Një muaj pasi u ngritën akuzat ndaj ish-Presidentit Donald Trump për mbajtjen e paautorizuar të dokumentave të klasifikuara, gjykatësja e kësaj çështjeje gjyqësore pritet të marrë një rol më të dukshëm, ndërsa do të shqyrtojë këtë javë kërkesat për caktimin e një date për gjyqin dhe do të dëgjojë argumentat për aspekte proceduriale, por të cilat mund të rezultojnë me rëndësi.
Një seancë paraprake do të shqyrtojë të martën procedurat për informacionin e klasifikuar. Kjo do të jetë hera e parë që do të paraqiten argumentat në sallën e gjyqit përpara gjykatëses Aileen Cannon, që kur u ngritën akuzat ndaj ish-Presidentit Trump pesë javë më parë. Kjo seancë paraprake mund të ofrojë edhe tregues se si synon ajo ta gjykojë çështjen, ndërsa përballet edhe me pikëpyetjen se çfarë afatesh kohore do të përcaktohen për gjyqin e ish-presidentit, ndërkohë që ai po bën fushatë për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.
Këto aspekte do të ndiqeshin me vëmendje në çdo proces gjyqësor ndaj një ish-presidenti. Por Gjykatësja Cannon mund të përballet me vëmendje më të madhe për shkak të një vendimi që ajo dha vitin e kaluar, kur miratoi kërkesën e ekipit ligjor të ish-Presidentit Trump për caktimin e një eksperti të posaçëm që do të bënte një shqyrtim të pavarur të dokumentave që FBI-ja mori nga prona e tij Mar-a-Lago. Një trupë gjyqësore në apel, e përbërë nga tre gjykatës federalë, e rrëzoi vendimin e saj, dhe e kritikoi gjykatësen Cannon duke u shprehur se ajo nuk kishte kompetenca ligjore për ta marrë një vendim të tillë.
Vendimi i gjykatëses Cannon, pas një padie që ish-Presidenti Trump bëri ndaj Departamentit të Drejtësisë, u prit me kritika nga ekspertët ligjorë, të cilët e konsideruan qëndrimin e saj si një favorizim të tepruar të ish-presidentit. Vendimi gjithashtu e përqëndroi vëmendjen e publikut tek eksperienca e saj e kufizuar si gjykatëse, në veçanti për çështjet jashtëzakonisht delikate të sigurisë kombëtare, si dhe duke qenë se ishte emëruar në këtë detyrë vetëm tre vite më parë nga vetë ish-Presidenti Trump.
Sidoqoftë, disa juristë në Florida thonë se nuk ka dyshim se gjykatësja, të cilës tashmë i është caktuar çështja penale ndaj ish-Presidentit Trump, është e vetëdijshme për rëndësinë e këtij procesi që ka mundësinë të shndërrohet në procesin gjyqësor me më shumë pasoja të kohëve të fundit.
“Ajo nuk do të dëshironte të bënte asgjë tjetër, përveç se të ndiqte rregullat e hartuara. Problemi është se nuk ekzistojnë rregulla në këtë rast”, thotë Kendall Coffey, ish-prokuror në Majami, i cili ishte pjesë e komisionit këshillimor që shqyrtoi aplikimin e zonjës Cannon për t’u bërë gjykatëse. Ai thotë se ishte impresionuar nga karriera e saj dhe se ka besimin se ajo do të drejtojë çështjen me paanësi.
“Mendoj se ajo do të dojë që të vlerësohet lart për drejtimin e kësaj çështjeje”, tha zoti Coffey.
Jeffrey Garland, jurist i çështjeve penale në Fort Pierce, Florida – vendi ku ka selinë gjykata e zonjës Cannon – e lavdëron Gjykatësen Cannon për drejtimin e një procesi gjyqësor vitin e kaluar, ku ai përfaqësoi një të klient “shumë të vështirë”, që ishte akuzuar për hedhjen e një karrigeje drejt një prokurori federal.
