëlojnë humbjet e tyre në zgjedhjet e nëntorit të vitit të shkuar.
Eric Chon, banor i Columbusit, tha se ai votoi jo për Çështjen 1. Për të dhe votuesit e tjerë, ka një agjendë të qartë kundër abortit në këtë votim.
“Sa herë që diçka nuk shkon siç duan ata, republikanët ndryshojnë rregullat”, thotë zoti Chon.
Al Daum, nga Hilliard, në pjesën perëndimore të Columbusit, tha se ai votoi po për Çështjen 1. Së bashku me rritjen e pragut në 60% për ndryshime kushtetuese, ky parashkim do të detyronte mbledhjen e nënshkrimeve nga të gjitha 88 qarqet e Ohajos për çdo ndryshim kushtetues, jo vetëm nga 44 siç është tani. Është një ndryshim që zoti Daum tha se do t’iu jepte një shans më shumë banorëve të Ohajos për t'u dëgjuar.
Ligji i Ohajos për të ndaluar shumicën e aborteve ishte miratuar para se Gjykata e Lartë të shfuqizonte vendimin e njohur si Roe v Wade që e njihte abortin si të drejtë mbarëkombëtare. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, ligji u lejua të hynte në fuqi për një kohë të shkurtër. Ligji më pas u ngri përsëri, ndërsa vazhdon sfida ligjore nëse ligji shkel kushtetutën e shtetit apo jo.
Në të njëjtën kohë, një koalicion i gjerë dypartiak kundërshton çështjen 1 për arsye të tjera. Ish-guvernatorët e Ohajos dhe prokurorët e përgjithshëm të të dyja palëve, demokratë e republikanë, kanë dalë kundër ndryshimit kushtetues, duke e quajtur atë politikë të dobët publike. Nëse miratohet, kjo do të ndryshojë 111 vjet demokraci të drejtpërdrejtë, që mund të ndikojë në përpjekjet e ardhshme për votime që do të kërkohen nga qytetarët.
“Protect Women Ohio”, organizata që po bën fushatë kundër abortit për të cilën do të votohet në zgjedhjet e vjeshtës, ka shpenzuar miliona dollarë edhe për votimin që mbahet tani. Organizata ka paguar për transmetimin e reklamave që sugjerojnë se masa jo vetëm do të garantonte me ligj të drejtën për abort, por në të njëjtën kohë, duke iu mohuar prindërve të drejtën e vendimit, mund të bëjë trysni ndaj fëmijëve duke iu ofruar programin që përfshin edhe mundësinë e nisjes së procesit për ndryshim e gjinisë.
Disa ekspertë ligjorë kanë thënë se në Çështjen 1 nuk ekziston diçka që mbështet këto pretendime. Sipas tyre, reklama të tilla ndjekin modelin e ciklit zgjedhor të karakterizuar nga keqinformimi dhe nxitja e frikës që përdoret për të ndikuar votuesit.