Kosova dhe Serbia të mërkurën në Bruksel për uljen e tensioneve dhe marrëveshjen e normalizimit

Nga një takim i mëhershëm në Bruksel

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, janë ftuar për të mërkurën në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit për normalizimin e marrëdhënieve dhe veprimet për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Takimi i së mërkurën pason pajtimin e arritur më 10 korrik ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës për shtensionimin e situatës në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Qeveria e Kosovës tashmë ka ulur për 25 për qind praninë e forcave policore në ndërtesat komunale dhe është pajtuar të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

Lexoni edhe këtë Kurti: Pajtimi me BE-në për shtensionimin në veri rikthen barazinë në bisedimet me Serbinë

“Prej javës së kaluar e kemi zvogëluar prezencën e Policisë së Kosovës për 25 për qind në tri ndërtesat komunale në veri. Tani kemi nisur t’ua hapim rrugëve zgjedhjeve të parakohshme. Kosova është duke e zbatuar marrëveshjen e arritur me BE-në, në Bratisllavë, për shtensionimin e situatës”, shkroi të martën në rrjetet sociale, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Tensionet u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët.

Diplomacia perëndimore që atëherë ka kërkuar uljen e tensioneve përmes pezullimit të operacioneve policore në veri, zhvendosjes së kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.

Takimi i nesërm mund të shënojë një periudhë të re zhvillimesh për të ulur tensionet që u përshkuan me veprime të dhunshme dhe nxitën shqetësime për ripërtëritje konfliktesh në zonën e trazuar të Kosovës.