Kërkesa për arrestimin e deputetit Ahmetaj votohet të premten në Kuvend

Kuvendi i Shqipërisë

Në Shqipëri, Kuvendi vendosi të afrojë për nesër seancën, në të cilën do të votohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish zëvendës-kryeministrit Arben Ahmetaj.

Your browser doesn’t support HTML5

Kërkesa për arrestimin e Arben Ahmetaj, debate në Kuvend

Afrimi i datës nga e hëna në të premte erdhi pas tensioneve të gjata në sallë, ku përfaqësuesit e opozitës, këmbëngulën, që votimi të bëhej sot.

Zoti Ahmetaj, ndaj të cilit rëndojnë disa akuza në hetimet për incineratorëve, u largua nga vendi pak orë përpara se Prokuroria të formulonte kërkesën drejtuar parlamentit.

Ndërsa në Kuvendin e Shqipërisë po betohej deputeti i ri socialist, që zuri vendin e deputetit të dorëhequr të Krujës Rrahman Rraja, deputetët e opozitës kishin bllokuar foltoren, duke kërkuar që të futej në rendin e ditës votimi i kërkesës së SPAK-ut për të arrestuar ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj.

Lexoni edhe këtë Ahmetaj ka lënë Shqipërinë, pak orë para se Prokuroria të kërkonte arrestimin

Pas protestave këmbëngulëse të opozitës, konferenca e kryetarëve vendosi që seanca për votimin e kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për të arrestuar ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj të zhvillohet nesër, ndërsa më herët ishte vendisur për të hënën.

Fillimisht kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla kundërshtoi futjen në rendin e ditës të kërkesës për arrestimin e deputetit Ahmetaj, duke përmendur afatet, përmbajtjen e dokumentit dhe njoftimin e deputetit.

“Nuk mund të hedhim në votim një çështje, që nuk ka lëndë. A janë njoftuar deputetët përmes raportit të këshillit të mandateve? Jo. A është njoftuar deputeti? Jo, nuk është njoftuar. Regullorja parashikon dy javë kohë, por ne kemi vepruar në mënyrë shumë serioze dhe shumë dinjitoze në respect të drejtësisë dhe të regullave të parlamentit”, tha zonja Nikolla.

Lexoni edhe këtë Kërkesa për arrestimin e Ahmetajt, provat e Prokurorisë ndaj ish zv.kryeministrit

Opozita kërkoi që kryeministri Edi Rama të jetë i pranishëm në seancë plenare, dhe të hyjë në rendin e ditës dhënien e miratimit për arrestimit e ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se kryeministri Rama është përgjegjës edhe në ngjarjen e dhunshme të Fushë Krujës, edhe në korrupsionin e ish zëvendës kryeministrit Ahmetaj.

“Pa mbështetjen e Edi Ramës nuk do të kishte leje Rrahman Rraja për gurore në Krujë. Pa mbështetjen e Edi Ramës Arben Ahmeti, Damian Gjiknuri, Lefter Koka dhe çdo ministër që është për të shkuar në burg për çështjen e incineratorëve nuk miratonte dot 17 vendime brenda ditës. Dhe ju flisni për procedura?! Për çfarë procedurash flisni ju?! A e keni lexuar dosjen e SPAK-ut?!”, tha zoti Bardhi.

Shumica dhe opozita kanë rënë dakort që t’i hapin rrugë kërkesës së Prokurorisë së posaçme për arrestimin e ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, por debatuan gjatë për datën e seancës së jashtëzakonshme.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, deklaroi se kërkesa e SPAK për të autorizuar arrestimin e zotit Ahmetaj u dorëzua në Kuvend në datën 10 korrik, edhe pse dokumenti mban datën 7 korrik.

“Pavarësisht nga abuzimet e këtyre ditëve, kërkesa është depozituar në Kuvend në datën 10 korrik, edhe pse mban sipër datën 7 korrik. Këshilli i legjislacionit ka zhvilluar shpejt dy mbledhje. Avokatët kanë kërkuar kohë, se është e drejta e tyre. U dhamë jo më shumë se një ditë kohë. Ndonëse rregullorja thotë se duhen dy javë kohë për raportin dhe dërgimin e tij deputetëve, ne po veprojmë shumë shpejt”, tha zonja Nikolla.

Ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj akuzohet për korrupsion, fshehja apo mosdeklarim të pasurive dhe pastrim parash.

Hetimet nxorrën në pah lidhjet e tij të afërta ngushta me dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përfituesit e koncensioneve të trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier e Tiranë.

Avokatët e tij janë shprehur kundër kërkesave për arrestim dhe kontroll të banesës. Ata kanë bërë me dije se zoti Ahmetaj gjendet jashtë Shqipërisë.