Qeveria amerikane dhe ligjvënësit e shteteve amerikane po shtojnë përpjekjet për të kufizuar përdorimin e kimikateve helmuese, të njohura si PFAS (lexohet Pi-Fas) në produktet e përditshme si dhe për të vendosur kufij të pranisë së tyre në ujin e pijshëm. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, shkencëtarët po shkojnë një hap më tej duke shqyrtuar mënyrat për të eliminuar plotësisht të ashtuquajturat “kimikate me efekt të përhershëm”.
Your browser doesn’t support HTML5
PFAS janë kimikate sintetike që shihen vetëm me mikroskop.
Meqenëse janë rezistente ndaj nxehtësisë, vajit dhe ujit, ato përdoren në produktet e përditshme, si veshjet rezistuese ndaj ujit dhe tiganët ku ushqimet nuk ngjiten. Por ato janë gjithnjë e më shumë të lidhura me problemet shëndetësore, përfshirë kancerin.
Prandaj, ka një nxitim për t’i eliminuar gradualisht të gjitha llojet e PFAS-it, thotë profesori i fizikës Graham Peaslee.
“Ka përpjekje për regullimin e tyre, që po shqyrtohen nga disa legjislacione shtetërore dhe industria po përgjigjet. Ndryshimi ka kosto, por është shumë më pak i kushtueshëm sesa paditë që do të pasonin nëse nuk do ta bënin këtë”, thotë Graham Peaslee nga Universiteti Notre Dame.
Meqenëse kimikatet toksike transportohen lehtësisht edhe nga uji….Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në mars propozoi një standard mbarëkombëtar mbrojtës shëndetësor për gjashtë lloje të PFAS-eve në ujin e pijshëm.
Kjo agjenci pret ta miratojë rregulloren deri në fund të vitit 2023.
Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit tha se pas miratimit, deri në 6,300 ndërmarrje publike të furnizmit me ujë do të kenë tre vjet afat për të zbatuar standardet e reja. Agjencia tha gjithashtu se këto masa do të zvogëlojnë rrezikun nga PFAS-et për afro 100 milionë amerikanë.
Komuniteti shkencor nuk po rri duarkryq. Në Universitetin Shtetëror të Arizonës, profesori i inxhinierisë mjedisore Bruce Rittmann po punon për përshtatjen e teknologjisë ekzistuese për të shkatërruar lidhjen e fortë midis elementëve kimikë të karbonit dhe fluorit, që pengon PFAS-et të shpërbëhet lehtësisht në mjedis. Kjo lidhje e fortë e dy elementëve është arsyeja pse ato quhen “kimikate me efekt të përhershëm”.
“Ne përdorim hidrogjenin si burim elektronesh, përdorim një katalizator dhe më pas fillojmë t'i shkatërrojmë atomet e fluorit dhe kështu këto molekula shpërbëhen dhe më pas bakteriet përfundojnë procesin e shndërrimit të tyre në elementë të padëmshëm”, thotë Bruce Rittman nga Universiteti Shtetëror i Arizonës.
Në Kanada, profesori Madjid Mohseni ka ndërtuar një sistem të ri filtrimi, ai shpreson ta sjellë së shpejti në SHBA për zbatim.
“Kjo jo vetëm që mund të kapë të gjitha llojet e PFAS-eve por edhe mund t’i kthejë ato në materiale të riciklueshme”, thotë Madjid Mohseni nga Universiteti ‘British Columbia’.
Publiku, megjithatë, është i shqetësuar se përpjekjet për të zgjidhur ndotjen nga elementët PFAS në ujë dhe produkte të përditshme nuk po ecin shpejt, thotë Erin Reilly nga Shoqata jofitimprurëse “James River” në Virxhinia.
“Nuk i takon konsumatorit që të jetë në gjendje të mbrojë veten. Ajo që duhet të bëjmë është të nxjerrim rregulla se ku mund të përdoren këto kimikate, si mund të përdoren dhe çfarë etiketimi duhet të kenë”, thotë Erin Reilly nga Shoqata ‘James River’.
Shoqata Amerikane e Veshmbathjeve dhe Këpucëve dhe Këshilli i Produkteve të Kujdesit Personal përfshin firma që prodhojnë artikuj që përmbajnë PFAS. Ato i thanë Zërit të Amerikës se anëtarët e tyre janë të përkushtuar të heqin dorë nga përdorimi i qëllimshëm i PFAS-eve dhe të përdorin teknologji të reja dhe të sigurta.