Zyrtarët amerikanë vazhduan këtë javë përpjekjet për të krijuar një dialog me Kinën, ndërkohë që ligjvënësit amerikanë mbajtën seanca dëgjimore me paralajmërime serioze për rreziqet ndaj sigurisë kibernetike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, njofton lidhur me angazhimet e fundit në marrëdhëniet SHBA-Kinë.
Your browser doesn’t support HTML5
Në një kohë tensionesh në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Pekinit, Presidenti kinez Xi Jinping mirëpriti në Kinë ish-Sekretarin amerikan të Shtetit, Henry Kissinger. Presidenti kinez vuri në dukje se zoti Kissinger, i cili mbushi 100 vjeç në maj, e ka vizituar Kinën mbi 100 herë që nga vitet 1970.
“Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë qendrore për paqen në botë”, tha zoti Kissinger.
I dërguari amerikan për klimën John Kerry gjithashtu vizitoi Pekinin për të rikthyer dialogun për çështjet mjedisore, pasi Kina i ndali këto bisedime në gusht në përgjigje të vizitës së atëhershme të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në Tajvan.
“Të gjithë shpresojmë që asgjë nuk do të na pengojë që të trajtojmë krizën klimatike, pasi siç e thashë më parë, ajo nuk pret për shkak të gjërave të tilla”, tha zoti Kerry.
Kinën e vizitoi edhe Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen. Ajo foli për përqasjen amerikane nga Vietnami ku vazhdoi vizitën e saj.
“Po përpiqemi të mbështesim qëndrueshmëri më të madhe në zinxhirët tanë të furnizimit. Dhe kjo nuk do të thotë që ta bëjmë gjithçka vetë. Dhe në rastin tonë nuk do të thotë që t’i japim fund marrëdhënieve tregëtare me Kinën. Por, duam të krijojmë partneritete me më shumë vende”, tha zonja Yellen.
Ambasadori i Kinës në Shtetet e Bashkuara i tha Forumit Aspen të Sigurisë të mërkurën se vendi i tij nuk kërkon konflikt me Shtetet e Bashkuara.
“Kina është kundër çdo lloj lufte tregëtare, lufte teknologjike me pretekstin e konkurrencës. Kina nuk i druhet konkurencës, por përkufizimi i konkurrimit nga pala amerikane mendoj se nuk është i drejtë”, tha Xie Feng, ambasador i Kinës në Shtetet e Bashkuara.
Por, Shtëpia e Bardhë i tha Zërit të Amerikës se komunikimi mes strukturave ushtarake të dy vendeve vazhdon të jetë i mbyllur.
“Duhet të ekzistojë mundësia e komunikimit normal, për t’u përpjekur për të ulur tensionet dhe për të shmangur keqkuptimet. Kur mjetet detare ushtarake lundrojnë kaq pranë njëra-tjetrës, kur në qiej avionët fluturojnë shumë afër, mundësia e një gjykimi të gabuar vetëm shtohet nëse nuk bisedojmë me njëri-tjetrin”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Ligjvënësit amerikanë dëgjuan paralajmërimet e zyrtarëve kryesorë të energjitikës se Kina përbën një kërcënim serioz për rrjetin energjitik dhe sigurinë kibernetike, duke shkaktuar kritika nga ministria e jashtme kineze.
“Shtetet e Bashkuara nuk duhet të bëjnë akuza të pabaza apo të njollosin vendet e tjera për qëllime politike, por duhet të ndalin sulmet kibernetike ndaj të tjerëve dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar për të ruajtur vërtet sigurinë kibernetike”, tha Mao Ning, zëdhënëse e ministrisë së jashtme kineze.
Senati amerikan filloi këtë javë debatin për një projektbuxhet të madh për mbrojtjen, që përmban disa masa në lidhje me Kinën.
“Këto investime forcojnë avantazhin tonë në fushëbetejë, shfrytëzojnë dobësitë e kundërshtarit dhe trajtojnë sfidat jetike operacionale në rajonin Indo-Paqësor. Na ofrojnë kapacitete që do të shërbejnë për të forcuar efektin parandalues, nëpërmjet përgatitjes për të fituar në një konflikt”, tha Ely Ratner, Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë në Indo-Paqësor.
Kina pritet të jetë një çështje kryesore edhe javën e ardhshme kur Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin do të udhëtojnë drejt rajonit Indo-Paqësor.