Koreja e Veriut do të mirëpresë këtë javë në Phenian ministrin e mbrojtjes të Rusisë dhe një delegacion kinez të nivelit të lartë me rastin e festimeve për përvjetorin e armëpushimit të Luftës së Koresë, njoftuan të martën mediat shtetërore. Ky zhvillim mund të sinjalizojë rihapjen e kufijve të Koresë së Veriut për vizitat e zyrtarëve të huaj të nivelit të lartë, pas izolimit të zgjatur të pandemisë.
“Një delegacion ushtarak i Federatës Ruse i udhëhequr nga Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu do të bëjë një vizitë urimi në Republikën Popullore Demokratike të Koresë”, njoftoi Agjencia Koreane Qendrore e Lajmeve, një ditë pasi konfirmoi se në një aktivitet të së enjtes do të marrë pjesë edhe një delegacion kinez.
Rusia, një ndër aleatët historikë të Phenianit, vazhdon të jetë ndër vendet e pakta që mbajnë marrëdhënie miqësore me Korenë e Veriut, udhëheqësi i së cilës Kim Jong Un ka treguar rishtazi mbështetje të palëkundur për sulmin e Rusisë në Ukrainë. Uashingtoni thotë se Koreja e Veriut po e furnizon madje Rusinë me raketa.
“Kjo vizitë do të kontribuojë për forcimin e lidhjeve ushtarake Rusi-Kore e Veriut dhe do të jetë një hap i rëndësishëm për vazhdimësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Kina, partnere kryesore tregtare e Koresë së Veriut, gjithashtu konfirmoi të martën se do të dërgojë një delegacion të udhëhequr nga anëtari i Byrosë Politike kineze Li Hongzhong.
Vizitorët e huaj pritet të ndjekin festimet në Phenian për 70-vjetorin e nënshkrimit të armëpushimit, i njohur si Dita e Fitores në Korenë e Veriut, që sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA do të festohet “në një mënyrë madhështore që do të hyjë në histori”.
Një paradë ushtarake e përmasave të mëdha dhe aktivitete të tjera pritet të mbahen këtë javë. Pamjet satelitore tregojnë ushtarë dhe civilë që bëjnë prova prej muajsh për paradën, njoftoi faqja në internet NK News, me seli në Seul.
Raketat më të fundit me kapacitetin për të mbartur armë bërthamore, si dhe mjete të tjera ushtarake pritet të shfaqen gjatë aktivitetit në Sheshin Kim Il Sung.
Seuli dhe Uashingtoni po ndjekin situatën
Ministria e mbrojtjes e Koresë së Jugut tha të martën se ka pikasur më shumë “njerëz dhe paisje” në kryeqytetin Phenian dhe shtoi se agjencitë e zbulimit të Koresë së Jugut dhe të Shteteve të Bashkuara po monitorojnë nga afër festimet e pritshme.
Vizitat e delegacioneve kineze dhe ruse janë vizitat e para të bëra nga delegacione të huaja, që kur filloi pandemia.
Koreja e Veriut vendosi një bllokadë të rreptë për koronavirusin që në fillim të vitit 2020, duke ua ndaluar madje edhe disa shtetasve koreanoveriorë rikthimin në vend.
Koreja e Veriut rifilloi tregtinë me Kinën vitin e kaluar dhe i lejoi përfaqësuesit të ri diplomatik të Pekinit, që të merrte detyrën këtë vit.
Pekini tha se delegacioni do të udhëtonte drejt Phenianit të mërkurën, duke sinjalizuar kështu se nuk do të duhet t’i nënshtrohen karantinës përpara aktivitetit të së enjtes.
Marrëveshja e armëpushimit që i dha fund Luftës së Koresë u nënshkrua më 27 korrik 1953, por dy Koretë vazhdojnë të jenë teknikisht në gjendje lufte, pasi marrëveshja nuk u zëvendësua me një marrëveshje paqeje.
“Pritet që Koreja e Veriut të përfitojë nga mbështetja e Pekinit për aktivitetin e saj bërthamor, duke paraqitur një raketë të re ndërkontinentale gjatë kohës që delegacioni kinez i nivelit të lartë do të jetë duke ndjekur paradën ushtarake”, i tha agjencisë së lajmeve AFP presidenti i Universitetit në Seul për Studime Koreanoveriore, Yang Moo-jin. “Duket se qëllimi do të jetë demonstrimi i solidaritetit mes Koresë së Veriut dhe Kinës, mes paqëndrueshmërisë globale të krijuar nga konflikti i vazhdueshëm SHBA-Kinë”.
Zoti Yang shtoi se kjo mund të sinjalizojë një hapje të afërt të kufirit mes Koresë së Veriut dhe Kinës.
Nëndetëset amerikane
Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike në orët e vona të së hënës, ndërkohë që Seuli dhe Uashingtoni po shtojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Javën e kaluar në Korenë e Jugut mbërriti një nëndetëse amerikane që ka kapacitetin për armë bërthamore, dislokimi i parë i tillë që nga viti 1981.
Gjithashtu, një nëndetëse e dytë amerikane, USS Annapolis, e cila funksionon me energji bërthamore, mbërriti në një bazë detare të Koresë së Jugut të hënën.
Marrëdhëniet mes dy Koreve janë aktualisht në një nga pikat historikisht më të ulëta, pasi diplomacia midis Phenianit dhe Seulit ka ngecur dhe udhëheqësi koreanoverior Kim ka bërë thirrje për rritjen e prodhimit të armëve, përfshirë armët taktike bërthamore.
Tensionet janë rritur sërish kohët e fundit për shkak të ushtarit amerikan Travis King, i cili kaloi nga zona e çmilitarizuar javën e kaluar drejt kufirit të Koresë së Veriut.
Komanda e OKB-së, një forcë shumëkombëshe e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që mbikëqyr armëpushimin e Luftës së Koresë, tha të hënën se ka filluar bisedimet me Phenianin për ushtarakun amerikan.