Paqartësi pas zgjedhjeve në të cilat e djathta spanjolle dështoi të sigurojë shumicën

Spanja mund të përballet me javë, madje edhe muaj të bllokimit politik dhe ndoshta me një palë zgjedhje të reja, por votimet e së dielës prodhuan një rezultat që do të përshëndetet me lehtësim në kryeqytetet kontinentale që sikurse Madridi mbështesin fort Bashkimin Evropian.

Partia Vox e Spanjës, me prirjen e saj ultra-nacionaliste, humbi mbështetjen mes votuesve në zgjedhjet e së dielës, duke rrënuar shpresat e saj për të qenë një “lojtare e fortë” dhe për t’u bërë pjesë e një koalicioni qeverisës, që do t'i kishte dhënë të djathtës ekstreme pjesën e saj të parë të pushtetit në Spanjë që nga diktatura e shekullit të kaluar të Francisco Frankos.

Partia Popullore konservatore fitoi zgjedhjet, por doli shumë më poshtë sesa parashikimet e anketave sipas të cilave ajo do ta rrëzonte kryeministrin socialist Pedro Sánchez, nëse formonte një qeveri me Vox-in.

Edhe pse socialistët e Pedro Sánchezit përfunduan në vendin e dytë, ata dhe partitë aleate e festuan rezultatin si një fitore pasi forcat e tyre të kombinuara fituan pak më shumë vende se Partia Popullore dhe Vox-i. Blloku që ka të ngjarë të mbështesë Sánchezin ka gjithsej 172 vende, ndërsa e djathta 170.

"Ishte një fitore e Pirros për Partinë Popullore, e cila nuk është në gjendje të formojë një qeveri", tha analistja politike Verónica Fumanal, duke shtuar se "shoh një skenar bllokimi në parlament".

Rezultati më i ngushtë nga sa pritej, ka të ngjarë të prodhojë javë të tëra lojërash politike dhe pasigurie mbi udhëheqjen e ardhshme të Spanjës.

Votuesja socialiste Delphine Fernández tha se shpreson që zoti Sánchez të mund të qëndrojë në pushtet. Ajo po lutej që bashkë me 37 milionë spanjollët me të drejtë vote të mos duhet ta bëjnë çdo gjë nga e para si në vitin 2019, kur zoti Sanchez iu desh të shënonte dy fitore radhazi në zgjedhje përpara se të ishte në gjendje të krijonte një qeveri koalicioni.

“Gjithmonë do të jetë e vështirë. Tani jemi (praktikisht) duarlidhur, por le të shohim nëse mund të qeverisim akoma”, tha Fernández, një avokat. “Nuk dua të votoj më pas disa javësh. Ose tani ose kurrë”.

Por, shanset që zoti Sanchez të fitojë mbështetjen e nevojshme të 176 ligjvënësve për të siguruar një shumicë absolute në Dhomën e Ulët të parlamentit në Madrid, nuk janë të mëdha.

Rezultatet e ngushta e kanë bërë partinë separatiste katalanase Junts (Së bashku) thelbësore për formimin e qeverisë së zotit Sánchez. Por nëse Junts do të kërkonte një referendum mbi pavarësinë për Katalonjën verilindore, ka të ngjarë të ishte një çmim shumë i lartë për Pedro Sanchezin.

“Nuk do ta bëjmë Pedro Sánchezin kryeministër në këmbim të asgjëje”, tha Miriam Nogueras nga partia Junts.

Me 98 për qind të votave të numëruara, Partia Popullore ishte në rrugën e duhur për të siguruar 136 mandate. Edhe me 33 vendet e Vox-it të së djathtës së skajshme dhe një vend që do t'i shkonte një partie aleate, Partia Popullore do të ishte ende shtatë vende larg shumicës.

Socialistët siguruan 122 vende, dy më shumë se sa kishin më parë. Zoti Sánchez ka të ngjarë të llogaris në 31 vendet e partnerit të tij të vogël të koalicionit Sumar (Forcat e Bashkuara) dhe disa parti më të vogla, por mund të ketë katër vende me pak për të siguruar shumicën nëse Junts nuk do t'i bashkohej atij.

“Spanja dhe të gjithë qytetarët që kanë votuar e kanë bërë të qartë. Blloku me pikëpamje të prapambetur që donte të zhbënte gjithçka që ne kemi bërë, ka dështuar”, i tha Sanchez një turme që po kremtonte në selinë e socialistëve në Madrid.

Pasi partia e tij u mund në zgjedhjet rajonale dhe lokale në maj, zoti Sanchez mund të kishte pritur deri në dhjetor për t'u përballur me një palë zgjedhje kombëtare. Në vend të kësaj, ai i habiti rivalët e tij duke shpallur zgjedhjet me shpresën për të fituar një shtysë më të madhe nga mbështetësit e tij.

Udhëheqësi i Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijóo, pretendoi të drejtën për t'u përpjekur të formojë një qeveri si partia më e votuar në zgjedhje, megjithëse duket e pamundur të sigurojë një shumicë.

“Ne i kemi fituar zgjedhjet. Na takon të formojmë një qeveri siç ka ndodhur gjithmonë në demokracinë spanjolle,” tha ai.

Parlamenti i ri i Spanjës do të mblidhet brenda një muaji. Mbreti Felipe VI më pas emëron një nga udhëheqësit e partive për ta formuar një qeveri të re. Ligjvënësit kanë një periudhë maksimale prej tre muajsh për të arritur një marrëveshje. Përndryshe, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.