Punonjësi i Mar-a-Lagos paraqitet për herë të parë në gjykatë për dokumentat e klasifikuara

Administratori i pronës Mar-a-Lago të ish-Presidentit Donald Trump u paraqit për herë të parë në gjykatë të hënën për akuzat në kuadrin e çështjes gjyqësore ndaj ish-presidentit për dokumentet e klasifikuara. Procesi nuk vazhdoi më tej me vetëdeklarimin e tij pasi ai nuk ka arritur ende të gjejë një avokat që ta përfaqësojë atë në shtetin Florida.

Carlos De Oliveira akuzohet se në bashkëpunim me ish-Presidentin Trump u përpoq të fshinte filmimet e kamerave të sigurisë që kërkoheshin nga prokurorët që po hetojnë marrjen dhe mbajtjen nga ish-presidenti të dokumentave të klasifikuara në pronën e tij në Palm Beach. Emri i zoti De Oliveira iu shtua aktakuzës të përgatitur ndaj ish-Presidentit Trump dhe ndihmësit të tij Walt Nauta, dhe ai akuzohet ndër të tjera për konspiracion për të penguar drejtësinë dhe se gënjeu hetuesit.

Zoti De Oliveira, i veshur me kostum blu dhe kravatë, iu përgjigj pyetjeve të gjykatësit gjatë një seance të shkurtër në gjykatën federale të Majamit. Ai u urdhërua të dorëzojë pasaportën dhe të nënshkruajë një marrëveshje ku bie dakort të paguajë 100 mijë dollarë nëse nuk paraqitet sërish në gjykatë. Ai kishte përfaqësues ligjor avokatin nga Uashingtoni John Irving, por sipas rregullave të gjykatës, atij i duhet një jurist vendas që të vazhdojë procedura me ngritjen e akuzave, e cila ishte parashikuar për t’u mbajtur në datën 10 gusht, në Fort Pierce.

Carlos de Oliveira

Zoti Irving u tha gazetarëve pas seancës se pret të shohë se çfarë provash do të ketë Departamenti i Drejtësisë. Ai nuk pranoi të komentojë nëse zotit De Oliveira i është kërkuar të deponojë kundër zotit Trump.

Paraqitja e zotit De Oliveira në gjykatë erdhi ndërsa ish-presidenti përballet me mundësinë e akuzave të reja nga hetimet për përpjekjet e tij për të qëndruar në pushtet pas humbjes së zgjedhjeve përballë Joe Biden-it në vitin 2020.

Ndërsa vazhdon të jetë kandidati kryesor për zgjedhjet paraprake brenda Partisë Republikane, ai është informuar se është objekt i një hetimi të prokurorit të posaçëm Jack Smith për përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, dhe avokatët e tij u takuan javën e kaluar me ekipin e prokurorit Smith. Gjithashtu, një prokurore në Xhorxhia pritet të kërkojë ngritje akuzash nga një juri e madhe në javët në vazhdim, në kuadrin e hetimit të saj të përpjekjeve të zotit Trump dhe aleatëve të tij për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet në atë shtet.

Ish-Presidenti Trump, i cili u vetëdeklarua i pafajshëm në qershor, ka mohuar se ka bërë ndonjë gjë të gabuar. Ai shkruajti në platformën e tij të mediave sociale Truth Social se filmimet e sigurisë të Mar-a-Lagos iu dorëzuan vullnetarisht hetuesve dhe se atij i kishin thënë se ato nuk ishin fshirë në çfarëdolloj forme.

Prokurorët nuk kanë thënë se filmimet janë fshirë apo u janë fshehur prokurorëve.

Zoti Nauta gjithashtu u vetëdeklarua i pafajshëm. Gjykatësja Aileen Cannon pati caktuar një datë në muajin maj për fillimin e procesit gjyqësor ndaj zotit Trump dhe zotit Nauta, por nuk është tashmë e qartë nëse shtimi i zotit De Oliveira në këtë çështje mund të ndikojë tek afatet kohore.

Aktakuza e fundit, e zbuluar të enjten, pretendon se ish-Presidenti Trump u përpoq të fshinte pamjet e kamerave të sigurisë pasi hetuesit vizituan objektin në qershor 2022 për të mbledhur dokumentet e klasifikuara që ish-presidenti mori me vete pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë.

Mar-a-Lago

Zoti Trump përballet tashmë me dhjetëra akuza – përfshirë mbajtjen e qëllimshme të informacionit të mbrojtjes kombëtare – që burojnë nga akuzat se ai keqpërdori sekretet qeveritare, të cilat si komandant i përgjithshëm i ishin besuar t'i mbronte. Ekspertët kanë thënë se akuzat e reja fuqizojnë dosjen e krijuar nga prokurori i posaçëm dhe thellojnë rrezikun ligjor ndaj ish-presidentit.

Videoja nga Mar-a-Lago do të ishte jetike për dosjen hetimore pasi siç thanë prokurorët, aty shfaqet zoti Nauta duke lëvizur kutitë brenda dhe jashtë një depoje - një veprim që supozohet se është bërë me udhëzimin e zotit Trump dhe në përpjekje për t’i fshehur të dhënat jo vetëm nga hetuesit, por edhe nga vetë avokatët e tij.

Ditë pasi Departamenti i Drejtësisë dërgoi tek Organizata Trump në qershor 2022 një fletëthirrje për pamjet filmike në Mar-a-Lago, prokurorët thonë se zoti De Oliveira pyeti një punonjës të teknologjisë së informacionit se për sa kohë i ruante serveri pamjet dhe i tha punonjësit se "shefi" donte që të fshiheshin. Kur punonjësi tha se nuk besonte se ishte në gjendje ta bënte këtë, zoti De Oliveira këmbënguli se "shefi" donte që kjo të bëhej, duke pyetur: "Si do ja bëjmë?".

Menjëherë pasi FBI-ja kontrolloi Mar-a-Lagon dhe gjeti të dhëna të klasifikuara në dhomën e magazinimit dhe në zyrën e zotit Trump, prokurorët thanë se zoti Nauta thirri një punonjës dhe foli rreth faktit se "dikush thjesht dëshiron të sigurohet që Carlos është në rregull". Aktakuza thotë se punonjësi u përgjigj se zoti De Oliveira ishte besnik dhe nuk do të bënte asgjë që do të prekte marrëdhënien e tij me zotin Trump. Atë ditë, pretendon aktakuza, zoti Trump i telefonoi drejtpërdrejt zotit De Oliveira për t'i thënë se do t’i siguronte një avokat.

Prokurorët pretendojnë se zoti De Oliveira më vonë gënjeu gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, duke thënë se ai as nuk kishte parë ndonjëherë kuti të zhvendoseshin në Mar-a-Lago, pasi ish-Presidenti Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë.