Në Shqipëri Prokuroria e Posaçme njoftoi sot se ka sekuestruar 4 apartamente në pronësi të ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe dy llogari bankare të tij ku ishin depozituar mbi 124 mijë euro. Po ashtu është ushtruar kontroll në 7 banesa ku janë sekuestruar dokumenta, telefona dhe kompjutera me interes për hetimin. Nga jashtë vendit, zoti Ahmetaj reagoi duke deklaruar se kjo e sotmja ishte raptezalja e radhës në familjen e tij
Your browser doesn’t support HTML5
Katër ditë pasi parlamenti autorizoi, arrestimin e ish zëvendëskryeministrit Ahmetaj, Prokuroria e Posaçme ushtroi sot kontrolle në banesa të tij dhe të afërmve të tij, ndërsa vuri në sekuestro disa pasuri dhe llogari bankare.
Në një njoftim të sajin, Prokuroria bëri të ditur se ajo ka vepruar në bazë të dy vendimeve të gjykatës së Posaçme të marrë dje dhe pardje. Zoti Ahmetaj dyshohet për të paktën tre vepra penale, nga korrupsioni, të fshehja apo mos deklarimi i pasurisë dhe pastrimi i parave. Nën sekuestro preventive janë vënë katër apartamente (njëri i përshtatur si AIR BNB) në pronësi të Ahmetajt si dhe dy llogari bankare po në emër të tij, ku gjendeshin të depozituara 124 300 euro.
Nga ana tjetër, kontrollet kanë përfshirë 7 banesa në pronësi të tij dhe të afërmve të zotit Ahmetaj ku Prokuroria tha se “janë gjetur dhe sekuestruar dokumente me interes për hetimin si dhe kompjuter lap – top, telefona celularë apo dhe USB”, të cilatpritet t’i nënshtrohen verifikimeve të specializuara.
Zoti Ahmetaj, i cili u largua nga Shqipëria ditën që Prokuroria e Posaçme firmosi kërkesën për arrestimin e tij drejtuar parlamentit, reagoi në Facebook për zhvillimet e sotme duke folur për “raprezaljen e rradhës në familjen time, nga mosha 82 vjeç e poshtë. Madje të moshuarve u janë marrë dhe celularët, në kërkim të provave për “inceneratorët”, shkruajti ai.
Duke ju referuar një deklarate mediatike për transferimine mundshëm të 1.8 milionë eurove nga ana e ish zëvendëskryeministrit, ky i fundit duket qartë se shigjetoi njerëz të qeverisë të cilët madje i etiketoi si “kontakt inceneratorësh”, ndërsa shtoi se “në vend të merren me fondet e inceneratorëve, merren me 1.8 milionë euro imagjinarë”.
Të premten e shkuar autorizimi për arrestimin e zotit Ahmetaj mori një mbështetje thuajse unanime në parlament. Por kjo çështje rihapi debatet politike për rastin e inceneratorëve. Grupi i Partisë Demokratike dhe deputetët që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha paraqitën dy kërkesa për mocion me debat urgjent dhe interpelancë urgjente me kryeministrin, të cilat u hodhën poshtë nga shumica.
“Urgjencën e çmuam atëherë kur ishte urgjente dhe ushtruam kontrollin parlamentar. Sot pas tre vjetësh ajo nuk është më një çështje urgjente që duhet të përfshihet në seanvën pasardhëse. E parashikon regullorja, kur të vijë rradha, patjetër mund të bëjmë debat, dhe ne nuk kemi asnjë lloj frike për të bërë debat, pasi ne e kemi ushtruar detyrën tonë me përgjegjshmëri”, deklaroi pas Konferencës së kryetarëve Toni Gogu, nënkryetar i grupit socialist.
Por kreu i grupit demokrat Gazmend Bardhi e konsideroi të papranueshëm këtë qëndrim të shumicës, duke u shprehur se “rrethi në të cilin kryetarja e Kuvendit, për fat të keq, e ka futur veprimtarinë parlamentare, është një rreth i rrezikshëm. Nga njëra anë shohim se si vidhen paratë e qtetarëve shqiptarë, dhe nga ana tjetër dhunohen të drejtat e opozitës, të drejta që ia njeh kushtetuta dhe rregullorja e parlamentit. Shndërrimi i parlamentit, nga parlament që mbron interesat e qytetarëve, në dyqan personal që financon arratinë e Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos, është i papranueshëm”.
Seanca e radhës e parlamentit e parashikuar për pas dy ditësh, pritet kështu të zhvillohet mes tensionesh të larta në sallë me opozitën të vendosur që debate me kryeministritin të zhvillohet po atë ditë.