Prodhuesit kinezë të makinave elektrike vërshojnë në tregun britanik 

China EV Exports

Prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike po shtojnë përpjekjet e tyre për të dominuar tregun evropian. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Amy Guttman nga Londra, ata po bëjnë përparim në Britani, ku ka një interesim të madh të konsumatorëve për të blerë makina elektrike me kosto më të ulët.

Në panairin e makinave në Shangai në fillim të këtij viti, makinat elektrike ishin në qendër të vëmendjes. Makinat Polestar dhe BYD janë pjesë e një vale të makinave elektrike kineze që po vërshojnë tregun në Britani dhe Bashkimin Evropian. Kompanitë Polestar dhe BYD janë në mesin e shtatë prodhuesve kinezë të makinave elektrike që filluan të shfaqen në Britani që nga viti 2019.

Fluksi i automjeteve kineze do të ketë një ndikim pozitiv në një treg të ngarkuar me sfida, thonë ekspertët e industrisë. Megjithëse Britania planifikon të ndalojë shitjet e makinave të reja me benzinë dhe naftë duke filluar nga viti 2030, shifrat e publikuar në fund të vitit të kaluar tregojnë se shitja e makinave elektrike shënoi rënie për herë të parë që nga viti 2021, kryesisht për shkak të problemeve të furnizimit. Pritjet e gjata, kapaciteti i vogël i baterive, mungesa e pikave publike të karikimit dhe çmimet e larta të makinave elektrike janë bërë gjithashtu pengesë për konsumatorët.

Banori i Londrës Arnaud Gernath bleu makinën e tij elektrike Audi në fund të vitit të kaluar dhe thotë se është ndeshur me disa sfida të ngjashme.

“Njerëzit mendojnë se energjia elektrike është më e lirë. Nuk jam dakord me këtë. Pronarëve të rinj të makinave elektrike u duhet një periudhë që të mësohen. Për shembull, makina duhet karikuar natën, kur çmimi i energjisë elektrike është më i ulët. Nuk duhet të përdorni shumë karikimin e shpejtë, sepse është më i shtrenjtë. Pra, duhet të bëni llogaritë vetë. Unë nuk e prisja një gjë të tillë”, thotë ai.

Për të shmangur sfidat e mundshme, shumë drejtues automjetesh vendosin të marrin me qira makina elektrike. Kompania britanike,

“Octopus Electric Vehicles” ka parë një interesim të shtuar për makinat elektrike dhe së fundmi njoftoi një partneritet me një nga prodhuesit më të mëdhenj të makinave elektrike në Kinë, BYD për blerjen e 5000 makinave në tre vitet e ardhshme.

Drejtuesja e kompanisë “Octopus Electric Vehicles”, Fiona Howarth thotë se ndryshimi i shpejtë i teknologjisë dhe pasiguria rreth vlerës së makinave të përdorura elektrike, tani e bëjnë më tërheqës opsionin e marrjes së tyre me qira.

“Klientët kanë pak frikë ta bëjnë këtë ndryshim. Është teknologji e re, ata nuk janë të sigurt se a do ta pëlqejnë atë dhe a mund të përshtaten me stilin e jetës së tyre, me nevojën e karikimit të makinës”, thotë ajo.

Bateria e makinës elektrike të kompanisë BYD ka një rreze të kufizuar prej 418 kilometrash, por zonja Howarth dhe të tjerët parashikojnë se, në përgjithësi, fluksi i makinave elektrike kineze do të krijojë konkurrencë më të madhe, duke rezultuar në çmime më të ulëta, më shumë stacione karikimi dhe shpërndarje më të shpejtë.

“Disa prodhues në Kinë janë plotësisht të integruar nga pikëpamja e prodhimit të makinave të tyre, nga mikroprocesorët, bateritë e deri tek montimi i automjeteve. Kjo u jep atyre kontroll të plotë në mënyrë që të jenë shumë të shpejtë në përmbushjen e kërkesave të klientëve të tyre në nivel global. Koha mesatare e pritjes për një makinë tonë elektrike është gjashtë deri nëntë muaj”, thotë ajo.

Për Arnaud Gernath, vendimi për të blerë një makinë elektrike mund të ketë qenë i parakohshëm, por ai është optimist për të ardhmen.

“Nuk jam i sigurt se do ta blija sërish. Mendoj se makinat elektrike kineze do të kenë një ndikim pozitiv, veçanërisht LiYoto sepse ajo nuk është tërësisht hibride, por me një karikim mund të udhëtojë më shumë se 1000 kilometra”, thotë ai.

Përvoja e zotit Gernath mund të nxisë drejtues të tjerë automjetesh të presin e të shohin se çfarë ndikimi do të sjellë rritja e konkurrencës, përpara se të blejnë një makinë elektrike.