“Ajo arriti të ruajë dinjitetin e gjykatës dhe sjelljen në sallën e gjyqit, dhe mundi të ushtrojë kontroll në mënyra që nuk ishin kërcënuese”, tha zoti Garland, duke shtuar se mendon se Gjykatësja Cannon do të jetë në gjendje të veprojë po kështu edhe me çështjen e ish-Presidentit Trump. “Mendoj se ajo e kupton se kështu duhet të veprojë një gjykatëse federale në një rast të tillë. Kjo vlen për çdo çështje gjyqësore, por në veçanti për një çështje të tillë”.
Gjykatësja Cannon u diplomua në Universitetin Duke dhe u lind në Kolumbi në një familje emigrantësh kubanë. Ajo punoi si ndihmëse për një gjykatës dhe si ndihmës prokurore në Florida, ku arriti të ngrejë akuza në kuadrin e disa dhjetëra çështjeve gjyqësore si pjesë e punës në Divizionin e Krimeve të Rënda dhe më tej vazhdoi përballjen me çështjet në apel dhe gjatë dhënies së dënimeve përfundimtare, përpara se të emërohej gjykatëse nga ish-Presidenti Trump në vitin 2020. Ajo ka qenë gjithashtu anëtare e “The Federalist Society”, një organizatë ligjore konservatore.
Vendimi i saj shtatorin e kaluar për padinë e ish-Presidentit Trump, e vendosi në epiqendër të vëmendjes, pasi ndali praktikisht aspekte themelore të hetimit të Departamentit të Drejtësisë për marrjen e paautorizuar të dokumentave të klasifikuara. Kur rrëzoi vendimin e gjykatëses Cannon, gjykata e apelit u shpreh se nëse do ta kishte lënë në fuqi, do të kishte lejuar “një transformim radikal të legjislacionit që kufizon ndërhyrjen e gjykatave federale në hetimet penale”.
Si gjykatësja e caktuar për çështjen penale ndaj ish-Presidentit Trump, ajo do të ketë autoritetin të japë vendime që mund të ndikojnë tek drejtimi që do të marrë çështja, përfshirë për evidencën që mundet të pranohet apo jo, si dhe nëse duhet përparuar me shpejtësi drejt një procesi gjyqësor, apo nëse duhet miratuar kërkesa e ekipit ligjor të ish-Presidentit Trump për ta shtyrë datën e gjyqit.
Prokurorët dhe avokatët kanë mendime të kundërta përsa i përket datës së gjyqit, një çështje me pasoja domethënëse ligjore dhe politike. Departamenti i Drejtësisë ka propozuar 11 dhjetorin për datë të gjyqit, ndërsa avokatët mbrojtës kanë sugjeruar që të shtyhet deri pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, duke vënë në dukje vështirësinë e caktimit të një date ndërkohë që zoti Trump konkuron për të marrë emërimin e Partisë Republikane, si dhe aspekte ligjore që ata thonë se janë “të pazakonta” dhe komplekse.
Nuk është e qartë se kur do të zgjidhet kjo çështje.
Seanca paraprake e së martës do të përqëndrohet tek Ligji për Procedurat e Informacionit të Klasifikuar, një ligj i vitit 1980 që qeveris mënyrën se si trajtohet informacioni i klasifikuar në një hetim penal dhe që duket se do të ofrojë edhe një kuadër udhëzues për këtë çështje. Ligji synon të vendosë balancën mes nevojës së të akuzuarve për të patur qasje tek evidenca që prokurorët do të përdorin gjatë procesit gjyqësor, dhe dëshirës së qeverisë për të mbrojtur informacionin e klasifikuar.
Richard Serafini, avokat i çështjeve penale në Florida dhe gjithashtu ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë, tha se nuk mendon domosdoshmërisht se mungesa e përvojës së Gjykatëses Cannon në këtë fushë mund të shkaktojë ndonjë dëm, për shkak të precedentëve ekzistues të cilëve ajo dhe avokatët mund t’iu referohen për t’u konsultuar.
“Këto nuk janë gjëra që ndodhin për herë të parë. Nuk janë gjëra që ndodhin përditë, por nuk janë të llojit që të thuash se nuk ekziston asnjë precedent për to”, tha ai.
Sido që të shkojnë gjërat, tha zoti Coffey, “sytë e botës janë mbi të. Ajo është duke shkruar një kapitull të historisë”.