Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë tha të premten se ka refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova ndaj pezullimit të certifikatës së biznesit, duke nxitur reagime në shkallë të gjerë dhe shqetësime për lirinë e medias në vend.
Në një njoftim të kësaj ministrie thuhet ankesa është refuzuar nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe tashmë çështja është përmbyllur si rast brenda ministrisë, ndërsa “pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente”.
Me 14 qershor Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ngriti kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA”, me “pretendimin se në certifikatën biznesit te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”, duke shtuar se “nuk lejohet regjistrimi i një biznesi ku vendbanimi është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që në bazë të këtij dokumenti vërtetohet se qyteti i Pejës dhe Gjakovës është nën administrimin e Republikës së Serbisë”.
Komisioni i Ankesave, sipas ministrisë, ka “gjetur përpjekje të vonuara të palës për t'i korrigjuar shkeljet e saj ndër vite, të cilat ende nuk kanë shkuar deri në fund”.
Klan Kosova e cilësoi të padrejtë pretendimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave lidhur me dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të televizionit.
“Klani i ka si dëshmi të gjitha dokumentet që konfirmojnë se pronari i kompanisë është i regjistruar në komunën e Gjakovës të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim në të cilin paralajmërohet dërgimi i cështjes në gjykatë.
Diplomatë perëndimorë, shoqata gazetarësh, përfaqësues të medieve por edhe përfaqësues të opozitës u shprehën të alarmuar me njoftimin e ministrisë.
Ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian u shprehën thellësisht të shqetësuara me vendimin.
“Jemi veçanërisht të shqetësuar se pezullimi i certifikatës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralitetin mediatik në Kosovë. Pezullimi i licencës së çdo mediumi është një hap i rëndësishëm që kërkon shqyrtim rigoroz. Liria e shprehjes dhe e informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike. Presim një proces të drejtë dhe transparent ligjor për zgjidhjen e situatës”, thuhet në një reagim të përbashkët të diplomatëve kryesor perëndimorë në Kosovë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri thirrje që “çdo dilemë ligjore rreth rastit të licensës së mediumit Klan Kosova, duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës”. Në një deklaratë të zyrës së saj thuhet se presidentja “pret që kjo të bëhet duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit”.
Në komunikatë thuhet se “liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike. Është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë. Respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve janë thelbësore për ruajtjen e rendit, drejtësisë dhe kohezionit social”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se është i tronditur me vendimin e qeverisë (Albin) Kurti për mbylljen e Klan Kosova duke e cilësuar si goditjen më të rëndë që i bëhet lirisë së medies në Kosovë që prej kohës së luftës.
“Me këtë vendim, ministrja Rozeta Hajdari e cila është pjesë e qeverisë Kurti ka finalizuar të gjitha veprimet administrative të nevojshme për të mbyllur televizionin Klan Kosova. Ndonëse vendimi mund të apelohet në gjykatë, ky vendim duhet të kuptohet si vendim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti për të mbyllur një medium për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë”, thuhet në reagimin e Asociacionit.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe qeveria e kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend.
“Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve”, thuhet në reagim duke shprehur besimin se gjykata nuk do të lejojë mbylljen e një mediumi në Kosovë.
Organizata Gazetarët pa Kufij shkroi se pluralizmi i informacionit kërcënohet rëndë me refuzimin e ankesës së medias më të madhe private në vend, Klan Kosova. “Duke mbajtur në fuqi pezullimin e certifikatës së biznesit, qeveria e Albin Kurtit po e çon atë drejt mbylljes. Ky vendim duhet të zhbëhet”.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez në reagimin e tij tha se ditët e zeza të censurës shtetërore janë mbi Kosovën. “Qeveria më në fund ia doli që të mbyllë kanalin televiziv Klan Kosova. Qeveria e Albin Kurtit po e zhyt vendin në joliberalizmin më konservator, me përbuzjen më të madhe për vlerat e Bashkimit Evropian”, shkroi ai.
Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasiqi tha se vendimi i Qeverisë për ta mbyllur Klan Kosovën, duke i marrë çertifikatën e biznesit, “është i papranueshëm, i rrezikshëm, i paligjshëm dhe kundër secilës vlerë demokratike, mbi të cilat është ngritur shteti ynë. Kjo Qeveri e ka humbur rrugën! Nga panika, çdo ditë e më shumë po zhytet në llumin e vendimeve ta padinjitetshme dhe me tendenca diktatoriale. Prandaj, sot, jemi të gjithë të bashkuar kundër këtij vendimi autoritar dhe në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe medias së lirë. Mos e mbyllni Klan Kosovën. Diktatura nuk kalon!”, shkroi zoti Krasniqi
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se mbyllja e Klan Kosovës është sulm i një pushteti autoritar ndaj fjalës së lirë. Ai shkroi në rrjetet sociale se “në këtë betejë, të paprecedentë, nuk është vetëm një televizion. Janë të gjitha mediat, gazetarët e promovuesit e fjalës së lirë. Jemi të gjithë, individualisht e kolektivisht. Prandaj dhe në këtë përballje do të jemi bashkë të gjithë”, shkroi ai duke i ftuar organet e drejtësisë, gjykatat e republikës, të bëjnë detyrën e vet, të mbrojnë vet demokracinë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kritikoi ashpër qeverinë për vendimin.
“Nuk mbulohet dielli me shoshë o Albin Kurti. Nuk mbyllen mediat në një vend evropian! Nuk jemi Kore e Veriut! Prandaj hiq dorë nga ky vendim i çmendur e lëre Klan Kosovën ta kryejë punën e vet!", shkroi mes tjerash zoti Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.