UASHINGTON – Avokatët e ish-Presidentit Donald Trump u takuan të enjten me anëtarët e ekipit të prokurorit të posaçëm Jack Smith, përpara ngritjes së mundshme të akuzave rreth përpjekjeve të ish-presidentit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, tha një person në dijeni të çështjes.
Në takim merrte pjesë edhe avokati i ish-Presidentit Trump, John Lauro, i tha personi agjencisë së lajmeve Associated Press, me kusht ruajtjen e anonimitetit.
Ish-Presidenti Trump e konfirmoi vetë takimin me një postim në rrjetin social Truth Social, ku shkruante se “Avokatët e mi patën një takim frutdhënës me Departamentin e Drejtësisë sot në mëngjes, duke shpjeguar me detaje se unë nuk kam bërë asgjë të gabuar, kam marrë këshillat e shumë juristëve, dhe se një akuzë ndaj meje do ta shkatërronte më tej Vendin tonë”.
Ai shtoi se “gjatë takimit nuk pati asnjë tregues për një lajmërim” zyrtar për akuza.
Ish-Presidenti Trump, kandidati kryesor për zgjedhjet paraprake brenda Partisë Republikane, u informua më herët këtë muaj nga zyra e prokurorit të posaçëm Smith se ishte objektiv i një hetimi të Departamentit të Drejtësisë, duke sugjeruar se mund të pasohej së shpejti nga akuza.
Hetimi është përqëndruar tek periudha e turbullt dymujore pas zgjedhjeve të nëntorit 2020 kur zoti Trump refuzoi të pranojë humbjen ndaj demokratit Joe Biden dhe përhapi pretendime të pavërtetuara se i ishte vjedhur fitorja. Paqëndrueshmëria rezultoi në sulmin më 6 janar 2021 ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, kur ndjekësit e tij besnikë hynë me forcë në godinë, sulmuan oficerët e policisë dhe ndërprenë numërimin në Kongres të votave elektorale. Mbi 1 mijë persona janë akuzuar tashmë për vepra penale federale në lidhje me sulmin ndaj Kapitolit.
Në periudhën mes zgjedhjeve dhe sulmit në Kapitol, zoti Trump u bëri thirrje zyrtarëve lokalë të përmbysnin rezultatet në shtetet e tyre, ushtroi trysni ndaj Nënpresidentit Mike Pence që të ndalte çertifikimin e votave elektorale dhe pretendoi pa baza se zgjedhjet ishin manipuluar – megjithë faktin se zyrtarë të shumtë federalë dhe lokalë, një listë e gjatë gjykatash, zyrtarë të lartë të fushatës elektorale dhe madje edhe prokurori i tij i përgjithshëm kishin thënë se nuk kishte evidencë për manipulimin e pretenduar prej tij.
Një zëdhënës i prokurorit të posaçëm Smith nuk pranoi të komentojë për takimin e të enjtes. Zoti Lauro, avokati i ish-Presidentit Trump, nuk iu përgjigj menjëherë një mesazhi ku i kërkohej të komentonte.
Ish-Presidenti Trump u akuzua muajin e kaluar nga ekipi i prokurorit Smith për marrje dhe mbajtje të paligjshme të dokumentave të klasifikuara në pronën e tij Mar-a-Lago, në Palm Beach, të Floridas, si dhe për fshehjen e tyre nga hetuesit. Ai u akuzua gjithashtu në muajin mars në Nju Jork me akuza për falsifikim të të dhënave të sipërmarrjes, në lidhje me një pagesë për të siguruar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë. Gjithashtu, prokurorët në Qarkun Fulton, të Xhorxhias, po përgatisin njoftimin për akuza në javët në vazhdim në lidhje me përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në këtë shtet.