Tensionet janë të larta përgjatë kufirit Poloni-Bjellorusi pas futjes në hapësirën ajrore polake të dy helikopterëve bjellorusë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze, njofton se ushtria polake ka vendosur trupa shtesë dhe helikopterë luftarakë pranë kufirit, ndërsa shtohen zërat mbi mundësinë e një inkursioni ushtarak.
Your browser doesn’t support HTML5
Banorët në qytetin polak Białowieża, pranë kufirit me Bjellorusinë, kanë njoftuar për incidentet e shkeljes së kufirit nga dy helikopterë ushtarakë bjellorusë.
Ministria polake e mbrojtjes i ka konfirmuar incidentet, ka informuar NATO-n dhe ka dërguar trupa shtesë në kufi.
Duke qëndruar përkrah presidentit lituanez, Kryeministri polak Mateusz Morawiecki shprehu shqetësimet mbi lëvizjen e forcave ruse Wagner në Bjellorusi drejt kufirit polak.
“Kemi dy vjet që po përjetojmë sulme hibride në kufirin e Polonisë me Bjellorusinë. Me provokimet e tyre Rusia dhe Bjellorusia po rrisin trysninë përgjatë kufirit”.
Polonia ka dërguar trupa shtesë dhe helikopterë luftarakë në kufi për të rritur gatishmërinë, tha Ministri i Mbrojtjes Mariusz Błaszczak.
“Për të përballuar provokimin nga Bjellorusia, sepse ne e kuptojmë që Bjellorusia tani është pjesë e perandorisë ruse, kështu që sulmet hibride ndaj Polonisë janë patjetër të koordinuara me Kremlinin”.
Bjellorusia i ka mohuar shkeljet e hapësirës ajrore dhe ka akuzuar Poloninë se i ka ngritur akuzat për të justifikuar grumbullimin e trupave në kufi.
Më 1 gusht, banorët e qytetit polak Białowieża raportuan se kishin parë dy helikopterë bjellorusë që fluturonin në lartësi të ulëta.
Mariusz Kurnyta, vullnetar me një grup lokal shpëtimi malor shtron pyetjen se pse qeveria i konfirmoi raportimet e banorëve vetëm pasi filmimet filluan të shfaqen në mediat sociale. Ai thotë se një e njohura e tij i kishte parë helikopterët.
“Ajo po shëtiste qenin në mëngjes në Białowieża. Ata fluturuan mbi kokën e saj dhe ajo fotografoi helikopterët që kishin shenja identifikimi bjelloruse. Qeveria tha se radarët nuk kishin zbuluar gjë. Por nëse kemi një ushtri kaq të fuqishme siç thonë ata, është e çuditshme që nuk i vunë re helikopterët që fluturonin mbi kokat e tyre”.
Polonia akuzon Rusinë dhe Bjellorusinë se përdorin emigrantët për të destabilizuar Poloninë dhe vendet e tjera të BE-së, duke e quajtur taktikën një formë të luftës hibride.
Si kundërpërgjigje, Polonia ka ndërtuar një gardh çeliku 186 kilometra të gjatë me një lartë 5 metra, duke vënë sensor dhe pajisje të ndryshme survejimi.
Vullnetari i shpëtimit malor Mariusz Kurnyta thotë se gjatë dy viteve të fundit, ai ka ndihmuar shumë emigrantë, për të cilët thotë se ishin dërguar të kalonin kufirin ilegalisht.
“Bjellorusia po i sjell këtu dhe automatikisht i mashtron sepse nuk kanë se si të kthehen. Disa prej tyre rrihen, disa detyrohen. Më 3 gusht, 13 afganë kërkuan ndihmë, dy prej tyre ishin të plagosur dhe disa të tjerë kishin shenja të dukshme abuzimi fizik”.
Zyrtarët polakë po paralajmërojnë se mercenarët e Wagner-it mund të maskohen si roje kufitare bjelloruse për të ndihmuar migrantët të kalojnë ilegalisht dhe të paraqiten si emigrantë për të hyrë në vendet e NATO-s.
Qeveria bjelloruse ka mohuar provokimin e një krize kufitare, por ka thënë se trupat e saj kanë ndihmuar emigrantët të kalojnë kufirin drejt Polonisë.