Parlamenti izraelit voton nismën ligjore për kufizimin e kompetencave të Gjykatës Supreme

APTOPIX Israel Politics

Deputetët izraelitë ratifikuan të hënën ligjin e parë të një reforme kundërthënëse të sistemit gjyqësor, që ka për qëllim kufizimin e kompetencave të Gjykatës së Lartë. Mijëra protestues marshuan rrugëve të Jerusalemit dhe u përplasën me policinë për të kundërshtuar këtë nismë, që ata e konsiderojnë si rrëshqitje të Izraelit drejt diktaturës. Reforma, e nxitur nga qeveria e përbërë nga parti ultra-nacionaliste dhe ultra-fetare në Izrael, është kundërshtuar për gjashtë muaj me protesta të ashpra.

Your browser doesn’t support HTML5

Parlamenti izraelit voton nismën ligjore për kufizimin e kompetencave të Gjykatës Supreme

Në një atmosferë të tensionuar, ligji, pjesë e pakos kundërthënëse që kufizon kompetencat e Gjykatës së Lartë, u miratua nga Knesseti mes protestave të ashpra të deputetëve të opozitës, duke e thelluar më tej krizën politike në Izrael.

Qeveria e Izraelit, e udhëhequr nga nacionalistët, këmbëngul se refoma gjyqësore është e domosdoshme për të kufizuar autonominë e gjykatëseve që janë të emëruar dhe jo të zgjedhur në pozitat e tyre.

Ministri i Drejtësisë, Yair Levin, e quajti ratifikimin e ligjit, fillim të një procesi historik.

“Është një moment i jashtëzakonshëm. Ne bëmë hapin e parë, në një proces historik për të ndryshuar sistemin e drejtësisë dhe për t’i kthyer qeverisë dhe parlamentit të drejtat që u janë marrë ,” tha zoti Levin.

Në seancën plenare mori pjesë edhe Kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili një ditë më parë, u shtrua me urgjencë në spital për të vendosur një ‘pace-maker” pas shqetësimeve shëndetësore ditëve të fundit.

Partitë opozitare paralajmëruan se reforma e gjyqësorit cënon demokracinë në Izrael.

"Javëve të fundit, dhe sidomos në këto 48 orët e fundit, bëmë çdo përpjekje për të arritur një marrëveshje gjithpërfshirëse, siç premtuam. Por, ne kemi kushte dhe kushti kryesor është ruajtja e demokracisë izraelite. Me këtë qeveri është e pamundur arritja e marrëveshjes që të garantojë demokracisë e Izraelit, por nuk do të dorëzohemi. Ata duan që ta coptojnë shtetin dhe demokracinë, sigurinë e Izraelit dhe marrëdhëniet tona ndërkombëtare. Andaj, nuk ka shtegdalje sepse është qeveria më e papërgjegjshme që ka ekzistuar ndonjëherë,” tha zoti Lapid.

Deputetët opozitarë në Knesset brohoritën “turp” dhe braktisën seancën në prag të votimit të ligjit.

Ratifikimi i ligjit, i pari i reformës së drejtësisë, nxiti protesta të ashpra në Jerusalem. Mijëra protestues izraelitë u mblodhën para parlamentit dhe u përplasën me policinë në vazhdën e protestave gjashtë-mujore për të kundërshtuar reformën ligjore.

Policia përdori pompa uji për të shpërndarë demonstruesit. Protestuesit përfaqësojnë një spektër të gjerë politik në Izrael.

“Jemi shumë të shqetësuar që ligji i parë i kësaj reforme do të kalojë dhe ky është guri i parë që mund të rrënojë tërë murin e demokracisë. Do të jetë guri i parë që do të anulojë pavarësinë e Gjykatës së Lartë. Nëse Gjykata e Lartë humbet pavarësinë e saj, Izraeli do të pushojë së qeni demokraci e vërtetë,” thotë kjo protestuese.

Protestuesve iu bashkuan edhe bizneset të cilat disa orë para seancës parlamentare mbyllën dyert në shenjë proteste ndaj planeve të qeverisë dhe Knesset-it. Si rezultat, kompleset kryesore tregëtare dhe disa pika karburantesh nuk u hapën të hënën.