Menaxhimi i simptomave të hershme të demencës

Disa qendra të kujdesit për personat me probleme shëndetësore në Australi po forcojnë kujdesin e specializuar për personat që vuajnë nga demencia. Kjo pason një raport të qeverisë, i cili thotë se sëmundja mendore është tani më e përhapur se ato të zemrës në Australi. Sipas statistikave të fundit, rastet e sëmundjes së demencës u rritën me 61 për qind në 11 vjet në grupmoshat më të lartë në vend.

Your browser doesn’t support HTML5

Menaxhimi i simptomave të hershme të demencës

Njëmbëdhjetë vjet më parë, Shirlene Colbert filloi të përballej me ndryshime shqetësuese të personalitetit të bashkëshortit të saj, Stephen.

Mjeku i familjes në fillim tha se kjo ishte pasojë e stresit të shkaktuar nga puna, por në fakt Stephen po përballej me simptomat e para të demencës, e cila ndërlikohet nga agresioni fizik dhe sjellje të tjera shqetësuese. Sipas mjekëve, këto ndryshime janë pasojë e simptomave psikologjike të demencës.

“Kur Stephen ishte rreth 54 vjeç ne lëvizëm nga shtëpia për të bërë një rinovim. Kur u rikthyem në shtëpi, Stephen ishte vërtet i hutuar dhe nuk dinte ku t'i vendoste gjërat. Për mua kjo ishte një shenjë se diçka nuk ishte në rregull”, thotë zonja Colbert.

Gjendja e zotit Colbert u përkeqësua, ai filloi të bëhej më agresivë dhe nuk mund të kujdesej për veten e tij.

Bashkëshortja e tij pas një periudhe të shkurtër nuk mund të kujdesej e vetme për të.

Për njerëz si Stephen Colbert, qeveria australiane ka hapur Programin e Kujdesit për rastet e rënda të Demencës. Falë këtij programi ai u pranua në qendrën “Uniting Eabrai”, një nga dy shtëpitë e specializuara, të financuara nga qeveria australiane.

Në shkurt, Instituti Australian i Shëndetit dhe Mirëqenies publikoi një raport që konfirmonte se demencia ishte shkaktari kryesor i vdekjeve në vend.

Raporti vlerësoi se në vitin 2022 më shumë se 400 mijë qytetarë kishin demencia dhe kjo shifër do të dyfishohej deri në vitin 2058.

Profesorja e Universitetit të Sidneit, Yun-Hee Jeon, shpjegon se demencia është një gjendje neurodegjenerative kronike. Ajo thotë se ka 150 lloje të demencës, por forma më e zakonshme e saj është alcajmeri.

"Sëmundja e alcajmerit është deri tani më e zakonshme. Rreth 60 për qind të rasteve të demencës janë në të vërtetë sëmundje të alcajmerit", thotë profesorja Jeon.

Shumë njerëz mendojnë se alcajmeri dhe format e tjera të demencës kanë të bëjnë vetëm me humbjen e kujtesës.

“Kujtesa është vetëm një pjesë e sëmundjes. Ka një sërë dëmtimesh të trurit, që përfshijnë vendimmarrjen, procesin e të menduarit si dhe aftësitë komunikuese të individëve. Kjo ndikon në aktivitetet e jetës së përditshme. Përkeqësimi i sëmundjes e vështirëson më tej aftësinë e personave të prekur për të menaxhuar punët e tyre të përditshme”, thotë profesorja Jeon.

Sipas shifrave zyrtare të Institutit Australian të Shëndetit dhe Mirëqenies, dy në tre persona me demencë ende jetojnë në komunitet pranë familjeve, miqve dhe fqinjëve të tyre.

Specialisti klinik i demencës në qendrën “Uniting Eabrai”, Greg Buckley thotë se sjellja e pacientëve mund të jetë shumë sfiduese.

“Ata godasin, kafshojnë, shkelmojnë, gërvishtin, godasin me shuplakë, thyejnë krahët, këmbët. Thyejnë xhamat, thyejnë karriget”, thotë ai.

Personeli i qendrës “Uniting Eabrai” është i trajnuar për t’u pëballur me këto sjellje dhe për të ndihmuar në stabilizimin e gjendjes së pacientëve. Kjo qendër përpiqet të kuptojë më mirë historinë e pacientëve dhe angazhon anëtarët e familjeve të tyre në stabilizimin e gjendjes së tyre. Shirlene Colbert thotë se qendra “Uniting Eabrai” është një vend i mirë për bashkëshortin e saj, ndonëse ai ka nevojë për një përmirësim më të madh.

Nëntë qendra të ngjashme pritet të hapen në Australi brenda këtij viti.