Greqi, evakuuimi nga ishulli i Rodosit, më masivi nga zjarret në vend

Rreth 19,000 persona janë evakuuar nga ishulli grek i Rodosit ndërsa zjarret vazhdojnë për të gjashtën ditë në tre fronte, thanë autoritetet greke të dielën.

Ministria e Ndryshimeve Klimatike dhe Mbrojtjes Civile tha se ishte “evakuimi më i madh nga zjarret në vend”.

Policia lokale tha se 16,000 vetë u evakuuan nga toka dhe 3,000 nga deti nga 12 fshatra dhe disa hotele. Gjashtë persona u trajtuan për një kohë të shkurtër në një spital për probleme me frymëmarrjen.

Një person që ra dhe theu këmbën gjatë evakuimit në hotel dhe një grua shtatzënë mbetën të shtruar në spital. Autoritetet thanë se gruaja ishte në gjendje të mirë.

Agjencitë turistike TUI dhe Jet2 anuluan fluturimet për në Rodos. Jet2 tha se po anulonte pesë fluturime të rregullta për pasagjerët për në ishull të dielën, por do të dërgonte avionë në Rodos për të evakuuar klientët e vet.

TUI tha se po anulonte të gjitha fluturimet për në ishull të paktën deri të martën. Një agjent i një kompanie turistike në Rodos, Stelios Kotiadis konfirmoi për Associated Press se evakuimi po bëhej me nxitim.

“Ka pasur panik. ... Autoritetet ishin të mbingarkuar,” tha ai. Megjithatë ai shtoi se hotelet e braktisura “janë në gjendje shumë më të mirë sesa njoftohet në mediat sociale. ... Ata do të jenë gati të rihapen shumë shpejt nëse Mbrojtja Civile hap dritën e gjelbër.”

Zoti Kotiadis tha se ai dhe agjentë të tjerë udhëtimi dërguan autobusë në juglindje të ishullit për të marrë turistët e evakuuar. Ai shtoi se 90% e turistëve të evakuuar janë nga vendet evropiane.

Ambasadori britanik në Greqi, Matthew Lodge, tha se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po dërgonte një ekip të shpejtë për t’u shërbyer shtetasve britanikë në Rodos.

Ministria e Punëve të Jashtme greke tha se po dërgonte personel në Aeroportin Ndërkombëtar të Rodosit për të ndihmuar turistët e huaj që kanë humbur dokumentet e udhëtimit.

Zëdhënësi i Brigadës së Zjarrfikësve, Yannis Artopios tha se deri të dielën pasdite, 266 zjarrfikës dhe 49 automjete zjarrfikëse po punonin në terren, së bashku me qindra vullnetarë.

Dhjetë avionë zjarrfikës, përfshirë dy nga Franca, dy nga Turqia dhe një nga Kroacia, si dhe tetë helikopterë po veprojnë në atë zonë. Bashkimi Evropian ka dërguar përforcime të konsiderueshme.

“Mbi 450 zjarrfikës dhe shtatë avionë nga BE-ja janë dislokuar në Greqi ndërsa zjarret vazhdojnë të përhapen në të gjithë vendin”, tha të dielën në Twitter Komisioneri i BE-së për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic.

Në pjesën malore të Rodosit, një front aktiv i zjarreve, zjarrfikësit janë përpjekur të ndalojnë përhapjen e flakëve në pyjet e dendura aty pranë.

Temperaturat në Greqi vazhduan të ishin të larta të dielën. Që para mesditës, temperaturat kishin arritur 38 gradë Celsius.

Disa nga të evakuuarit, përfshirë turistë, po strehohen në hotele të tjera, palestra dhe një qendër konferencash. Një kompani transporti ka ofruar një nga anijet e saj për strehim. Agjenti i udhëtimit, Kotiadis i tha agjencisë Associated Press se po përdoreshin tre anije.

Zjarre shpërthyen të dielën edhe në pjesë të tjera të vendit. Gjendja më e rëndë ishte në Evia, ishulli i dytë më i madh i Greqisë, ku autoritetet u thanë banorëve të katër fshatrave jugore që të evakuoheshin në qytetin Karystos, në perëndim të zonë ku po përhapej zjarri.

Zëvendësguvernatori i Greqisë Qendrore, Giorgos Kelaiditis, i cili ishte pranë njërit prej fshatrave, i tha agjencisë shtetërore ANA-MPA se situata është e vështirë:

“Zjarri mund të jetë 2 kilometra larg, por era është e fortë, tymi i dendur dhe është vështirë për frymëmarrjen,” tha ai.

Përveç Rodosit dhe Evias, autoritetet shpallën një pjesë të madhe të territorit grek, si zonën me rrezikshmërinë më të lartë nga zjarret. Një pjesë tjetër e vendit u deklarua si shumë e rrezikuar nga zjarret.