Iran: Kthehet policia e moralit, rifillon zbatimi i detyrimit për mbulimin e grave

Autoritetet iraniane njoftuan të dielën një fushatë të re për të detyruar gratë të mbulojnë kokën dhe policia e moralit u rikthye në rrugë 10 muaj pasi vdekja Mahsa Aminit në paraburgim, shkaktoi protesta mbarëkombëtare.

Policia e moralit ishte tërhequr pothuajse plotësisht pas vdekjes së 22-vjeçares shtatorin e kaluar, ndërsa autoritetet u përpoqën të frenonin protestat masive ku u bë thirrje për përmbysjen e teokracisë që ka sunduar Iranin për më shumë se katër dekada.

Protestat u shuan përgjithësisht këtë vit pas kundërpërgjigjes së ashpër ndaj tyre, si pasojë e së cilës gjetën vdekjen mbi 500 protestues dhe u arrestuan afro 20,000.

Por shumë gra vazhduan të mos ta ndjekin kodin zyrtar të veshjes, veçanërisht në kryeqytetin Teheran dhe qytete të tjera. Policia e moralit u pa shumë rrallë duke patrulluar rrugët, dhe madje në dhjetor pati njoftime që më pas i hodhën poshtë, sipas së cilave ajo ishte shpërndarë.

Autoritetet këmbëngulën gjatë gjithë kohë së trazirave se rregullat nuk kishin ndryshuar.

Të dielën, gjenerali Saeed Montazerolmahdi, një zëdhënës i policisë, tha se policia e moralit do të rifillonte t’u tërhiqte vërejtjen dhe më pas të ndalonte gratë që nuk mbajnë hixhab në publik.

Të shtunën vonë, policia arrestoi aktorin e ri dhe relativisht të panjohur, Mohammed Sadeghi, duke bastisur shtëpinë e tij, videon e së cilës ai duket se e ka transmetuar në mediat sociale.

Më herët ai kishte postuar një video si kundërpërgjigje ndaj një videoje tjetër në internet ku shihet një grua që ndalohet nga policia e moralit. “Më besoni, nëse shoh një skenë të tillë, mund të kryej edhe vrasje”, tha ai.

Faqja e internetit e së përditshmes gjysmë zyrtare Hamshahri, e cila është e lidhur me bashkinë e Teheranit, tha se ai u arrestua për shkak të nxitjes për të përdorur armë kundër policisë.