Pas tmerrit të rrëmbimit të mundshëm, dy jetimë ukrainas gëzojnë lirinë

Një organizatë ukrainase me emrin “Save Ukraine”, ka ngritur një rrjet që funksionon fshehtas brenda pjesëve të Ukrainës që Moska i ka marrë nën kontroll dhe vetë Rusisë, duke ndihmuar fëmijët jetimë ukrainas të largohen para se të rrëmbehen dhe të dërgohen në Rusi. Kjo organizatë thotë se deri tani ka shpëtuar 200 fëmijë. Në mesin e tyre janë 16 vjeçarja Ilona Pavliuk dhe vëllai i saj, Maksym. Kronika në vijim sjell detaje nga historia e shpëtimit të tyre nga një zonë e pushtuar nga Rusia.

Your browser doesn’t support HTML5

Pas tmerrit të rrëmbimit të mundshëm, dy jetimë ukrainas gëzojnë lirinë

Pas gati një viti e gjysmë e fshehur në një zonë që kontrollohet nga forcat ruse, 16-vjeçarja Ilona Pavliuk ende e ka vështirë ta besojë që e ka lënë pas tmerrin e luftës dhe mund të luajë, pasi arriti të largohet muajin e kaluar.

Babai i saj i sëmurë kujdesej për të dhe vëllain e saj, 15 vjeçarin Maksym, duke i fshehur kryesisht në shtëpi që kur forcat ruse u futën në fshatin e tyre, Pishchane, në bregun jugor të lumit Dinpro, në fillim të agresionit rus kundër Ukrainës, vitin e kaluar.

“Isha në makinë kur pashë një tabelë ku shkruhej ‘Ukrainë’. Më vinte për të qarë. Kur pashë ushtarin e parë ukrainas, fillova të qaj dhe ai më pyeti: ‘Pse po qan?’, dhe unë u përgjigja: ‘Sepse jam në Ukrainë!’, thotë 16 vjeçarja, Pavliuk.

Ndërsa qëndron në një bujtinë në Kiev, Ilona kujton kohën kur ishte në shtëpinë e saj duke thënë se nuk guxonte të shkonte askund.

“Nuk kam mbaruar shkollën. Nuk kam asnjë dokument. Ndoshta konsiderohem jo e zgjuar . Nuk mund të shkoja askund, sepse babai im ishte i shqetësuar. Ai tha se rusët mund të më përdhunojnë ose të më vrasin pasi kishte raste të tilla”, e kujton kohën në fshatin e saj, Ilona Pavliuk.

Muajin e kaluar, babai i tyre vdiq nga SIDA, e njëjta sëmundje që i mori jetën edhe nënës e tyre para një dekade, duke i lënë jetimë.

“Sa jetoja atje më thanë se nuk mund të merrja asnjë trajtim në spital pa pasaportë ruse. Isha e shqetësuar nëse nuk do të mund të bëja takim me mjekunn tim. Më vonë më lejuan, por më thanë se ilaçet do të mund t’i merrja falas nëse do merrja një pasaportë ruse. Mendova që më mirë të paguaj për ilaçet sesa të aplikoj për një pasaportë ruse”, thotë Ilona.

Presidenti Vladimir Putin ka deklaruar aneksimin e pjesëve të pushtuara nga Rusia të Ukrainës. Moska thotë se ka mbledhur qindra mijëra jetimë dhe fëmijë nga këto zona, duke i çuar në Rusi për sigurinë e tyre.

Ukraina thotë se kjo përbën një dëbim të detyruar për të fshirë identitetin ukrainas të një brezi fëmijësh, një krim kundër njerëzimit për të cilin zoti Putin tashmë është paditur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë.

Ilona dhe Maksymi ishin në gjendje të arratiseshin me ndihmën e ‘Save Ukraine’, një organizatë bamirëse që vepron përmes një rrjeti të fshehtë brenda pjesëve të pushtuara të Ukrainës dhe vetë Rusisë, duke ndihmuar fëmijët të largohen. Organizata thotë se deri tani ka shpëtuar 200 fëmijë.

“Është shumë më e vështirë të kthesh një fëmijë jetim. Rusët u caktojnë atyre një kujdestar ligjor për të zëvendësuar kujdestarin e mëparshëm që kishin në territorin ukrainas. Ata caktojnë një kujdestar ose e dërgojnë fëmijën në një familje birësuese. Pas kësaj, asnjë marrëveshje nuk funksionon dhe është shumë e vështirë ta kthesh fëmijën”, thotë themeluesi i organizatës ‘Save Ukraine’, Mykola Kuleba.

Sipas tij, fëmijët, prindërit e të cilëve vdesin, janë rastet më urgjente, sepse autoritetet e emëruara nga Rusia do të vendosin me shpejtësi kujdestarinë ligjore.

‘Save Ukraine’ u aktivizua me shpejtësi për rastin e Maksymit dhe Ilonas.

Disa ditë pas vdekjes së babait të tyre, vullnetarë brenda territorit të kontrolluar nga Rusia i ndihmuan fëmijët të iknin, fillimisht në Rusi, më pas në Bjellorusi, pastaj përtej kufirit dhe më në fund në Ukrainë. Detajet e udhëtimit mbahen sekrete për të mbrojtur aktivistët që i kanë ndihmuar përgjatë rrugës.

Ilona dhe Maksymi tani jetojnë në bujtinën që mbahet nga organizata në Kiev. Pasi të kenë siguruar pasaportat ukrainase, ata do të shkojnë të qëndrojnë me ish-gruan e babait të tyre të ndjerë, tani refugjate në Sllovaki.