KFOR: Përdorimi i dronëve në Kosovë vetëm me autorizim të komandantit të forcave paqeruajtëse

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja thanë të hënën se komandanti i KFOR-it e ka autoritetin parësor për hapësirën ajrore mbi Kosovën. Njoftimi u bë një ditë pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti, njoftoi blerjen e dronëve Bayraktar TB-2 nga Turqia.

Sa i përket përdorimit të të gjitha kategorive të dronëve dhe kufizimeve përkatëse, përfshirë dronët Bayraktar TB-2, në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, komandanti KFOR-it ka autoritetin parësor për hapësirën ajrore mbi Kosovën”, thuhet në komunikatën e forcave paqeruajtëse.

Më tej shpjegohet se hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për fluturime komerciale, ndërsa hapësira e poshtme ajrore mund të përdoret për nevoja të caktuara dhe sipas autorizimit të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it.

Presim që institucionet në Kosovë të sigurojnë bashkërendim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese”, thuhet në komunikatë, në të cilën theksohet se KFOR-i vazhdon të mbështesë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas mandatit të saj fillestar, përfshirë operacionet e mbrojtjes civile siç janë shuarja e zjarrit, asgjësimi i mjeteve shpërthyese, kërkimi dhe shpëtimi dhe trajtimi i materieve të rrezikshme. KFOR-i, përfundon komunikata plotësisht i përqendruar në sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Të dielën kryeministri Kurti u shfaq me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari dhe Ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj, me dronët e blerë nga Turqia duke theksuar se “Kosova tash është edhe më e sigurt”.

Lexoni edhe këtë Kosova paraqet dronët Bayraktar të blerë nga Turqia

Por autoritetet në Kosovë nuk folën për numrin e as çmimin e dronëve Bayraktar të cilët u bënë me emër pasi u përdorën nga ushtria e Ukrainës kundër forcave ruse.

Kosova e cila shpalli pavarësinë e saj 15 vjet më parë, në vitin 2018 miratoi ligjin për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri, në një proces dhjetë vjeçar.

Shfaqja e dronëve ndodhi në një periudhë kur janë shtuar përpjekjet perëndimore për të ulur tensionet në veri të Kosovës ku për gati dy muaj qytetarët serbë po kundërshtojnë vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga serbët.

Qeveria e Kosovës është pajtuar të zvogëlojë praninë e forcave të posaçme policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe, si pjesë e veprimeve për të ulur tensionet.

Gjatë kësaj jave pritet që kryenegociatorёt e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel për të vazhduar diskutimet mbi situatën në veri dhe zbatimin e një marrëveshjeje të arritur në Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.