Izrael, Miratohet reforma e debatueshme e gjyqësorit 

JERUSALEM – Deputetët izraelitë të hënën miratuan nismën gjyqësore të nxitur nga Kryministri Benjamin Netanjahu për të reformuar sistemin gjyqësor përkundër protestave të shumta që kanë shkaktuar përçarje të pashembullt në shoqërinë izraelite.

Votimi u mbajt në një atmosfere të tensionuar, në një seancë që deputetët e opozitës e quajtën “të turpshme” dhe e braktisën. Miratimi i planit dëshmon përkushtimin e Kryeministrit Netanjahu dhe aleatëve të tij të krahut të djathtë ekstrem, që ta realizojnë atë përkundër kundërshtive brenda shoqërisë izraelite, prishjes së kohezionit brenda ushtrisë së fuqishme të Izraelit dhe kritikave nga aleati i saj më i afërt, Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë bëri thirrje sot për dialog politik në Izrael.

“Presidenti Biden është shprehur publikisht dhe privatisht se, në demokraci, që ndryshimet madhore të kenë jetë të gjatë, kërkojnë një konsensus sa më të gjerë. Është për të ardhur keq që miratimi i ligjit sot u bë me shumicën më të vogël të mundshme,” deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Refoma parasheh ndryshime të shumta që do të kufizojnë kompetencat e gjyqësorit, përfshirë kompetencat e Gjykatës së Lartë për të sfiduar vendimet e kuvendit dhe për të ndryshuar mënyrën si zgjedhen gjykatësit. Kryeministri Netanyahu dhe aleatët e tij thonë se ndryshimet janë të nevojshme për të kufizuar kompetencat e gjykatësve, që nuk janë të zgjedhur, por janë të emëruar.

Protestuesit, që përfaqësojnë një spektër të gjerë të shoqërisë izraelite, e konsiderojnë reformën në përgjithësi si përpjekje për kontroll, të nxitur nga shqetësimet personale dhe politike të zotit Netanyahut, i cili po përballet me një proces gjyqësor për korrupsion,

Të hënën deputetët miratuan një ligj, që i pengon gjykatësit për të rrëzuar vendimet e qeverisë mbi bazën se janë “të paarsyeshme.” Vendimi u miratua nga 64 deputetë dhe asnjë vote kundër, meqë opozita e braktisi seancën.

Pas votimit, Ministri i Drejtësisë, Yariv Levin, arkitekti i planit, tha se parlamenti ka bërë një “hap të parë në një process të rëndësishëm historik” për të reformuar gjyqësorin.

Pritet që protestat të shtrihen më tej. Lëvizja për Qeverisje Cilësore, organizatë e shoqërisë civile, menjëherë deklaroi se do ta ankimojë ligjin e ri duke e dërguar në Gjykatën e Lartë.

Organizata e dënoi miratimin e ligjit, duke thënë se “qeveria e ekstremistëve po dëshmon se synon t’ua imponojë ideologjinë e saj periferike miliona qytetarëve.”

“Askush nuk mund të parashikojë nivelin e dëmit dhe tensioneve shoqërore që do të shoqërojnë kalimin e këtij ligji,” theksoi organizata.

Protestuesit, shumë prej të cilëve mendojnë që plani qeveritar po cënon themelet e shtetit të tyre, bllokuan rrugët që çojnë në parlament; disa komplekse tregtare e pika karburantesh u mbyllën në shenjë proteste.

Duke shtuar presionin ndaj zotit Netanyahut, mijëra rezervistë ushtarakë kanë shprehur refuzimin e tyre për t’i shërbyer një qeverie, për të cilën ata thonë se po çon vendin drejt diktaturës. Këto veprime kanë nxitur frikë që gadishmëria e ushtrisë do të komprometohet.

Para votimit të së hënës, udhëheqësi opozitar Yair Lapid deklaroi se “jemi nisur drejt katastrofës.”

Votimi u mbajt vetëm disa orë pasi zoti Netanjahu doli nga spitali, ku ishte shtruar me urgjencë për të vendosur një ‘pacemaker’ në zemër.

Shtrimi i tij në spital, e bëri edhe më dramatike situatën, e cila po ndiqet me vëmendje nga Uashingtoni. Administrata e Presidentit Baiden ka reaguar shpesh kundër qeverisë së Kryeministrit Netanjahut dhe planit të tij për reformën gjyqësore.

Presidenti Baiden është shprehur kritik edhe ndaj hapave të qeverisë izraelite për zgjerimin e vendbanimeve hebraike në Bregun e pushtuar Perëndimor.