Polonia mban zgjedhjet parlamentare më 15 tetor

FILE - Poland's lawmakers vote in parliament, in Warsaw, May 26, 2023.

Presidenti i Polonisë njoftoi të martën se vendi do të zhvillojë zgjedhjet parlamentare më 15 tetor, duke shënuar fillimin zyrtar të një fushate elektorale që tashmë ka nisur në prapaskenë dhe po ndikohet nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Presidenti Andrzej Duda tha në një deklaratë të postuar në platformën X, e njohur më parë si Twitter, se zgjedhjet për dhomën e ulët të parlamentit me 460 vende dhe ato për Senatin me 100 vende do të zhvillohen të dielën, më 15 tetor. Ligjvënësit do të zgjidhen për një mandat katërvjeçar.

Fushata zgjedhore në Poloni fillon mes ankthit në rritje lidhur me praninë e mercenarëve të grupit rus “Wagner” në kufirin verilindor të vendit anëtar të NATO-s me Bjellorusinë. Mijëra mercenarë të grupit “Wagner” u vendosën në Bjellorusi pas një kryengritje jetëshkurtër në Rusi në qershor. Tensionet janë rritur gjithashtu me Ukrainën aleate, në juglindje të vendit, mbi importet e grurit dhe statujat përkujtimore të konflikteve të kaluara mes tyre.

Partia konservatore në pushtet, Ligji dhe Drejtësia, po përpiqet të paraqitet si një mbështetëse e fortë e mbrojtjes kombëtare, duke marrë parasysh zhvillimet përtej kufijve të saj lindorë.

Ajo ka urdhëruar dislokimin e më shumë ushtarëve në kufirin me Bjellorusinë dhe po planifikon një paradë të madhe ushtarake për festën e Ditës së Ushtrisë më 15 gusht, në të cilën do të shfaqen tanke të reja dhe pajisje të tjera ushtarake që ka blerë vendi nën drejtimin e saj.

Partia në pushtet, udhëheqësit e së cilës kanë bërë vizita të shumta në Kiev për të mbështetur përpjekjet e luftës në Ukrainë, së fundmi ka mbajtur gjithashtu një qëndrim më konfrontues ndaj Ukrainës, pasi një grup politik i ekstremit të djathtë, që ka qenë kritik ndaj ndihmës për Ukrainën, ka shënuar rritje të mbështetjes në anketat e opinionit.

Sondazhet tregojnë se Partia Ligji dhe Drejtësia, e cila ka qeverisur Poloninë që nga viti 2015, po shkon drejt zgjedhjeve si partia më popullore, por ka të ngjarë të mos jetë në gjendje të sigurojë një shumicë të plotë në parlament.

Sfiduesi kryesor i saj është një bllok liberal-centrist, Koalicioni Qytetar, i kryesuar nga Donald Tusk, ish-kryeministër polak dhe ish-president i Këshillit Evropian. Mbështetja për partinë e zotit Tusk është rritur muajt e fundit, por kryesisht në kurriz të partive të tjera opozitare.

Pozicioni gjeografik i Polonisë, mbështetja për Ukrainën dhe pranimi i një numri të madh refugjatësh ukrainas kanë bërë që Presidenti Joe Biden ta vizitojë atë vend dy herë që nga fillimi i luftës.

Vlerësimi që mori për ndihmën që i ka ofruar Ukrainës ia mundësuan qeverisë të shmangte disa nga kritikat e vendeve të Perëndimit me të cilat ishte përballur vitet e kaluara lidhur me qasjen ndaj gjyqësorit, medias, komunitetit LGBTQ+ dhe pakicave të tjera, që përbënin një kthim prapa në proceset demokratike të vendit.